Tmerri i propagandës apo kur të vdekurit ringjallen

Dezinformatat për pushtimin ushtarak rus të Ukrainës kanë çuar në ndarje të tilla të popullatës në Maqedoni, veçanërisht atyre që informohen kryesisht nga rrjetet sociale, nga e cila tani po zhvillohet një debat online nëse ka vërtet atje luftë dhe po vuajnë civilët apo bëhet fjalë për një produksion holivudian me qëllim shkatërrimin e Rusisë.

Autor: Goran Rizaov

Në kohën kur në Ukrainë po shpërthen konflikti më i madh ushtarak në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, në hapësirën online maqedonase, sidomos në rrjetet sociale po përhapet një propagandë ruse se e gjithë kjo është vetëm një film i keq.

Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në këtë luftë të pakuptimtë deri më tani kanë humbur jetën 1,793 civilë. Kjo shifër nuk përfshin të dhënat për viktimat e civilëve në Mariupol, Izium, Popsana dhe Borodyanka. Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, deri më 10 prill, janë vrarë 176 fëmijë, kurse 336 të tjerë janë plagosur.

Kjo nuk është një statistikë e thjeshtë. Këta janë njerëz të vërtetë, burra, gra dhe fëmijë, të cilët kanë humbur jetët e tyre.

Përkundër kësaj, një nga postimet më virale në rrjetet sociale në 10 ditët e fundit, jo vetëm në Maqedoni por duket në të gjithë rajonin, janë ato në të cilat thuhet se të vdekurit në Buça po “ringjallen”. Thuhet se është një film lufte me regji të dobët, në të cilin aktorët punësohen për të aktruar të vdekur në rrugë në periferi të Kievit, dhe aktrimi është aq i keq sa ata nuk mund të presin as të kalojë kamera, ndaj ngrihen para kohe.

Videoja, e cila dyshohet se tregon “të vdekurit duke u ngritur”, u postua fillimisht në rrjetet sociale më 3 prill dhe më pas u shpërnda, u komentua dhe u shkarkua mijëra herë nga disa media vendase. Ky pretendim është publikuar në disa media serbe, duke përfshirë edhe proqeveritar rus informer.rs, dhe natyrisht që është shpërndarë edhe nga makineria e propagandës shtetërore ruse. Në vendin tonë video është publikuar nga disa media, por edhe nga të ashtuquajturit “Influencers” në rrjetet sociale ku ka marrë një shikueshmëri të madhe.

Shërbimet për verifikimin e fakteve, duke përfshirë edhe nënshkruesin e vetëm të Kodit të Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve në Maqedoni, Vërtetmatësi, e hodhën poshtë këtë pretendim, ashtu siç e hodhi poshtë edhe Deutsche Welle dhe disa organizata të tjera mediatike ndërkombëtare. Por gënjeshtra e madhe ishte tashmë e përhapur dhe shumë e besuan atë. Madje ende po e besojnë.

Gjenocidi në Ukrainë

Moska zyrtare, si shumë herë më parë, i hodhi poshtë akuzat për krime lufte si të inskenuara dhe i quajti ato një histeri të Perëndimit. Por, akuza të tilla të ngjashme për histerinë e Perëndimit ka pasur edhe më parë. Natyrisht, ato kishin rezultuar plotësisht të pabaza. Kështu, shumë kohë përpara se të ndodhte pushtimi, paralajmërimet se Rusia do të pushtonte Ukrainën u quajtën gjithashtu histeri nga Perëndimi. Por rezultoi një histeri e saktë.

Në fakt, pothuajse si rregull, e vërteta është pikërisht e kundërta e asaj që pretendon Moska zyrtare.

Kështu, para pushtimit, Moska, përfshirë Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, pretendonte se në rajonin e Donbasit po ndodhte gjenocid mbi popullsinë ruse. Ky gjenocid i supozuar ishte një nga arsyet kryesore për sulmin ndaj Ukrainës. Edhe pse është e pamohueshme që ka viktima nga të dyja palët në luftën e Donbasit, si nga pala ukrainase ashtu edhe nga pala ruse, madje edhe indikacione për krime lufte, asnjë provë e gjenocidit nuk ishte publikuar.

Zbulimi i masakrës së Buçës tregoi se megjithatë është ende e mundur që në Ukrainë të ndodhë gjenocid, por ndaj ukrainasve.

Çfarë do të thotë gjenocid? Kjo është forma më e rëndë e krimit kundër njerëzimit. Përkufizohet si shfarosja masive e një grupi të caktuar njerëzish – për shembull, vrasja e gjashtë milionë hebrenjve në Holokaustin e Luftës së Dytë Botërore.

Konventa e OKB-së për Gjenocidin e përkufizon atë si “shkatërrim i qëllimshëm, tërësisht ose pjesërisht, i një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar”:

  • Vrasja e anëtarëve të grupit;
  • Shkaktimi i lëndimeve të rënda fizike ose mendore të anëtarëve të grupit;
  • Minim i qëllimshëm i kushteve të jetesës së grupit, për të çuar në shkatërrimin fizik të plotë ose të pjesshëm të tij;
  • Marrja e masave për parandalimin e lindjeve brenda grupit;
  • Transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në një tjetër grup.

Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën?

Edhe pse nuk ka konsensus se Rusia po kryen gjenocid kundër ukrainasve, ka indikacione të forta për këtë. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, Eugene Finkel i tha BBC-së se kishte prova që njerëzit u vranë në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë vetëm për faktin sepse ishin ukrainas.

“Nuk është vetëm vrasja e njerëzve, por synimi ndaj një grupi me një identitet të caktuar kombëtar,” tha ai.

Për Finkel, ajo që konfirmon qëllimin gjenocidal është retorika që përhapet nga Moska. Ai iu referua një artikulli të titulluar „Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën“ të botuar së fundmi nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.

Artikulli pretendon se është e pamundur që Ukraina të mbijetojë si shtet kombëtar, madje as emri i saj nuk mund të ruhet. Elita nacionaliste ukrainase “duhet të likuidohet, riedukimi i saj është i pamundur”, shkruan autori i tekstit Timofey Sergeytsev.

Teoria e tij bazohet në narrativën e dezinformimit (gjithashtu e përgënjeshtruar gjerësisht) se Ukraina është një shtet nazist dhe se shumica e popullsisë është fajtore sepse janë “nazistë pasivë”, respektivisht bashkëpunëtorë. Pas fitores së Rusisë, këta njerëz duhej të riedukoheshin dhe kjo “do të thoshte në mënyrë të pashmangshme de-ukrainizimin”.

“Për mua, ndryshimi në tonin e Rusisë në javët e fundit, veçanërisht në mesin e elitave, ka qenë një pikë kthese që ne e quajmë pragu i qëllimit, jo vetëm për të shkatërruar shtetin … por për të shkatërruar identitetin,” tha profesor Finkel në një deklaratë për BBC.

“Qëllimi i luftës është de-ukrainizimi… ata nuk fokusohen te shteti, por fokusohen te ukrainasit,” shtoi ai.

Media të pafuqishme  dezinformata të fuqishme

Më shumë se një javë pas masakrës së Buçës, mediat botërore po publikojnë ende dëshmitë e të mbijetuarve të brutalitetit të pabesueshëm me të cilin u vranë banorët e qytetit.

Për shkak se Rusia vendosi censurë të ashpër në fillim të luftës dhe detyroi të gjitha mediat e pavarura të ndalonin publikimin e informacionit, ishte e qartë se detaje të tilla nuk mund të gjendeshin në mediat ruse. Megjithatë, shqetësues është fakti që shumë nga mediat në Maqedoni shmangin të shkruajnë për këtë.

Për më tepër, teoria e filmit të keq të Hollivudit, ose akuzat e pakuptimta se vetë ukrainasit vranë banorët e periferisë së Kievit, fituan popullaritet në disa redaksi vendase. Media serioze, madje dhe gazetarë të njohur me përvojë shumëvjeçare aluduan për të vërtetën e kësaj narrative dezinformuese.

Dezinformata dhe spin-e të tilla notojnë në sipërfaqen e detit në mijëra lajme që publikohen në bazë ditore. Në kontradiktën e vërshimit të përbashkët të lajmeve për lexuesin e zakonshëm është e vështirë të dallosh të vërtetën nga e pavërteta. Në fund të fundit, përfundojmë në një situatë ku publiku thjesht nuk i beson askujt.

Në “tregun” mediatik në Maqedoni, qindra redaksi të vogla me disa gazetarë po përpiqen të mbijetojnë, duke luftuar për po aq klikime dhe të paktën një pjesë të vogël të tortës së vogël që quhet reklama në media. Shumë redaktorë do të postonin çdo gjë që do t’u sillte më shumë klikime gjatë ditës. Media të tjera po i luten hapur qeverisë për ndihmë direkte financiare. Kjo situatë është shumë e njohur për qendrat e pushtetit nga ku përhapen dhe keqpërdoren rregullisht narrativat dezinformuese.

Kështu, burimet e dezinformatave zakonisht vendosen të publikohen përmes rrjeteve sociale dhe përmes mediave jo të besueshme apo portaleve online. Shpesh dezinformata të tilla në pamje të parë duken mjaft reale dhe janë materiale të gatshme që mund të merren nga disa prej të ashtuquajturave media “mainstream” sepse padyshim që tërheqin shumë vëmendje në rrjetet sociale. Disa redaktorë zgjedhin të mos kontrollojnë fare informacionin, por thjesht ta shkarkojnë tekstin sa më shpejt të jetë e mundur. Në fakt, ajo që quhet verifikim faktesh duhet të jetë rutina e përditshme e gazetarëve dhe redaktorëve përpara se të publikojnë ndonjë gjë. Gara me kohën dhe beteja për klikime nuk duhet të jenë kurrsesi prioritet i gazetarisë.

Sigurisht, verifikimi i fakteve është një nga elementët më të rëndësishëm në luftën kundër dezinformatave, por nuk është i vetmi. Krahas edukimit dhe punës për rritjen e nivelit të edukimit mediatik, në këtë betejë duhet të përfshihen aktivisht të gjitha mediat profesionale dhe organizatat mediatike. Vetëm në këtë mënyrë mund të minimizojmë ndikimin e këtyre narrativave të frikshme dhe konstruksioneve të çmendura.

Aq më tepër për faktin se në Maqedoni është e paligjshme minimizimi, justifikimi dhe promovimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit. Në të njëjtën kohë, vetë fakti që një rezolutë e Kombeve të Bashkuara dënon agresionin rus ofron një bazë shtesë për procedurat ligjore në nivele të ndryshme dhe madje edhe për fillimin e hetimeve. Për këtë tashmë ka pasur edhe një paralajmërim nga prokuroria.

Neni 407a i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës, parashikon dënimin nga një deri në pesë vjet burg për autorët e kësaj vepre penale.

“Nëse mohimi, minimizimi, miratimi ose justifikimi bëhet me qëllim të nxitjes së urrejtjes, diskriminimit ose dhunës ndaj një personi ose grupi personash për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike ose racore ose fetare, autori i veprës penale dënohet me dënim me burgim prej të paktën katër vjet”, thuhet më tej në këtë nen të Kodit Penal.

Sado keqtë tingëllojë, sigurisht që do të ishte një lehtësim i madh për viktimat e masakrës së Buçës dhe familjet e tyre nëse e gjithë kjo do të ishte me të vërtetë vetëm një prodhim hollivudian pas të cilit ata mund të shkonin në shtëpi së bashku. Por, për fat të keq, realiteti është krejtësisht ndryshe.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button