fbpx

Arbëresha Korça: Të mos reagosh apo të bëhesh turmë kur dikush bullizohet, është bullizëm

Bullizmi në vete është një fenomen social por që ka pasoja psikologjike. Kur themi “bullizëm” kemi parasysh sjellje të përsëritura të dëmshme dhe agresive ndaj një individi nga një grup personash ose dhe një i vetëm sidomos në prani të të tjerëve. Këto sjellje mund të përfshijnë ngacmimet verbale, gjestet fyese, presionin dhe në rastet më të rënda edhe dhunën fizike. Sot për Portalb.mk flet psikologja Arbëresha Korça për ndikimin, pasojën dhe parandalimin e bullizmit.

Kemi disa forma të bullizimit si: bullizmi verbal (fyejmë dikë me fjalë ofenduese), fizik (sulm dhe goditje fizike ndaj viktimës), social (përbuzja dhe përjashtim i detyruar i viktimës nga një grup i caktuar) si dhe një nga format më të përhapura të bullizmit që është bullizmi elektronik ose kibernetik (ngacmime të përsëritura ofenduese, kërcënuese që i bëhen një personi në formë elektronike si telefon, kompjuter dhe rrjete sociale kryesisht).

“Një person që bie pre e bullizmit sigurisht që shfaq pasoja psiko-emocionale nga më të ndryshmet si frikë, ankth, mungesë vetëbesimi, mbyllje në vete, depresion madje në disa raste edhe dëshirë për të lënduar veten, sidomos nëse marrim parasysh që një pjesë e konsiderueshme e viktimave të bullizmit janë në moshë minorene dhe nuk kanë pjekurinë e duhur emocionale për ta përballuar. Këto pasoja mund t’i shoqërojnë edhe gjatë gjithë jetës nëse nuk marrin mbështetjen dhe trajtimin e duhur. Por, është shumë e rëndësishme që të theksojmë se jo vetëm viktima por edhe agresori ose personi që ushtron bullizimin është viktimë e një sërë problematikash që e kanë shtyrë drejt asaj sjellje.”  u shpreh Arbërsha Korça.

Historikisht. thotë Korça është vënë re që një person i cili bullizon ka ndjenja te theksuara inferioriteti të cilat kërkon t’i fshehë duke sulmuar dikë tjetër më të dobët në pamje të parë, sidomos kur është përpara një grup të caktuar njerëzish para të cilëve do shfaqë “forcën” e tij kundrejt viktimës.

“Personat që bullizojnë zakonisht rriten në ambiente familjare jo të shëndetshme, ku mund të ketë dhunë, ofendime, nënvlerësime. Nëse flasim për trajtim të dy palët kanë nevojë për përkrahje dhe trajtim por, nëse te viktimat merremi me pasojat që përmendëm më sipër, te bullizuesi problemi është më i thellë sepse fillon që në fëmijëri brenda familjes apo ambientit ku ai është rritur.” tha Korça.

Psikologja Arbëresha Korça gjithashtu theksoi që te një person që bullizon pavarësisht arsyeve të ndryshme empatia është e dobësuar dhe e kanë të vështirë të kuptojnë se sjelljet dhe veprimet e tyre, janë të gabuara dhe nuk arrijnë të kuptojnë lehtë se si ndjehen realisht viktimat e tyre si pasojë e dhunimit që ata ju bëjnë. Në thelb, psikologja thotë se ata kanë nivel të lartë të inferioritetit dhe palumturisë në marrëdhënie me veten, familjen apo dhe ambientin që i rrethon dhe duke sulmuar një person tjetër që mund te jetë më i dobët ose i pambrojtur i bën ata që të plotësojnë boshllëqet e veta dhe të ndihen më superior ndaj viktimës, sidomos në rastet kur përkrahen dhe nga të tjerët si p.sh. moshatarët e tyre.

“Kur e drejtojmë gishtin nga vetja mbase një pjesë e madhe e jona jemi të bindur që nuk kemi qenë ndonjëherë bullizues ndaj dikujt, pra të kemi pasur një sjellje të përsëritur ofenduese ose agresive ndaj dikujt. Por, të mos ndërhysh në momentin kur dikush tjetër po bullizohet, të bëhesh pjesë e turmës që po sulmon apo qesh, t’u japësh vëmendje komenteve fyese ndaj dikujt si në rastin e bullizimit elektronik, është në vete një lloj bullizmi dhe njihet si “bullizëm pasiv”.” theksoi Arbëresha Korça.

Sipas psikologes, bullizmi pasiv është ai që motivon më shumë agresorin sepse një person që bullizon pa vëmendjen e të tjerëve humb “forcën” e tij. Nëse kjo nuk ndihmon në eliminimin total të këtyre sjelljeve, është e sigurt që do jenë në nivele më të ulëta. Prandaj, ajo thotë se është shumë e rëndësishme që t’i ofrojmë ndihmën dhe përkrahjen tonë duke i dhëne mundësinë për tu shprehur, dukë bashkëpunuar me familjet sidomos në rastet e moshave më të reja, duke i drejtuar në profesionist, duke i informuar rreth këtyre çështjeve. Më e rëndësishmja është që të mos heshtim ndaj këtij fenomeni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button