Rusia ia ndaloi hyrjen nënpresidentes amerikane, Kamala Harris

Rusia më 21 prill vendosi ndalime të udhëtimeve ndaj nënpresidentes amerikane, Kamala Harris, shefit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg dhe dhjetëra figurave të rëndësishme amerikane dhe kanadeze të tjerë, për shkak të sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë, shkruan REL.

Ministria e Jashtme ruse tha se ka vendosur kufizime të udhëtimeve për 29 amerikanë dhe 61 kanadezë. Në këtë listë, sipas Rusisë, përfshihen zyrtarë të mbrojtjes, biznesmenë dhe gazetarë.

Në mesin e amerikanëve të sanksionuar është edhe gazetari i ABC News, George Stephanopoulos, kolumnisti i Washington Post, David Ignatius dhe kryeredaktori i medias Meduza, Kevin Rothrock.

Ndërkaq, sa i përket zyrtarëve të mbrojtjes, në listë është përfshirë edhe zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, dhe nënsekretarja e Mbrojtjes, Kathleen Hicks.

Ndërkaq, Cameron Ahmad, që shërben si drejtor i komunikimeve i kryeministrit kaneze, Justin Trudeau, po ashtu është në listën ruse, së bashku me komandantin e Forcave të Operacioneve Speciale kanadeze, Steve Boivin.

Ministria e Jashtme ruse tha se lista përbëhet nga njerëz që janë përgjegjës për politikat “rusofobe” në këto dy shtete.

Më herët, Rusia ka ndaluar Facebook-un dhe Instagram-in, që janë pjesë e kompanisë Meta të Zuckerbergut, duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button