Ndihmës sekretarja Donfried në Shkup: SHBA i mbështet eurointegrimet e RMV-së

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike Karen Donfried sot qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku ka realizuar takime me krerët e vendit. Në fokus të bisedave kanë qenë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, perspektivat eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi në NATO dhe situatat aktuale në vend dhe rajon, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, u takua me Donfried e cila ishte e shoqëruar edhe nga Gabriel Eskobar, zëvendësndihmës i sekretarit të shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor dhe me delegacion amerikan dhe ambasadorja e SHBA-ve në vend Kejt Mari Bërns.

Në takim bashkërisht është theksuar rëndësia e partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me SHBA-të.

Ndihmës sekretarja shtetërore e SHBA-ve Donfried, përcolli mesazh që Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm transatlantik i SHBA-ve. U shpreh mbështetje e fuqishme nga administrata e Presidentit amerikan Xho Bajden për zhvillimin dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për fillimin e menjëhershëm të negociatave me BE-në, si një çështje me rëndësi strategjike për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

U theksua se vendi ynë, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE-në, funksionon sipas parimeve të vlerave demokratike dhe evropiane dhe se në sfidat që solli lufta në Ukrainë, u vendosën shpejt dhe plotësisht në përputhje me NATO-n dhe politikat e BE-së.

Donfried - Kovaçevski
Donfried – Kovaçevski

Me politikat efektive për mbështetjen e popullit në Ukrainë dhe në përputhje me politikën e jashtme të NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut, siç u vlerësua, dha një tjetër argument të fortë se i përket NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Bashkërisht u tha se kjo duhet të njihet dhe të vlerësohet nga BE-ja, me hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse zgjerimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, nga pikëpamja gjeopolitike është çështje sigurie dhe thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e të rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kovaçevski falënderoi për miqësinë tradicionale, të sinqertë dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga pavarësia e vendit tonë e deri më sot dhe e vlerësoi atë si jashtëzakonisht të rëndësishme në të gjitha proceset e zhvillimit të vendit tonë, duke përfshirë arritjen e dy qëllimeve strategjike shtetërore, NATO dhe BE.

“Qeveria është e fokusuar në standardin e jetesës së qytetarëve dhe në tejkalimin e pasojave të krizës globale energjetike, ekonomike dhe ushtarake dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi për zgjidhje të të gjitha çështjeve të hapura vetëm duke respektuar vlerat evropiane dhe duke u bazuar në respektin reciprok dhe qasje dinjitoze në bisedime”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në takim u diskutuan disa çështje aktuale, si rëndësia e nismës Ballkani i Hapur, që, sipas Qeverisë, avancon bashkëpunim rajonal.

Donfried u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski ku në fokus të  bisedës kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, ndodhitë aktuale në vend dhe rrjedhën e proceseve reformuese, por edhe prioritetet e jashtme politike të Maqedonisë së Veriut dhe ndodhitë aktuale në rajon dhe Evropë.

Presidenti Pendarovski ka theksuar se vizita e Donfried është konfirmim për mbështetjen e fuqishme amerikane për stabilitetin rajonal dhe për rëndësinë e konsolidimit të mëtutjeshëm të proceseve demokratike në rajon.

Donfried - Pendarovski
Donfried – Pendarovski

“Gjithashtu, presidenti ka theksuar se Maqedonia e Veriut është e gatshme të kontribuojë për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe përforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në. Mbetemi fuqishëm të përkushtuar në zbatimin e reformave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në atë drejtim, veçmas e vlerësojnë mbështetjen amerikane”, tha Pendarovski.

Ai e përshëndeti dialogun strategjik bilateral me SHBA-në si impuls pozitiv në marrëdhëniet e ndërsjella për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë, sundimit të ligjit, ekonomisë, energjetikës dhe ndryshimeve klimatike.

Në takim, bashkëfolësit diskutuan edhe për dinamikën politike dhe situatën ekonomike në Evropë, të shkaktuar nga invazioni rus ndaj Ukrainës, gjatë së cilës Pendarovski i theksoi masat e ndërmarra nga ana e Maqedonisë së Veriut si vend-anëtar i NATO-s dhe e ka riafirmuar qëndrimin për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Duke u ndaluar në ndodhitë e sigurisë dhe pasojat ndaj Ballkanit, presidenti Pendarovski ka alarmuar për rëndësinë e zhbllokimit të eurointegrimeve të RMV-së dhe gjetjen e zgjidhjes kontruktive për mosmarrëveshjet me Bullgarinë.

Duke i pasur parasysh ndodhitë aktuale në Ukrainë dhe kontinentin evropian, presidenti shtoi se është e domosdoshme që bisedimet për anëtarësim në BE të fillojnë sa më shpejtë, për shkak të rrezikut për varrosjen e mbështetjes për integrimet evropiane dhe ngadalësimin e ritmit të proceseve të reformave si në sundimin e ligjit, reformave në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.

Pas Pendarovski, Donfried bashkë me delegacionin e saj është takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani.

Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për realizimin e qëllimeve tona strategjike, duke theksuar rolin e rëndësishëm të miqve tanë amerikanë për arritjen e stabilitetit afatgjatë, demokratizimit dhe prosperitetit të vendit dhe rajonit si tërësi.

Osmani - Donfried
Osmani – Donfried

“Sot u dakorduam që të përforcojmë partneritetin tonë strategjik përmes Dialogut të ardhshëm Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA, i cili do të mbahet më 2 qershor, në Uashington. Për ne kjo është nder i veçantë që Maqedonia e Veriut do të bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, i cili do të hap një dialog strategjik me ShBA-të, përmes të cilit do të thellohet partneriteti ynë strategjik dhe më konkretisht do të futet në kornizë bashkëpunimi ynë bilateral”, theksoi Osmani.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se lufta në Ukrainë ka demonstruar nevojë të qartë për sjelljen e një dinamike të re në proceset eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me çka do të konfirmohet kredibiliteti i BE-së dhe do të inkurajohen proceset për tejkalimin e dallimeve dhe pajtimit në rajon.

“Procesi i zgjerimit të BE-së paraqet politikë të sigurisë dhe për këtë arsye anëtarësimi i rajonit në Union është e një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe evropian. Maqedonia e Veriut është vend evropian dhe partner lojal me progres të konsiderueshëm në proceset reformuese. Prandaj, vlerësojmë se tani është koha e duhur që Bashkimi Evropian ta përmbushë pjesën e tij të detyrës dhe të zhbllokojë procesin tonë të anëtarësimit përmes miratimit të kornizës negociouese dhe mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare gjatë presidencës franceze”, theksoi Osmani.

Në takim u bë fjalë edhe për sfidat aktuale të sigurisë, me ç’rast u shpreh dënimi i përbashkët ndaj invazionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe mbështetje dhe solidaritet i fortë me popullin ukrainas.

Ndryshe, vizita e Donfried është në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Turneun e saj në Ballkanin Perëndimor ajo e ka nisur më 25 prill në Kosovë, ndërsa të nesërmen do të shkojë në Serbi. Tema të tjera diskutimi me autoritetet kosovare dhe serbe ishin edhe dialogu mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe theksimi i nevojës për rifillimin e tij. Më 27 prill, në agjendën e Donfried ishte Bosnja dhe Hercegovina, ku inkurajoi autoritetet që të avancojnë reformat dhe të sigurojnë prosperitet më të madh për vendin, si dhe të fitojnë statusin e kandidatit në BE. Gjithashtu, bëri thirrje për zhvillimin në kohë të zgjedhjeve të planifikuara për vjeshtën e vitit 2022, por edhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit. Ajo do të përfundojë vizitën e saj rajonale nesër, më 29 prill në Mal të Zi, ku temë diskutimi do të jetë përshpejtimi i rrugës euroatlantike të vendit dhe pranimi i tij në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button