Të rinjtë në Tetovë kanë gjetur mënyrën për t’i njohur më mirë autoret gra (FOTO-VIDEO)

Mungesa e ngjarjeve rinore për të rinjtë për të diskutuar rreth librave si dhe promovimi i autoreve gra bëri bashkë tre organizata nga Tetova, të cilat krijuan konceptin rreth diskutimeve të librit dhe promovimit të autoreve gra, por në një formë ndryshe e cila duket të jetë më tërheqëse dhe më afruese për të rinjtë me librin dhe socializimin mes tyre, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë e Tetovës, nga muaji mars kanë mundësi që njëherë në muaj të mblidhen në hapësirat e Social Cultural Space Tetovë dhe të diskutojnë për libra, por jo vetëm. Ata mund të shikojnë edhe filmin e librit të përzgjedhur për atë muaj si dhe në organizim të vishen me veshje të tematikës së librit dhe kohës në të cilën zhvillohet ngjarja. Dhe krejt në fund të diskutimit, ata argëtohen me muzikë, festë dhe socializim mes tyre. Ndërkaq, pjesa më tërheqëse duket të jetë momenti i fotografive, në një kënd special të krijuar dhe dekoruar si në vitet në të cilat është shkruar libri.

Ky koncept bëri bashkë Mollëkuqen, Klubin e Librit dhe Social Cultural Space, për t’u ofruar diçka ndryshe të rinjve, dhe njëkohësisht për të promovuar leximin, kështu duke ndërlidhur qëllimet e organizatave njëra me tjetrën, dhe secila duke kontribuuar në formën e saj.

Përveç promovimit të leximit përmes librit në formën e shkruar, nga Klubi i Librit thonë se kjo bëhet edhe përmes mediumit kinematik, për diskutim të hapur të çështjeve socio – politike, ekonomike, filozofike – psikologjike të cilat parashtrohen te librat/filmi i përzgjedhur, por njëkohësisht dhe analizë mbi protagonistët dhe aspekti kinematografik filmik.

“Formati i tillë është treguar shumë produktiv, duke e lejuar që të rrjedh aftësia e mendimit kritik dhe të folurit publik te pjesëmarrësit. Kjo formë është treguar efektive për shkak të qasjes më tërheqëse ndaj mediumit kinematik, hapësira është e qasshme dhe e përshtatshme për ngjarje të tilla kulturore, kur duhet të cek se ofrimi i

një momenti instagramik që kurohet nga hapësira kulturore është treguar shumë e rëndësishme dhe zbavitëse për të gjithë”, thanë nga Klubi i Librit të Tetovës.

Nga Mollëkuqja thonë se të rinjtë janë të tërhequr drejtë librit, por sipas tyre autoret gra nuk njihen mjaftueshëm dhe se të rinjtë nuk kanë hapësira apo ngjarje ku të mblidhen dhe të diskutojnë për to. Andaj sipas tyre edhe u krijua ky koncept.

“Idetë që lindin spontanisht, disi, arrijnë gjithmonë të jenë më të suksesshme. Ne thjeshtë deshëm që të krijojmë hapësirë dhe ngjarje ku të rinjtë e Tetovës do të ndjehen të lirë të vijnë dhe të kënaqen, madje edhe të mësojnë diçka të re. Ngjarjet që ofrojnë socializim për të rinjtë janë shumë të pakta në Tetovë, dhe ky organizim i joni e ka dëshmuar që ata janë të etur për diçka më ndryshe. Qëllimi është socializimi i të rinjve, leximi i librave të autoreve gra dhe promovimi i autoreve gra”, thanë nga Mollëkuqja.

Sipas Social Cultural Space, leximi është pjesë thelbësore për një shoqëri të shëndoshë dhe kur nuk lexojmë, nuk kuptojmë dhe duke mos kuptuar paragjykojmë më shpejtë.

“Parimet e komunitetit të hapësirës bazohen në idealet për pranim gjithëpërfshirës dhe jo përjashtim. Kultivimi i traditës së leximit i afron njerëzit dhe përmes këtyre aktiviteteve të rinjtë. Duke u shoqëruar, mbjellin dashuri dhe krijojnë respekt ndaj librit dhe ndaj njëri tjetrit. Meqenëse Tetova është qytet me dy universitete dhe shumë të rinj, ky lloj i aktiviteteve është gati se joekzistent. Komuniteti  jonë i vullnetarëve mundohet ta bëjë po këtë: t’u sigurojë hapësirë të rinjve kreativ, që kanë ide dhe vullnet për t’i realizuat këto ide dhe aktivitete. Për aktivitetin e libri në fjalë, nga ana jonë përkujdesemi për pjesën logjistike të ngjarjes dhe me dokumentimin e ngjarjes përmes fotografive”, thanë nga Social Cultural Space.

This slideshow requires JavaScript.

Të tre organizatat pohojnë se ky format i diskutimit të librave është treguar shumë efektiv dhe tërheqës për të rinjtë, ku siç thonë ata pjesëmarrja e të rinjve dhe përshtatja me tematikat e librave e ka treguar më së miri këtë. Ata thonë se librat e përzgjedhur janë gjithëpërfshirës, me tematika socio – filozofike, të cilat ndihmojnë në promovimin e kulturës dhe nxitin për lexim si dhe mundësojnë ekspozimin ndaj shumë librave të rëndësishme me mbresa historike në shoqëri.

Përndryshe, deri tani u mbajtën dy diskutime të librit dhe filmit. Në muajin mars u diskutua “Vrasje në Orient Ekspres” nga Agatha Christie, ndërsa për muajin prill ishte “Krenari dhe Paragjykim” nga Jane Austen. Në muajin maj do të diskutohet Rrëfenja e shërbëtores nga Margaret Atwood.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button