Putini anuloi planet për të sulmuar fabrikën e çelikut në Mariupol

Ushtria ruse ka marrë kontrollin e qytetit port në juglindje të Ukrainës, Mariupol, tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Shoigu e bëri njoftimin të enjten në një takim me presidentin rus, Vladimir Putin të transmetuar në televizionin shtetëror, transmeton REL.

“Njësitë e mbetura luftarake ukrainase janë ngulitur në zonën industriale të fabrikës Azovstal”, tha Shoigu.

Presidenti Putin urdhëroi që fabrika e çelikut të mos sulmohej.

“Një urdhër i mëparshëm për këtë qëllim duhet të tërhiqet”, tha ai.

Të gjithë të burgosurve iu garantua jeta, tha Putin.

Ai foli për një sukses dhe “çlirimin e Mariupolit” dhe urdhëroi që oficerët ushtarakë të përfshirë të dekoroheshin.

“Ata janë të gjithë heronj”, deklaroi Putin.

Sipas llogarisë së Shoigut, njësitë ukrainase janë plotësisht të bllokuara.

Ministri siguroi se edhe fabrika duhet të merret për tri deri në katër ditë.

Askush nuk është larguar nga fabrika përmes korridoreve humanitare të ofruara, tha ministri.

Më herët, pala ukrainase kishte propozuar negociata për fatin e luftëtarëve dhe shpëtimin e civilëve që kishin kërkuar strehim në fabrikë.

Qyteti port juglindor i Mariupolit ka përjetuar luftimet më të ashpra që nga 24 shkurti, ndërsa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e plotë. Kapja e tij do të ishte një çmim i madh strategjik dhe do të lidhte territorin e mbajtur nga separatistët pro-rusë në lindje me rajonin e Krimesë që Moska e aneksoi më 2014.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka thënë se rreth 1000 civilë janë strehuar në fabrikën e çelikut.

Kievi ka propozuar shkëmbimin e të burgosurve rusë të luftës për kalim të sigurt për civilët dhe ushtarët e bllokuar. Nuk dihet nëse Rusia i është përgjigjur ofertës për negociata speciale.

Luftëtarët mbeten të ngujuar në fabrikë dhe injoruan një ultimatum nga Rusia për t’u dorëzuar.

Rusia e quan sulmin ndaj Ukrainës një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë e refuzojnë këtë si një pretekst të rremë për luftë.

Perëndimi ka vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë dhe i ka dhënë Ukrainës mbështetje të gjerë, duke përfshirë armë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button