Kaevski: Shtetësia është ndërtuar mbi luftën antifashiste, VMRO-DPMNE përpiqej të ndryshonte historinë

Republika e Maqedonisë së Veriut, është ndërtuar mbi themelet e luftës antifashiste dhe është pjesë e identitetit tonë për të cilin jemi krenarë. Sot ne jemi një vend sovran, i pavarur me synim strategjik të përmbushur, anëtarësimin në NATO dhe kritere të përmbushura për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bisedimet me Bullgarinë duhet të zhvillohen me dinjitet dhe në frymën e vlerave evropiane. Fatkeqësisht, vizita e fundit e delegacionit nga Republika e Bullgarisë zgjoi shpirtrat e së shkuarës, duke ringjallur gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimin. Prandaj është i kuptueshëm zemërimi i qytetarëve në ditët e fundit, tha në konferencën e sotme për media, deputet dhe zëdhënës i LSDM-së, Darko Kaevski, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kaevskit, hipokrizia e VMRO-DPMNE-së nuk është e kuptueshme. Ishte kjo parti që gjatë regjimit 11-vjeçar ngriti figura dylli dhe u përpoq të rehabilitonte karakterin dhe veprën e Vanço Mihajlovit. VMRO-DPMNE shpenzoi qindra milionë euro për retushimin e historisë maqedonase dhe zhvlerësimin e kuptimit të Luftës Nacional Çlirimtare. Prandaj kjo parti në të cilën asgjë nuk ka ndryshuar nuk ka asnjë kredibilitet për të folur.

“Ne po vazhdojmë reformat në të gjitha fushat që do ta përgatisin vendin për anëtarësim të plotë në Union, por në të njëjtën kohë në negociatat me Bullgarinë do të mbrojmë plotësisht interesat kombëtare dhe shtetërore në përputhje me vijat tona të kuqe”, deklaroi Kaevski.

Ndërkohë, kreu i diplomacisë së Maqedonisë Bujar Osmani, vizitën e delegacionit bullgar në Manastir dhe emërtimin e klubit “Ivan Mihajlov”,në Manastir e cilësoi si provokim, nga disa prej tyre. “Mendoj se kemi bërë një vlerësim të mirë, treguam qartë me atë që nuk ishim aty, se është e papranueshme për ne, se kaloi pa incidente dhe të tregojmë se këtu nuk i rrezikohen të drejtat e askujt, tha Osmani.

Emërtimin e Klubit kulturor bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” provokim të qëllimshëm,e cilësoi edhe Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button