Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’ia heqë kompetencat komunës Sveti Nikole për deponinë rajonale në Meçkuevci

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) e ka filluar procedurën për heqjen e kompetencave të Komunës Sveti Nikole lidhur me projektin për ndërtimin e deponisë rajonale në rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor. Komuna nuk do të ketë kompetenca, por do të ketë përfaqësues në shoqërinë e re rajonale, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Heqja e kompetencave do të jetë vetëm në pjesën e funksionimit të ndërmarrjes rajonale të shërbimeve komunale për menaxhimin me deponinë e ardhshme. Dy banorë të Sveti Nikollës do të emërohen nga Ministria për përfaqësues në ndërmarrjen e re komunale.

Ky hap i pushtetit qendror vjen pasi Këshilli i Komunës Sveti Nikole më 25 shkurt të këtij viti vendosi që deponia rajonale të zhvendoset nga fshati Meçkuevci. Vendimi vjen pasi kryetari i komunës së Sveti Nikollës, Dejan Vlladev, disa herë e ka përsëritur se ishte kundër ndërtimit të fabrikës moderne për mbeturina për dy rajonet e planifikimit, afër fshatit Meçkuevci, dhe kërcënoi se do të thërriste një referendum në Sveti Nikole nëse qeveria vendos të hiqen kompetencat e komunës në lidhje me deponinë.

Komuna Sveti Nikole fillimisht e ka vonuar emërimin e anëtarëve të saj në strukturën menaxhuese të ndërmarrjes publike ndër-rajonale për mbeturina “EKO LINDJE-VERILINDJE”. Funksionalizimi i plotë i kësaj kompanie është kusht nga Bashkimi Evropian për shpalljen e tenderit për ndërtimin e deponisë rajonale në afërsi të fshatit Meçkuevci. Për shkak të kësaj vonese, shpallja e tenderit është shtyrë nga viti i kaluar për fillim të këtij viti.

Kryesia e re komunale në Sveti Nikole, e cila u zgjodh në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, mbajti qëndrim të hapur negativ kundër ndërtimit të deponisë rajonale, për të cilën tashmë janë siguruar mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian. Të gjitha autoritetet e tjera lokale nga Rajoni i Planifikimit Lindor dhe Verilindor pajtohen për ndërtimin e deponisë komunale, kurse me paratë e BE-së të gjitha komunat tashmë kanë marrë kontejnerë për grumbullimin e mbeturinave, kamionë transportues dhe pajisje të tjera moderne.

Së bashku me ndërtimin e deponisë rajonale afër Meçkuevcit, procedura për pastrimin e të gjitha deponive komunale jo standarde dhe deponive të mbeturinave në rajonin e planifikimit lindor dhe verilindor, të cilat aktualisht paraqesin rrezik për mjedisin në secilën nga 18 komunat në pjesën lindore të vendit. Për shkak të mospajtimit të Komunës Sveti Nikole, pastrimi dhe rikultivimi i lokacioneve është shtyrë.

Ndryshe, në afërsi të fshatit Meçkuevc,i në Ovçe Pole duhet të ndërtohet deponia e parë moderne sipas standardeve të BE-së në Maqedoni. Ajo duhet t’u shërbejë rreth 370.000 banorëve dhe do të ketë kapacitet total për të pranuar 900.000 metër kub mbetje.

Për Komunën Sveti Nikole është e rëndësishme që me ndërtimin e fabrikës së re të mbeturinave do të mbyllet deponia ekzistuese jo standarde në këtë qytet, e cila digjet dhe e ndot ajrin e tokën për shkak të mbeturinave të depozituara në mënyrë jo të duhur. Njëkohësisht, në lokacionin e ri në Meçkuevci, do të ndërtohen impiante të veçanta për trajtimin e mbeturinave, që nënkupton paratrajtim mekanik në mbeturina të copëtuara, përpunim të metaleve me ngjyrë dhe skrining, kompostim të fraksionit të lagësht, rafinim dhe maturim.

Në deponinë e ardhshme rajonale në Sveti Nikole do të ketë një fabrikë të posaçme për ndarjen e mbeturinave të letrës, plastikës, qelqit dhe metalit, në të cilën materiali do të riciklohet. Në këtë lokacion do të duhet të ketë fabrikë të vogël për kompostimin e mbeturinave të perimeve nga kopshtet serë.

Kjo praktikisht do të thotë se Maqedonia për herë të parë do të fitojë fabrikë moderne të mbeturinave, në të cilën vetëm një përqindje e caktuar e mbeturinave të grumbulluara do të hidhet në vend, ndërsa pjesa tjetër e mbeturinave të përzgjedhura do të kalojë në proces të përpunimit.

Bashkimi Evropian e vlerëson krijimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave si një nga prioritetet kombëtare në procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Vendi pranon çdo vit kritika nga Komisioni Evropian në Raportin për Progresin e Reformës për realizimin e ngadaltë të deponive rajonale, të cilat, si rregull, prej vitesh janë të bllokuara nga komunat ku planifikohet ndërtimi i tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button