A do t’i zhvendosë greva afatet për regjistrim në shkollat e mesme?

Duke pasur parasyshë se tashmë  dy javë po mbahet grevë në arsim, është e paqartë nëse do të zgjatet viti shkollor, diçka që mund të ndikojë në regjistrimin në shkollat ​​e mesme. Pasi ka data precize dhe afate konkrete, disa drejtorë shkollash kanë frikë se greva mund të zhvendosë planin për regjistrimin e nxënësve të rinj. Andrej Manolev, drejtori i gjimnazit “Nikolla Karev”, thotë se e mundur është që të shtyhet viti shkollor, ndërsa kjo do të ndikojë edhe në regjistrime, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Regjistrimet janë në datat 14, 15 dhe 16 qershor. Ligjërisht, në shkollën fillore e shtuna është ditë jo pune, ndaj nuk e di se si do ta kompensojnë kohën e humbur, kur nuk do të ketë se kur, nëse vendoset të punohet të shtunave. Mbetet e paqartë nëse profesorët do të kenë kohë të dorëzojnë gjithçka që parashikon programi dhe më pas të formojnë notat. Nuk dihet nëse do të prolongohet viti shkollor apo do të ketë version të shkurtuar të planprogramit, në mënyrë që nxënësit të vlerësohen dhe pastaj të mund të dorëzojnë dokumentet e regjistrimit”, tha Manolev.

Këtë vit paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet në një periudhë regjistrimi me tre aplikime në muajin qershor. Paraqitja e nxënësve do të bëhet përmes aplikacionit elektronik, përmes linkut në portalin për shërbime elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës https://e-uslugi.mon.gov.mk, me njoftim të veçantë për nxënësit e shkollave të mesme përmes llogarive të tyre në schools.mk. Kjo është theksuar në konkursin për regjistrim në shkollat ​​e mesme për vitin mësimor 2022/2023.

“Regjistrimi i parë i nxënësve do të bëhet në datat 14 dhe 15 qershor. Ranglista preliminare e nxënësve të regjistruar publikohet më 16 qershor në https://e-uslugi.mon.gov.mk dhe në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, më së voni në orën 9:00. Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet në datën 16 qershor nga ora 12:00-19:00, si dhe në datën 17 qershor nga ora 7:00-19:00, sipas orarit të përgatitur nga shkolla. Rang-lista përfundimtare për secilën shkollë me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira do të shpallet më 18 qershor në tabelën e shpalljeve të shkollës”, thuhet në konkurs.

Siç thuhet në konkurs, në shkollat ​​ku regjistrohen numër më i madh i nxënësve se sa është planifikuar, ndërsa të cilët i plotësojnë kushtet e parapara, organizohet test kualifikimi. Testi zbatohet për të gjithë nxënësot që kanë të njëjtin numër pikësh dhe janë nën dhe mbi numrin e fundit rendor të parashikuar për pranim sipas konkursit. Testet janë duke u përgatitur nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, ndërsa testimi do të organizohet më 20 qershor.

Ndryshe mësimdhënësit dhe punonjësit e kopshteve tashmë prej 11 ditësh ndodhen në grevë, pasi kërkojnë rritjen e pagave në arsim për mbi 18%. Ndërkohë, Qeveria ka ofruar rritje prej 10%, por SASHK-u nuk pajtohet.

Që nga fillimi i grevës, zyrtarët e qeverisë u kanë bërë thirrje vazhdimisht mësimdhënësve që të vazhdojnë mësimin dhe të kërkojnë zgjidhje për pagat nëpërmjet dialogut social.

SASHK-u e filloi grevën më 11 prill me kërkesë për rritje të pagave dhe harmonizimin e tyre me pagën minimale, e cila nga marsi është 18 mijë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button