Mbi drunjtë

Një njeri i mençur dikur ka thënë: “Njeriu është e vetjma qenie në natyrë që e pret drurin, e përpunon, bën letër prej tij dhe në letër shkruan – Ruani drunjtë”. Në një botë ku njeriu është duke e shkatërruar ekosistemin në të cilin jeton, duke shfarosur pyjet të cilat e sigurojnë oksigjenin me të cilin ai frymon, secili dru që rritet në qytet apo në natyrë është një burim jete që duhet respektuar dhe mbrojtur me shumë përkushtim.

Në kopshin e shtëpisë ku jetoj, para 10 vitesh mbiu vet një dru bliri. Për 10 vjet u rrit në një dru të madh dhe e mbuloi krejt anën perëndimore të shtëpisë. Ngrohja globale që e karrakterizon botën e këtyre viteve sikur nuk depërton në këtë pjesë të shtëpisë që u bë më e frskët, më e qetë dhe shumë më e bukur. Nuk ka gjë më të këndshme se të hapësh dritaren dhe të ndjesh aromën e luleve të blirit në qershor. Ne e marrim si të gatshëm këtë fakt dhe rrallë jemi falenderues që një dru vendosi të mbijë pikërisht poshtë dritares sonë. E marrim si diçka të qenë. Por kur e paramendoj një mungesë të mundshme të këtij druri të thjeshtë në fund të kopshtit, shpirti më mbushet me një boshllëk që nuk do kisha dashur ta ndjej asnjëherë në të vërtetë.

Drunjtë e vjetër që rriten në qytetet tona janë pasuri që duhet kultivuar. Drunjtë e vjetër nuk zëvendësohen dot me drunj të rinj, sepse një druri i duhen vite të shumta që ta arrijë pikën kur do të fillojë të prodhojë oksigjen në masë të nevojshme për ta përballuar sfidën e ndotjes së ajrit në qytetet tona. Ndotja sa vjen e shtohet ndërsa drunjtë pakësohen me arsyetime të ndryshme: e pengojnë rrugën, parkimin, kalimin, nuk janë sa duhet të bukur, duhet të krasiten dhe të lehen pa degë e gjethe për vite me rradhë, e shumë arsyetime tjera si këto. Asnjëherë nuk bëhen përpjekje që ambienti që e rrethon drurin të përshtatet me drurin, por gjithmonë është druri ai që pengon, është druri ai që i mbledh zogjtë që ndotin pastaj vendin, është druri ai që duhet të largohet. Druri është gjithmonë fajtori kryesor për gjithçka që nuk ecën si duam ne. Në një vend ku druri shihet si pengesë dhe jo si burim i jetës vështirë se do të mund të jetohet shëndetshëm ndonjëherë.

Jagadish Vasudev, guru i jogës dhe i spiritualitetit, në një rast ka thënë: “Drunjtë janë burimi i çdo fryme, pritni ato dhe do ta ndaloni frymëmarjen tuaj”.

Në këtë muaj të shenjtë, kur të gjithë mundohemi të punojmë drejt relizimit tonë shpirtëror, kur të gjithë mundohemi të bëhemi më të mirë se sa që jemi, kur të gjithë duam të përhapim më shumë paqe dhe mirësi dhe të gjejmë qetësinë tonë shpirtërore në përkushtimin ndaj krijuesit, është mirë të përkujtohemi tek disa rregulla të rëndësishme islame të cilat mes tjerash i involvojnë edhe drunjtë.

Në studimet e të drejtës ndërkombëtare humanitare që ka për qëllim humanizimin e luftës dhe mbrojtjen e civilëve dhe ambientit gjatë kohës së luftës, shpesh përmenden mësimet islame lidhur me këtë çështje. Përmenden ajetet Kuranore që flasin për mbrojtjen e jetës së njeriut, përmenden hadithet e Profetit për mbrotjen dhe trajtimin njerëzor të rrobërve të luftës, dhe përmendet udhëzimi i Kalifit të parë Ebu Bekr i cili luftëtarëve që janë nisur në betejë u ka thënë: “Kur të marshoni në territorin armik, mos i pritni drunjtë e palmës dhe as drunjtë tjerë, mos i shkatërroni prodhimet e tokës, mos i rrënoni fushat, mos i digjni shtëpitë… mos bëni asnjë shkatërrim të panevojshëm.”

Sipas mësimeve islame shkatërrimi i drunjve dhe i ambientin jetësor është i ndaluar edhe në territor armik dhe gjatë gjendjes së luftës. Por njeriu nuk ushqen armiqësi më të madhe ndaj askujt tjetër sa ndaj vetes së tij, kur është në gjendje ta presë drurin nga i cili mer frymë vet.

Drunjtë kanë qenë mbi tokë para se të vimë ne dhe do të jenë këtu edhe pas zhdukjes së njerëzimit. Sepse druri bën hije edhe për atë që ia pret degët, edhe për atë që ia pret trungun. Njeriu e përdor epitetin “dru” për të tallur dikë që nuk din. Por në fakt, do të ishte mirë që njeriu të ishte pak më pak si vetja e tij shkatërruese dhe pak më shumë si druri që bën hije për të gjithë, edhe për ata që nuk e meritojnë hijen e tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button