Kovaçevski: Refuzimi SASHK-ut për rritjen e pagave për 10% – shantazh që shkakton dëm të pariparueshëm në arsimin e nxënësve

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, vendimin e SASHK-ut për të refuzuar ofertën për rritjen e pagave në arsim dhe kujdesin parashkollor e vlerësoi si dëm të pariparueshëm në arsimin e nxënësve dhe vështirësim të përditshmërisë së prindërve, transmeton Portalb.mk.

“Sot fillon java e dytë që fëmijët nuk do të jenë në bankat shkollore. Me refuzimin e ofertës për rritjen e pagave për 10%, SASHK-u vendosi të vazhdojë me shantazhe që janë vetëm në dëm të arsimit të nxënësve dhe ua vështirësojnë përditshmërinë prindërve”, ka reaguar Kovaçevski.

Sipas tij, Qeveria po bën përpjekje serioze për të përballuar krizën, për të amortizuar rritjen e çmimeve dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht për më të rrezikuarit. Edhe në kushte kaq të vështira të krizës globale, shton Kovaçevski, “ne jemi ndoshta e vetmja Qeveri që kemi mundësuar rritje historike të pagave dhe pensioneve dhe kemi mbështetur fuqishëm qytetarët financiarisht”.

“Edhe krahas gjithçka, SASHK-u konsideron se rritja e pagave prej 2.500 denarë është pak. Në kushtet kur me masat kundër krizës të miratuara nga Qeveria, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për 4.000 denarë në muaj. Ky thjesht nuk mund të konsiderohet qëndrim i arsyeshëm, por presion i dukshëm me të cilin shihet qartë se SASHK-u i vë interesat personale para atyre të fëmijëve”, thuhet në reagimin e Kovaçevskit.

Qeveria shton se nga viti 2017 deri më sot, pagat në arsim i rritëm për 21%. Me këto 10% shtesë do të ishin 31%  rritje të cilat për SASHK-un në kushte të krizës ekonomike botërore, nuk mjaftojnë. Për krahasim, për persë vite, nga viti 2011 deri në vitin 2016 pagat në arsim u rritën vetëm për 4%.

“Qeveria po bën gjithçka që është e mundur për të mbajtur dialog dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët, por kërkesat dhe qëndrimi i SASHK-ut janë krejtësisht të papranueshme. Vendi i fëmijëve është në shkolla dhe në këtë situatë përgjegjësinë e ka vetëm SASHK-u dhe udhëheqësia  që nuk e realizojnë të drejtën e arsimit”, thuhet më tej.

Ndryshe, vazhdon edhe sot greva e të punësuarve në arsim dhe çerdhe. Dje pritej që të arrihet marrëveshje midis Qeverisë dhe SAShK-ut, që sot të fillonte procesi mësimor, megjithatë kreu i kësaj të fundit, Jakim Nedelkov, dje infoirmoi se greva do të vazhdojë pasi nga Qeveria kanë marrë ofertë gojore për rritje të pagave për 10% me rebalancin e buxhetit në maj ose qershor dhe jo 18% sa ata kanë kërkuar.

Kujtojmë se prej më 11 prill SASHK ka filluar grevën në çerdhe dhe shkolla, pasi Qeveria nuk i ka rritur rrogat e mësimdhënësve dhe edukatoreve pas rritjes së rrogës minimale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button