Dita 56: Ukraina e gatshme t’i lirojë të burgosurit rusë nëse lejohet evakuimi i sigurt nga Mariupoli

Rusia u dha luftëtarëve ukrainas në Mariupol ultimatum të ri për t’u dorëzuar të mërkurën, ndërsa shtynte për një fitore vendimtare në ofensivën e saj në lindje, ndërsa qeveritë perëndimore premtuan t’i jepnin Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake. Tani shpresohet në një arritje të marrëveshjes për hapjen e ndonjë korridori humanitar për evakuimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga ky qytet. Ukraina shpreson të dërgojë 90 autobusë në qytetin e rrethuar të mërkurën për të evakuuar rreth 6.000 gra, fëmijë dhe të moshuar, tha kryetari i qytetit në televizionin kombëtar. Vadym Boichenko thotë se shpreson që një marrëveshje paraprake me Rusinë për krijimin e një korridori të sigurt do të konfirmohet dhe respektohet, transmeton Portalb.mk.

22:57 – SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara më 20 prill njoftuan për rundin e ri të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sanksionet e reja kanë për shënjestër një bankë kyçe komerciale, Transkapitalbank, dhe “një rrjet global të më shumë se 40 individëve dhe entiteteve që udhëhiqen nga oligarku rus, Konstantin Malofeyev”.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se po shënjestron “kompanitë që operojnë në industrinë e monedhave virtuale së Rusisë, që raportohet se është industria e tretë më e madhe në botë”, duke theksuar se ka “shënjestruar një kompani të monedhës virtuale”. Kompania e sanksionuar është BitRiver, që merret me Bitcoin, dhe dhjetë filialet e saj në Rusi, transmeton REL.

Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur kufizime të vizave për “635 shtetas rusë, të cilët janë të përfshirë në shtypjen e disidencës në Rusi dhe jashtë saj, të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme që kërcënojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe kanë qenë të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut në burgje dhe në objekte jozyrtare paraburgimi në zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit.

Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit, ka vendosur kufizime të vizave edhe për tre zyrtarë rusë “të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe 17 individë që konsiderohen përgjegjës për minimin e demokracisë në Bjellorusi”, njoftoi Thesari amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj Rusisë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Në listën e sanksioneve amerikane është edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

18:40 – Ukraina e gatshme t’i lirojë të burgosurit rusë nëse lejohet evakuimi i sigurt nga Mariupoli

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm të lirojë të burgosurit rusë të luftës në këmbim të largimit të sigurt të civilëve dhe ushtarëve ukrainas nga Mariupoli, raportoi Sky News të mërkurën.

Sipas raporteve zyrtare ukrainase, rreth 100.000 njerëz vazhdojnë të mbesin të bllokuar në qytetin port jugor të Mariupolit. Zelensky ka thënë se situata në Mariupol po shkon duke u bërë më keq, pasi qindra njerëz atje janë të plagosur pa mundësinë për kujdes shëndetësor.

Presidenti ukrainas ka përmendur po ashtu rrethimin e fabrikës së çelikut “Azovstal”, duke thënë se besohet se 1.000 civilë kanë mbetur të bllokuar aty. Zelensky pretendoi gjithashtu se Kievi nuk ka parë apo dëgjuar për dokumentin që Kremlini thotë se ia ka dërguar Ukrainës në lidhje me bisedimet e paqes.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më herët të mërkurën, se Moska po pret përgjigje, pasi ia ka dorëzuar një dokument palës ukrainase.

15:30- Konashenkov: Forcat ruse vranë rreth 40 ushtarë ukrainas

Forcat ruse vranë rreth 40 ushtarë ukrainas dhe goditën mbi 1.000 objekte ushtarake ukrainase në operacionet e natës, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sulmet me raketa me precizitet të lartë vranë rreth 40 ushtarë ukrainas dhe shkatërruan shtatë njësi të pajisjeve ushtarake në Novovorontsovka dhe Kislevka”, tha zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov në një konferencë për media në Moskë.

Ai tha se Forcat Strategjike të Raketave goditën 1.053 objekte ushtarake, përfshirë 31 pika komandimi, 6 depo karburanti, 910 bastione dhe zona të përqendrimit të forcave njerëzore të armikut si dhe 106 pozicione të qitjes me artileri.

“Objektet tjera ushtarake ukrainase të shënjestruara gjatë natës përfshinin katër pika komandimi, katër depo municionesh, shtatë bastione dhe 57 zona të përqendrimit të forcave njerëzore të armikut dhe pajisjeve ushtarake ukrainase”, shtoi Konashenkov.

Sipas tij, gjashtë tanke ukrainase, nëntë automjete të blinduara dhe një bateri Msta-B u shkatërruan.

Ai tha se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjashtë mjete ajrore pa pilot dhe dy raketa taktike Tochka-U.

“Në total, që nga fillimi i operacionit ushtarak special, 140 avionë ukrainas, 496 mjete ajrore pa pilot, 253 sisteme raketore kundërajrore, 2388 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 256 raketahedhës me shumë tyta, 1029 artileri fushore dhe armë mortajash, si dhe 2232 automjete speciale ushtarake janë shkatërruar”, tha Konashenkov.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, numri i viktimave të civilëve në Ukrainë është rritur në 2.104 ndërsa 2.862 persona të tjerë janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.

15:20- Ukraina: Rusia duhet të dëgjojë thirrjen e OKB-së për t’i dhënë fund luftës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Rusia duhet të dëgjojë thirrjen “përfundoni luftën” të bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Në një postim nga Twitteri, Kuleba tha se “Rusia më në fund duhet të dëgjojë Sekretarin Përgjithshëm të OKB-së dhe t‘i japë fund luftës kundër Ukrainës ose të paktën të lejojë një pauzë humanitare”.

Duke vënë theksin se agresori dhe pushtuesi i vetëm në këtë luftë është Rusia, Kuleba tha se “Ukraina gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për të kërkuar paqe”.

15:15- OKB: Mbi 5 milionë persona u larguan nga Ukraina

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuar tha se numri i ukrainasve që janë larguar nga shteti i tyre, qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar, ka kaluar shifrën 5 milionë.

Kjo konsiderohet kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas të dhënave të publikuara më 20 prill nga agjencia për refugjatë e OKB-së, UNHCR, 5,034,439 ukrainas janë larguar nga vendi që prej nisjes së luftës më 24 shkurt.

OKB-ja tha se 90 për qind e atyre që janë larguar janë gra dhe fëmijë, pasi autoritetet në Kiev nuk lejojnë burrat e moshës së ushtrisë që të largohen nga shteti.

Më 5 prill, OKB-ja kishte thënë se afër 7.1 milionë persona ishin zhvendosur brenda Ukrainës për shkak të luftës.

Polonia, që ka pranuar 2.83 milionë refugjatë, konsiderohet si destinacioni kryesor i ukrainasve që kalojnë kufijtë shtetërorë. Një tjetër shtet i Bashkimit Evropian, Rumania, ka pranuar mbi 757,000 refugjatë.

Hungaria ka pranuar 471,000 refugjatë, ndërkaq Moldavia, që është një ndër shtetet më të varfra të Evropës, ka pranuar mbi 426,000 refugjatë.

Refugjatë nga Ukraina kanë pranuar edhe shtetet e tjera, përfshirë Sllovakinë, që kufizohet me Ukrainën. Ndërkaq, një numër më i vogël i ukrainasve – nën 24,000 persona – janë larguar për në Bjellorusi, aleaten kryesore të Rusisë.

14:15- Rusia vështirëson hyrjen e gazetarëve të huaj

Zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Yevgeny Ivanov, tha se shteti i tij nuk është duke planifikuar që të ndalojë gazetarët e huaj të hyjnë në Rusi por tha se po shtrëngohen rregullat e vizave për gazetarët nga “vendet jomiqësore”.

Yevgeny Ivanov i tha parlamentit se kjo ishte në përgjigje të lëvizjeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera për ta bërë më të vështirë për komunitetin e biznesit rus marrjen e vizave.

“Ne jemi përgjigjur duke e bërë më të vështirë për gazetarët nga vendet jomiqësore marrjen e vizave. Ata tani do të marrin vizë me një hyrje dhe do të paguajnë një tarifë më të lartë për vizë”, tha ai.

Rusia është duke u përballur me sanksione të rënda ekonomike që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.

BE-ja, SHBA dhe shtetet e tjera perëndimore i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si përgjigje ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Rusia vazhdimisht ka shpallur media si dhe gazetarë “agjentë të huaj” duke ua pamundësuar edhe operimin në rusi disave prej tyre.

13:15- Norvegjia i dërgon armë kundërajrore Ukrainës

Norvegjia i ka dhënë Ukrainës rreth 100 raketa kundërajrore Mistral të prodhimit francez, njoftoi qeveria norvegjeze të mërkurën më 20 prill.

Lëshuesit e raketave dhe raketat Mistral, të cilat tashmë janë dorëzuar, deri më tani ishin montuar në anijet e marinës norvegjeze, tha ministria e Mbrojtjes e këtij shteti në një deklaratë për media.

Mistral është një raketë tokë-ajër me rreze shumë të shkurtër veprimi. Mund të përdoret në automjete, anije dhe helikopterë.

Në një fjalim përmes videolidhjes në Parlamentin norvegjez në fund të marsit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kishte kërkuar Oslos raketa kundërajrore, megjithëse të tipit më modern “NASAMS” të prodhuar nga Kongsberg Defense dhe Aerospace e Norvegjisë.

“Raketa Mistral do të tërhiqet nga ushtria norvegjeze, por ajo është ende një armë moderne dhe efikase që do të jetë shumë e dobishme për Ukrainën”, tha në deklaratë ministri norvegjez i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.

“Vendet e tjera, gjithashtu, kanë dhuruar sisteme të ngjashme armësh”, tha ai.

Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, Norvegjia tashmë i ka ofruar Ukrainës rreth 4,000 armë kundërtank dhe pajisje të tjera më të vogla ushtarake.

12:14 – Kryeministrja daneze: Bëhuni më të gjelbër për të dobësuar Putinin

Danimarka do të ndalojë varësinë nga gazi natyror deri në vitin 2030, edhe pse kjo do të thotë se prodhimi do të rritet në afat të shkurtër, njoftoi qeveria daneze të martën në një konferencë shtypi.

Si pjesë e propozimeve në paketën e re të energjisë të quajtur “Danimarka mund të bëjë më shumë II” dhe e paraqitur të martën (19 prill), qeveria u zotua ta bëjë Danimarkën të pavarur nga gazi rus.

“Kur bëhemi më të gjelbër, ne dobësojmë Putinin. Dhe kur bëhemi më të gjelbër, ne ngadalësojmë ndryshimin e klimës që po shkatërron planetin tonë”, tha kryeministrja Mette Frederiksen.

Plani përfshin zhvillimin e më shumë energjis të gjelbër dhe më shumë biogaz. Në të njëjtën kohë, do të ketë një rritje të përkohshme të prodhimit të gazit natyror në Detin verior, të cilit Danimarka ishte zotuar më parë t’i jepte fund.

“Ne po e bëjmë këtë me sytë hapur,” tha Frederiksen, duke shtuar se “derisa prodhimi i gazit të gjelbër të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar nevojën për gaz, është bindja jonë e qartë se është më mirë të marrim gaz nga Deti verior sesa ta blejmë atë nga Putini”.

Sipas një marrëveshjeje paraprake, nxjerrja e naftës dhe gazit në Detin verior duhet të ndalet më së voni deri në vitin 2050 dhe qeveria nuk do ta ndryshojë këtë vendim, tha kryeministrja.

Megjithatë, partitë e tjera në folketingun danez duan që qeveria të bëjë më shumë.

“Ne mund dhe duhet të jemi të pavarur deri në fund të 2027. Kjo është tre vjet më herët nga sa propozon qeveria dhe do të jenë vite të rëndësishme si për klimën ashtu edhe për politikën e sigurisë”, tha Pia Olsen Dyhr, kryetare e Partisë popullore socialiste.

Një pyetje qendrore mbeti për partinë Social Liberale: “Si e imagjinon qeveria që ne të arrijmë të ndërtojmë kaq shumë energji diellore dhe të erës në tetë vitet e ardhshme”, pyeti nënkryetari Martin Lidegaard.

Të Gjelbrit, megjithatë, janë të shqetësuar për dëshirën për më shumë gaz nga Deti i Veriut, qoftë edhe i përkohshëm.

“Unë nuk besoj se kjo luftë e tmerrshme e Putinit duhet të rezultojë në hedhjen e ambicieve të gjelbra në bord, dhe kam frikë se do ta bëni nëse doni të nxirrni më shumë gaz fosil në mes të një krize klimatike”, zëdhënësja e partisë, Mai Villadsen.

11:24 – SHBA-ja: Ukraina ka pranuar avionë të tjerë ushtarakë për të përmirësuar flotën

Pentagoni njoftoi se Ukraina ka pranuar avionë shtesë ushtarakë dhe pjesë nga vendet e tjera për të zgjeruar flotën e saj përballë luftës së Rusisë.

“Unë vetëm do të thosha pa hyrë në atë se çka ofrojnë vendet e tjera se ata kanë pranuar platforma dhe pjesë shtesë për të qenë në gjendje të rrisin flotën e tyre”, tha zëdhënësi John Kirby në një konferencë për shtyp.

“Ata kanë pranuar avionë shtesë dhe pjesë avioni për t’i ndihmuar ata të kenë më shumë avionë në ajër”, shtoi ai.

Përveç kësaj, ai tha se ukrainasit gjithashtu pranuan mbështetje për t’i “bërë përsëri më operativ disa nga avionët e tyre me krahë fiks”.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë për Ukrainën pasi Rusia u zhvendos drejt lindjes së vendit.

Të paktën 2.104 civilë janë vrarë dhe 2.862 janë plagosur në Ukrainë deri më tani në luftën që filloi më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë.

11:09 – Rusia u dha ultimatum të ri ushtarëve ukrainas në Mariupol

Në një fjalim drejtuar vendit të tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nëse Ukraina do të kishte qasje në armë më të mira “të krahasueshme me ato të përdorura nga Rusia, ne tashmë do ta kishim përfunduar këtë luftë”.

Presidenti Zelensky tha se “është e padrejtë që Ukraina është ende e detyruar të kërkojë atë që partnerët e saj kanë ruajtur prej vitesh”.

Ai tha se nëse vendet perëndrimore kanë armët dhe municionet që i duhen Ukrainës, “është detyra e tyre morale të ndihmojnë në mbrojtjen e lirisë, për të shpëtuar jetën e mijëra ukrainasve”, raporton BBC.

Zelensky shtoi më tej se nëse vendi i tij merr armët që i janë premtuar në javët e ardhshme, do të shpëtohet jeta e mijëra njerëzve.

Presidenti Zelensky shtoi se intensiteti i të sulmeve ruse në Harkiv në Donbas dhe në rajonin e Dnipropetrovsk është rritur, madje duke synuar strukturat civile.

“Fati i dhjetëramijëra banorëve të Mariupolit që u zhvendosën në territoret e kontrolluara nga Rusia nuk dihet”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes u ka dhënë luftëtarëve ukrainas, të cilët ndodhen në një kompleks industrial në qytetin e rrethuar të Mariupolit, një ultimatum të ri për t’i dorëzuar armët.

“Forcat e armatosura ruse, të bazuara thjesht në parimet humanitare, propozojnë sërish që luftëtarët e batalioneve nacionaliste dhe mercenarët e huaj të ndërpresin operacionet e tyre ushtarake nga 14.00 me orën e Moskës më 20 prill dhe të dorëzojnë armët”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.

Asnjë ushtar i vetëm ukrainas nuk pranoi këtë thirrje të martën, tha ministria në një deklaratë.

Luftëtarët e mbështetur nga Rusia thuhet se po përpiqen të sulmojnë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku thuhet se po qëndrojnë trupat ukrainase dhe civilët.

Në një postim në Telegram, Këshilli Bashkiak i Mariupolit tha se pavarësisht avantazhit të trupave të shumta ruse në qytet, ata ende nuk kanë mundur të marrin Mariupolin dhe kështu “ata duan të rrafshojnë” fabrikën e çelikut.

Më tej u tha se Rusia nuk ndali ofensivën pavarësisht faktit që civilët po strehohen gjithashtu në atë kompleks.

Gjatë se martës dhe mëngjesin e së mërkurës së 20 prillit, në shumë lokacione të Ukrainës kanë vazhduar luftimet.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ukrainase ka njoftuar se trupat ukrainase deri më tani kanë mbajtur vijën kundër një ofensive të gjerë ruse në lindje të vendit dhe në disa vende kanë thënë se kanë kundërsulmuar me sukses.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca dhe Gjermania premtuan më shumë mbështetje për Ukrainën pasi udhëheqësit e këtyre shteteve zhvilluan një telefonatë të përbashkët.

“Ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë atyre më shumë municion, pasi do t’u ofrojmë më shumë ndihmë ushtarake”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, duke shtuar se sanksionet e reja po përgatiteshin gjithashtu.

Artileria do të jetë në raundin tjetër të armëve amerikane të dërguara në Ukrainë, u tha gazetarëve presidenti Joe Biden.

Kryeministri britanik, Boris Johnson u tha ligjvënësve se lufta “do të bëhet një konflikt artilerie”, që do të thotë se Ukraina do të ketë nevojë për më shumë artileri.

“Kjo është ajo që ne do t’u japim atyre… përveç shumë formave të tjera të mbështetjes”, tha Johnson.

Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi se Berlini do të financojë dërgesat direkte të armëve nga industria gjermane.

Ai tha se armët antitank, pajisjet e mbrojtjes ajrore, municionet dhe pajisjet që mund të përdoren “në një angazhim artilerie” ishin ndër armët që mund të dërgohen nga Gjermania në Ukrainë.

Pas dështimit për të pushtuar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha dhe strategjike në luftën e saj gati tetë-javore, Moska tani thotë se qëllimi i saj është të pushtojë në tërësi provincat Donetsk dhe Luhansk, të cilat kanë qenë në fokus të separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.

09:54 – OKB: Mbi 12 milionë njerëz janë zhvendosur në Ukrainë

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se për shkak të luftës që Rusia ka filluar ndaj Ukrainës mbi 12 milionë njerëz janë zhvendosur, kurse rreth 5 milionë e këtyre janë refugjatë në shtetet fqinje.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) Antonio Vitorino, në brifingun e tij në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, tha se mbi 12 milionë njerëz në Ukrainë janë zhvendosur për shkak të luftës.

Ai duke tërhequr vëmendje se nevojat psikologjike të të rriturve dhe fëmijëve do të rriten me rritjen e sulmeve të Rusisë në Ukrainë, Vitorino tha gjithashtu se gratë dhe fëmijët duhet të mbrohen nga trafikimi i qenieve njerëzore, abuzimi dhe dhuna seksuale.

Sipas Vitorino, më shumë se gjysma e fëmijëve në Ukrainë janë të zhvendosur, ndërsa u bëri thirrje vendeve që presin fëmijët ukrainas, për ndihmë në identifikimin e të miturve të pashoqëruar dhe ribashkimin e tyre me familjet dhe të afërmit e tyre.

Ai kërkoi që t’i jepet fund diskriminimit nda refugjatëve, duke theksuar se është e papranueshme diskriminimi në bazë të racës, etnisë, kombësisë apo statusit të refugjatit.

Ndërsa zyrtarja e Komisionerit të Lartë për Refugjatët të OKB-së (UNHCR), Kelly Clements, ka konfrimuar se numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në rreth 5 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button