fbpx

RMV, pandemi, onlajn, pastaj grevë – nxënësit e humbën shprehinë e mësimit

Këshilli i SASHK-ut ka caktuar për sot seancë në të cilën, siç ka paralajmëruar kryetari i kësaj sindikate Jakim Nedellkov, do të merret vendim lidhur me propozimin e qeverisë për rritjen e pagave për 10 për qind për të ndërprerë grevën në arsim. Megjithatë, mbetet pyetja se si do të kompensohen orët e humbura dhe a do të shtyhen provimet e maturës?

Greva e mësuesve vazhdon edhe këtë javë, pasi sindikata dhe qeveria nuk arritën marrëveshje për rritjen e pagave. Qeveria ofroi rritje prej 10% SASHK e refuzoi, shkruan REL.

Derisa Qeveria dhe Sindikata e Arsimit po debatojnë, nxënësit në vend se të jenë në shkolla po qëndrojnë në shtëpi dhe pyetja kryesore është si do të kompensohen orët e humbura.

Më të prekurit janë maturantët të cilët në qershor duhet t’i nënshtrohen provimit të maturës që kërkon më shumë përgatitje dhe mësim të materialit. Një pjesë e maturantëve thonë se tashmë i ka kap paniku se si do t’i nënshtrohen provimit, duke qenë se kanë humbur shumë orë mësimi.

Eva Stojanova, nxënëse e vitit të katërt në gjimnazin e Velesit “Koço Racin”, ende nuk i ka mbrojtur detyrat e projekteve, ndërsa provimi i maturës i shkakton shqetësim edhe më të madh thotë ajo.

“Projektet e maturës nuk i kemi mbrojtur ende. Duhej t’i mbronim më datë 11, por pikërisht atë ditë filloi greva, prandaj kemi pak panik në këtë pjesë, sepse mendoj që ligjërisht duhet të mbrohen deri më datën 30,  kurse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Shpresojmë që edhe ajo datë të shtyhet, ndërsa sa i përket maturës mendoj se ndjehet një dozë e vogël paniku sepse me mësimet onlajn tashmë mendoj që kemi humbur shumë”, tha maturantja Eva.

Arsimi, gjatë dy viteve të fundit, u përball me një sërë sfidash për shkak të pandemisë me kovid, e cila nxori në pah shumë mangësi në sistem.

Nxënësit tashmë po i ndjejnë këto mangësi në lëkurën e tyre. Eva thotë se ajo vetë vëren që e ka humbur shprehinë e të mësuarit, ndërsa onlajn mësimi ka lënë “vrima” serioze në dituri.

“Si brez i prekur nga korona dhe onlajn mësimi që u zhvillua, më duhet të vërej se te ne nxënësit po dallohet humbje e madhe e shprehisë së të mësuarit dhe mendoj që, kur u kthyem në shkollë në shtator këtë vit, kjo u vu re nga të gjithë mësimdhënësit – që disi i kemi humbur shprehitë e të mësuarit dhe se nuk krahasohet se si gjithçka zhvillohej para koronës dhe tani pasi u kthyem në shkollë, ja edhe kjo me grevën mendoj se sigurisht ndikon negativisht tek ne”, tha Stojanova e cila thekson se – shpreson që sa më shpejt të kthehet në shkollë.

Si do të kompensohen orët e humbura?

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk kemi përgjigje për planin e autoriteteve. Çka nëse greva vazhdon edhe më tej dhe si do ta kompensojnë nxënësit materialin dhe orët e humbura.

Gjithashtu, nuk ka informacione nëse viti shkollor do të zgjatet dhe a do të shtyhen provimet e maturës.

Një pjesë e prindërve me onlajn peticion “T’i kthejmë fëmijët në shkollë dhe kopshte”

Ndërsa disa prindër mbështesin mësuesit në kërkesat e tyre dhe të drejtën për grevë, një pjesë tjetër tashmë ka përgatitur një peticion onlajn ku u kërkon fëmijët të kthehen në shkolla dhe kopshte.

“Vendi i fëmijëve është në shkollë dhe kopsht, gjyshërit tashmë janë lodhur, mami dhe babi janë gati të pushohen nga puna. Pas izolimeve shkaku i Kovidit, greva e sistemit arsimor na mbyti deri në fund. Grevistët i mbështesim, të gjithë luftojmë për një të nesërme më të mirë, por ne prindërit nuk kemi mbështetje, gjëja e vetme që na ka mbetur janë kërcënimet për të na larguar nga puna. Këto janë lëvizje të dëshpëruara, asnjë institucion nuk dëshiron të na dëgjojë, gjëja tjetër është të dalim ne në rrugë”, thuhet në një peticion onlajn në rrjetet sociale.

Nedellkov: Kërcënimet e Qeverisë nuk do të na lëkundin

Sindikata e Arsimit dhe Shkencës thanë se i kuptojnë shqetësimet e prindërve dhe nxënësve, por në të njëjtën kohë thonë se ka ardhur koha që të ngrihet statusi social dhe të rikthehet dinjiteti i profesionit mësues në vend.

Kreu i SASHK, Jakim Nedellkov për REL thotë se greva do të vazhdojë dhe se kërcënimet nga Qeveria se mësimdhënësit, të cilët do të jenë në grevë nuk do t’i marrin paga nuk do t’i lëkundin.

“Mendojmë se qeveria nuk duhet t’i frikësojë kolegët që janë në grevë që të heqin dorë sepse do t’u zvogëlohen pagat, sigurisht që nuk do të lëkundemi derisa të marrim një ofertë që do t’i përgjigjet gjendjes aktuale me inflacion”, tha kryetari i SASHK.

Lidhur me orët e humbura, Nedelkov paraprakisht tha se mund të kompensohet me orët e shkurtuara dhe nxënësit të studiojnë materialin e humbur në formë më të ngushtë dhe me dinamikë më të shpejtë, siç ka qenë deri më tani në raste të tilla.

Kovaçevski – SASHK i venë interesat personale para interesit të fëmijëve

Ndërsa Kryeministri Dimitar Kovaçevski, vendimin e SASHK-ut për të refuzuar ofertën për rritje të pagave prej 10% e vlerësoi si dëm të pariparueshëm që anëtarët e sindikatës po e bëjnë në arsimimin e nxënësve dhe komplikim të përditshmërisë së prindërve.

“Përse SASHK mendon që rritja e pagave prej 2.500 denarë është e vogël: Thjesht nuk mund të konsiderohet qëndrim i arsyeshëm por presion i qartë dhe është evidente se SASHK-u i vë interesat personale para atyre të fëmijëve”, tha kryeministri Kovaçevski.

Që nga fillimi i grevës, zyrtarët e qeverisë u kanë bërë thirrje vazhdimisht mësimdhënësve që të vazhdojnë mësimin dhe të kërkojnë zgjidhje për pagat nëpërmjet dialogut social.

SASHK-u e filloi grevën të hënën e kaluar me kërkesë për rritje të pagave dhe harmonizimin e tyre me pagën minimale, e cila nga marsi është 18 mijë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button