Kuçuk: Bullgaria duhet ta rishikojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut

Sofja duhet ta rishikojë qëndrimin e saj për Shkupin, konsideron eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit mund të kontribuojë vetëm që Bullgaria dhe i gjithë rajoni të ndjehen më të sigurt, veçanërisht në një situatë të konfliktit ushtarak në kontinentin evropian.

“Interesi strategjik i Bullgarisë është të kufizohet me vende demokratike që mund të ofrojnë hapësirë ​​për siguri, prosperitet dhe mundësi. Gjithmonë në mënyrë tendencioze iu jepet zë njerëzve që duan që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Politikat duhet të ndërtohen për një periudhë pak më të gjatë kohore. Nëse shikojmë nga ky prizëm i marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit, më duket se do të gjejmë argumente shumë më serioze që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Kuçuk në një deklaratë për Radion Kombëtare bullgare, raporton MIA.

Është shumë e vështirë, thekson eurodeputeti bullgar, t’u shpjegosh partnerëve evropianë arsyet e ndalimit të rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht pasi nga Bullgaria doli ideja për zgjerimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Për raportuesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, garancitë evropiane janë e vetmja zgjidhje për çështjet e hapura, raporton BNR.

Kohëve të fundit, zyrtarët bullgar kanë përsëritur qëndrimin se Bullgaria mbetet në të njëjtën linjë, përkatësisht se nuk e ka ndërmend të heqë veton ndaj Maqedonisë, derisa të plotësohen kërkesat e palës bullgare.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button