Vuçiq: Nuk do të vendosim sanksione ndaj Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pavarësisht presioneve, Serbia nuk do të rrezikojë interesat e saj kombëtare duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, raporton REL. Në një intervistë për Financial Times më 21 prill, ai tha se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në bllok, të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne [më 1999] dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiq.

Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë nisën pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Bisedimet u mbajtën në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars të vitit 1999.

Bombardimet nisën për të parandaluar eksodin e popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilët u përballën me terrorin e ushtrisë dhe forcave policore serbe. Shumica e anëtarëve të policisë dhe ushtrisë, por edhe udhëheqja shtetërore, përfshirë Sllobodan Millosheviqin që ishte president, më vonë u gjykuan në Hagë.

Vuçiq tha për Financial Times se Serbia do të vendosë sanksione ndaj kujtdo sepse udhëheqja e shtetit nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka.

“Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyronin Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai.

Ndërkaq, gjatë një konference për media më 21 prill, Vuçiq po ashtu e pranoi se Serbia po përballet me probleme dhe po paguan “çmim shumë të lartë”, pasi është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë.

Ai iu referua një draft-rezolute të Parlamentit Evropian, që u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, por edhe më herët ka thënë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Serbia që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Gjatë një vizite të tre senatorëve amerikanë në Beograd më 19 prill, Uashingtoni përsëriti thirrjet që Serbia të harmonizonte politikat e saj me të BE-së dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button