Reportazh nga Dolni Vitkovice: Nga një fabrikë e braktisur në një qendër kreative të artit dhe edukimit (FOTO)

Transformimi dhe përshtatja e komplekseve industriale të braktisura në Shkup për momentin mbeten vetëm në letër si ide e publikut profesional dhe iniciativave qytetare se si të shfrytëzohet hapësira e braktisur në të mirë të mbarë shoqërisë. Me përjashtim të shndërrimit të ish-magazinës së ARM-së në Qendër për Dizajn dhe Inovacion “Dhoma Publike” e realizuar në vitin 2015, lokacionet industriale të braktisura në kryeqytet janë rrethuar, lënë pas dore ose në rastin më të mirë janë kthyer në qendra distributive të kompanive private, raporton Meta.mk.

Fabrika e xhamit në Shkup, fabrika e mobileve “Treska”, “Kuprom” janë vetëm një pjesë e lokacioneve që ndodhen në zemrën e qytetit dhe mund të shndërrohen në bërthama kreative të Shkupit. Para disa vitesh është përgatitur një temë masteri për shndërrimin e fabrikës “Kuprom”, ndërsa shoqata “Jehona Kulturore” përmes nismës “Mundësi të Braktisura” ka hartuar objekte të tilla në të gjithë vendin.

Meta.mk vizitoi lokacionin Dolni Vitkovice në qytetin çek të Ostravës, ku deri në vitin 1998 prodhimi industrial zhvillohej në një nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Evropë, ndërsa deri në fillim të viteve 90-të qymyri nxirrej nga minierat vendore. Shteti çek fillimisht e shpalli këtë zonë trashëgimi industriale kombëtare, kurse në vitin 2008 u shpall trashëgimi kulturore evropiane.

Ngjashëm me debatet e shumta në Shkup, mbyllja e kompleksit industrial çoi në braktisjen e plotë të Dolni Vitkovices në periudhën pas vitit 1998. Publiku çek pati një debat se çfarë duhet të bëhet më pas me sipërfaqen e madhe ku ndodhej miniera dhe uzina e çelikut; ashtu që një pjesë e publikut mendonte se kompleksi industrial duhet të prishet. Vërtet, një pjesë e Vitkovicës sot është shndërruar në një kompleks banesor-afarist me qendër tregtare, ngjashëm me synimet e investitorëve në Shkup për të rrënuar fabrikat e mbyllura këtu.

Megjithatë, Ostrava mori titullin e qytetit industrial në 1835, kur filluan minierat e para të qymyrit në periferi të qytetit, një e kaluar e lavdishme për të cilën qyteti krenohet edhe sot.

Për të arritur në Dolni Vitkovice nga qendra e Ostravës, duhen të paktën 30 minuta në këmbë dhe shumë përpjekje për të zotëruar hartat në të gjithë lokalitetin, i cili po pëson një lloj transformimi deri më sot. Megjithatë, e gjithë kjo nuk është problem për banorët e qytetit dhe për vizitorët e tij në numër të madh që të drejtohen në këtë lokacion.

Ka të paktën 13 vende që mund të vizitohen në qendrën e sotme kreative, duke përfshirë Kullën Bolt si ish-furrë e lartë e çelikut, Qendrën e Shkencës dhe Teknologjisë me katër ekspozita të përhershme dhe një sallë kinemaje, ekspozitën U6 për Zhvillimin e Teknologjisë, Qendrën Multifunksionale Gong , Muzeu i Minierave, Heligonka, Akademia Kreative, Qendra Artificiale e Ngjitjes në Shkëmbinj dhe Muzeu i Bujqësisë në Ostrava.

This slideshow requires JavaScript.

Dolni Vitkovice sot ka një hotel, disa kafene, bistro, restorant dhe mundësi për organizim të koncerteve, ahengjeve, aktiviteteve sportive dhe edukative. Krahas kësaj, 18 godinat e ndryshme ofrojnë mundësi për organizim të ekspozitave, shfaqjeve të kinemasë dhe në kuadër të këtij kompleksi janë edhe studiot muzikore dhe të artit. Vetëm në vitin 2016, Dolni Vitkovice e kanë vizituar mbi 1,3 milion njerëz.

Nga sa vumë re gjatë vizitës në vend, të rinjtë janë më të interesuar për Dolni Vitkovice. Përveçse është vendi i tyre i preferuar për kafe dhe argëtim, brenda kompleksit ata janë audienca kryesore e ngjarjeve të shumta kulturore. Një shëtitje nëpër ndërtesat e mëparshme industriale është atraksion i vërtetë për njerëzit të cilët kurrë më parë nuk kanë qenë në kontakt me industrinë.

Disa nga ndërtesat industriale ruhen në dizajnin origjinal, disi të “ngrira” në momentet e prodhimit të vazhdueshëm të çelikut dhe qymyrit. Si të ruajtura në mënyrë autentike, këto ndërtesa janë një përkujtues i vërtetë e qytetit të Ostravës dhe vendbanimeve përreth, për të kaluarën e tyre të lavdishme industriale.

Në të kundërt, pjesa tjetër e ndërtesave janë ripërshtatur brenda ose jashtë dhe janë shndërruar në funksione dhe përdorime të reja, gjë që ka mundësuar Dolni Vitkovice të rritet në një qendër kreative. Përveç shtetit çek, në zhvillimin e kompleksit ka investuar edhe Bashkimi Evropian.

Transformimi dhe përshtatja e ndërtesave të ndryshme industriale në kompleks në vitet e fundit ka fituar çmime të shumta arkitekturore jo vetëm në Republikën Çeke, por edhe ndërkombëtarisht.

Komplekset industriale në Ostravë janë krejtësisht unike edhe në kontekst ndërkombëtar, sepse ato në një vend përfshijnë minierat e qymyrit, impiantet e koksit dhe furrat e shpërthimit, që është teknologji e plotë dhe e koncentruar për prodhimin e hekurit me bazë antraciti. Trashëgimia industriale e Ostravës është pjesë integrale e imazhit të kësaj qendre administrative rajonale. Është dokument historik i zhvillimit ekonomik të Ostravës, që gjatë shekujve të dytë dhe të 20-të, nga një qytet i cili ngecte, i rrethuar me unazë fshatrash satelitorë dhe koloni të reja minerare u shndërrua në qytet të madh industrial”, thuhet në përshkrimin e UNESCO-s për këtë kompleks industrial që Republika Çeke dëshiron ta shtojë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2001.

Shembulli i Dolni Vitkovice në Ostravë tregon se shteti në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, sektorin privat, institucionet arsimore dhe kulturore dhe iniciativat qytetare, nëse dëshiron, mund të realizojë një shembull të suksesshëm të transformimit të hapësirave të braktisura industriale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button