Tetovë, u ndërprenë një ditë pasi filluan punimet në “Strasho Pinxhur”

Dje filluan, kurse sot u ndërprenë punimet për rikonstruimin e rrugës “Strasho Pinxhur” në Tetovë.  Komuna e Tetovës arsyetohet se lista “Më mirë për Tetovën” e ka kërkuar këtë. Por, këta të fundit e mohojnë një gjë të tillë dhe ftojnë komunën të prezantojë dëshmi nëse ata kanë kërkuar ndërprerjen e rikonstruimit, thonë se reagimet e tyre janë për prerjen e drunjve, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës sot informoi se nga sot do të ndërpriten punimet për të vazhduar pasi këshilltarët e “Më mirë për Tetovën” të japin propozimet për vazhdimin e punëve, por në këtë rrugë janë prerë pjesa më e madhe e drunjve, dhe ato nuk mund të kthehen prapa.

“Komuna e Tetovës informon qytetarët, pronarët e lokaleve që gjenden në rrugën “Strasho Pinxhur” dhe të gjithë qytetarët e fshatrave të cilët kalojnë përmes kësaj rruge, se nga sot do të ndërpriten punimet e filluara ditën e djeshme për shkak të reagimeve dhe mosmarrëveshjeve të krijuara nga këshilltarët “Më mirë për Tetovën”. Komuna do të pres sqarim nga këshilltarët e Listës “Më mirë për Tetovën”, në lidhje me reagimet e tyre dhe cili është propozimi për të vazhduar me punë. Të gjithë e kuptojmë rëndësinë e ambientit dhe për këtë shkak Ne pohuam se do të mbjellën pemë të reja. Kërkojmë falje dhe mirëkuptim nga qytetarët për ndërprerjen e punimeve, por u garantojmë se pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve punimet do të fillojnë ashtu siç janë planifikuar.”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Lista “Më mirë për Tetovën” reagimin e komunës nuk e priti mirë, pasi siç thonë arsyeja që Komuna ka dhënë për ndërprerjen e punimeve nuk qëndron, pasi ata si listë këshilltares nuk kanë ndonjë post ekzekutiv në Komunën e Tetovës, edhe se nuk posedojnë mekanizmat për ndalimin apo vazhdimin e punimeve në qytet.

“Lista “Më mirë për Tetovën” nuk ka kërkuar ndalimin e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”, vendimi për ndalimin e punimeve është arbitrar dhe është vendim i njëanshëm i udhëheqësisë së Komunës së Tetovës.  Reagimi jonë i djeshëm ka të bëjë me shqetësimin e qytetarëve për dëmin që iu shkaktua ambientit dhe mënyrën jotransparente të punës. Shqetësimin tonë e shprehëm në mënyrë publike, dhe për hir të transparencës kërkuam sqarim. Udhëheqësia Komunale publikisht premtoi që do të ndalojë prerjen e panovojshme të pemëve dhe do të paraqes elaborat që arsyeton nevojën për prerjen e të tjerave. Kujtojmë opinionin e gjerë se udhëheqsia e re Komunale ishte betuar që ambienti, transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesorja për të cilat angazhohen. Mirëpo veprimi i djeshëm dhe ndërprerja arbitrare e punëve sot dëshmojnë të kundërtën. Ambienti është dëmtuar, deri më tani nuk është prezantuar elaborat për punën e paraparë, dhe askush nuk mban llogari për këtë”, thanë nga Më mirë për Tetovën.

Nga kjo listë kërkojnë nga Komuna e Tetovës të prezanzojë dëshmi ku ata kanë kërkuar ndërprerjen e punëve në rrugën “Strasho Pinxhur”.

Prerja e drunjve nuk u mirëprit mire as nga këshilltarët e opozitës në këshillin komunal, të cilët të gjithë kritikuan këtë veprim në rrjetet e tyre sociale. Por jo vetëm, kritika pati edhe nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile si “Eco Guelila”, “Nëna dhe Fëmija”, “Tetova do Park” dhe të tjera.

Dje kryetari i komunës, Bilall Kasami njoftoi se drunjtë do të zëvendësohen me fidane të reja, dhe se rruga do të bëhet me të gjitha standardet, duke përfshirë kanalizimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimin fekal dhe atmosferik, dhe për këtë sipas tij u desh të bëhej largimi i drunjve të vjetër dhe zëvendësimi me drunj të ri.

Ndryshe, punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”, një nga rrugët kryesore dhe në mes të Tetovës filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Bilall Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button