Shkupi pa kompani për pastrimin e çative nga asbesti

Institucionet e shtetit nuk kanë qasje serioze kur bëhet fjalë për pastrimin e objekteve të vjetra, të cilat kanë asbestin si material ndërtimor (material ky i cili vlerësohet si shumë i dëmshëm për organizmin e njeriut) thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që në fokus kanë mbrojtjen e mjedisit.

Këto reagime pasojnë djegien e objekteve të vjetra të ish-fabrikës Treska, e cila ndodhet në komunën Qendër të Shkupit.

“Ne, si qytetarë, jemi shumë të shqetësuar, pra të gjithë ne që jemi të ekspozuar ndaj materialeve që përmbajnë asbest”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Tatjana Çukleva, nga Iniciativa O2, që në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësor.

Ajo, si banore e Shkupit, e cila jeton në afërsi të objekteve tashmë të djegura të ish-fabrikës Treska, thotë se problemi me asbestin bëhet i dukshëm vetëm gjatë incidenteve megjithëse ai është i pranishëm tërë kohën.

“Problemi bëhet aktual, gjithmonë kur kemi të bëjmë me objektet e vjetra të ndërtuara me material që përmbajnë asbest, veçanërisht materialet që janë përdorur për izolim disa dekada më herët, ndërkohë që gjatë rrënimit të tyre, as punëtorët e as qytetarët përreth nuk mbrohen, por janë të ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj këtij materiali që shkakton kancer dhe për këtë askush nuk bart përgjegjësi”, thotë ajo.

Ndryshe edhe pas një jave çatitë e objekteve të ish-fabrikës Treska në një sipërfaqe prej rreth 40 mijë metrash katror me materiale që përmbajnë asbest akoma mbeten të papastruara.

Autoritetet komunale thonë se është formuar një shtab krize për ballafaqimin me pasojat që shkaktoi zjarri në objektet e ish -fabrikës Treska.

Maqedonia e Veriut ka harmonizuar rregulloret për administrimin e mbeturinave që përmbajnë asbest. Ajo ka harmonizuar ligjet vendore për rregullimin e problematikës së mbeturinave të rrezikshme me standardet e BE-së. Sipas tyre, parashihen masa të veçanta që kanë të bëjnë me izolimin e rrethit dhe furnizimin e punonjësve me veshje të veçanta mbrojtëse të ngjashme me ato që përdornin mjekët gjatë përballjes me pacientët e prekur me COVID-19.

Por, me shpërthimin e zjarrit, edhe zyrtarët, po edhe punëtorët që dolën në terren, ishin të pambrojtur.

Ndërkohë, deponimi i një ton mbeturinash të thjeshta në deponinë Drislla të Shkupit kushton 200 denarë (3.2 euro) përderisa për materiale që përmbajnë asbest kostoja është shumë më e lartë, për një ton duhet paguar 10 mijë denarë (162 euro).

Lidhur me këtë, Millan Petrovski, kryetar i Shoqatës për mbrojtje gjatë punës thotë për Radion Evropa e Lirë se zakonisht i shmangen ligjit që rregullon depozitimin e materialeve të dëmshme në mënyrë që të mos paguajnë koston e lartë për t’i çuar në deponi.

Petrovski thotë kostoja për heqjen e një çatie nga asbesti arrin nga 20 deri në 30 mijë euro, andaj investitori për të ulur koston e shpenzimeve, objektet e këtilla nuk i trajton si objekte me material të rrezikshëm.

“Në Maqedoninë e Veriut mungojnë kompanitë e specializuara të cilat do të licencoheshin nga shteti dhe të njëjtat do të angazhoheshin në objektet e vjetra e të cilat janë të shumta, ku është përdorur asbesti. Nuk do të befasohem se do të improvizohen gjërat edhe në rastin Treska”, thotë Petroski, duke shtuar se kjo është dhe një nga arsyet se pse është ulur në masë të theksuar mosha e jetës së qytetarëve veçanërisht në viset urbane.

Nga ana tjetër, Jordan Minov nga Instituti i Pulmologjisë, i cili me vite studion sëmundjet që shkakton thithja e asbestit thotë se në rastin e djegies së fabrikës Treska nevojitet shumë kujdes, por shton se qytetarët nuk ka nevojë tëkrijojnë panikë.

“Që të manifestohet si sëmundje ekspozimi ndaj asbestit nevojitet më shumë vite. Sëmundjet e shkaktuara nga asbesti, apo asbestoza siç është kanceri në mushkëritë e bardha, zakonisht kjo është sëmundje profesionale e cila paraqitet te punëtorët që janë të ekspozuar një kohë më të gjatë ndaj asbestit”, thotë mjeku Jordan Minov.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka ngritur dyshimin se zjarri në objektet e vjetra të ish-fabrikës së Treskës ka qenë i qëllimshëm.

Parcela me objektet e vjetra të ish-fabrikës Treska është pjesë e një plani të ri të detajuar urban. Kjo hapësirë është aktualizuar për shkak të objekteve që planifikohet të ndërtohen aty. Organizatat e shoqërisë civile e kundërshtojnë “betonimin” e mëtejshëm të Shkupit, duke mos lënë vend për hapësira të gjelbra, të cilat janë më se të domosdoshme si rrjedhojë e ekspansionit të ndërtimeve në kryeqendër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button