fbpx

Lajçak kërkon vazhdimin e bisedimeve për targat

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të takohen sërish për të diskutuar për çështjen e targave të makinave, pasi më 21 prill palët dështuan të arrinin një marrëveshje të përhershme për këtë temë, shkruan REL.

“Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren”, porositi Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Pas takimit trepalësh, kryenegociatori i Kosovës, Bislimi tha se marrëveshja për targat nuk u arrit për shkak të “mosgatishmërisë” së Serbisë.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi, pas një takimi trepalësh në Bruksel.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Deklaratat e Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Pas takimeve bilaterale me kryenegociatorët, Miroslav Lajçak ka arritur t’i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

Bislimi tha po ashtu se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.

“Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.

“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”, tha Bislimi.

Targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, si ‘KM’ (Mitrovicë), të cilat janë më së shumti në numër, ose ‘PR’ (Prishtinë), ‘PZ’ (Prizren), ‘GL’ (Gjilan) lëshohen nga autoritetet serbe dhe ato përdoren vetëm në veriun e Kosovë, ku popullsia serbe është shumicë. Këto targa, Kosova i konsideron të paligjshme, por lëvizja me to në veri të Kosovës kohëve të fundit është lejuar nga autoritetet në Prishtinë.

Bislimi po ashtu tha se në takimin me kryenegociatorin serb, Beogradi tregoi “se nuk do zgjidhje”.

“Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë. Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses”, shtoi Bislimi.

Petar Petkoviq, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo kosovare nuk ishin takuar së bashku që nga vera e kaluar, për shkak të mosgatishmërisë për arritjen e ndonjë përparimi në procesin e dialogut.

Petkoviq: Vazhdon regjimi me letra ngjitëse

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në mungesë të një marrëveshjeje të përhershme për targat, regjimi i mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa do të vazhdojë.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai.

Ai akuzoi Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim për çështjen e targave.

Takimi Kurti-Vuçiq në maj?

Në këtë takim midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, sipas Bislimit është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe për një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Një takim i tillë, sipas tij, po kërkohet që të mbahet në maj.

“Zoti Lajçak është shumë i interesuar që sa më shpejt të fillojnë bisedimet për marrëveshjen e përgjithshme dhe ai ka diskutuar edhe sot për elementet që duhet të plotësohen që ky takim të ndodhë, mundësisht brenda muajit maj”, tha Bislimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si bartës së dialogut politik, nuk janë takuar që nga korriku i vitit të kaluar.

Ndërkaq, mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore. Por, Bislimi tha se ky lajm është i pavërtetë.

“Në asnjë rast nuk është përmendur dhe as prekur tema e arkivave , as në takim bilateral e as në trelateral”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje për targat.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Marrëveshja e përkohshme

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button