Bashkëkryesues i komisionit maqedono-bullgar: Po shuhen edhe shpresat e fundit për dialog të denjë

Ndodhi një akt që minon të gjitha përpjekjet e tjera për të gjetur zgjidhje për keqkuptimet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Emërtimi i Klubit kulturor bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” nuk është gjë tjetër veçse provokim i qëllimshëm, i cili në të njëjtën kohë dërgon edhe mesazh, tha Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, për DW, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një figurë historike e cila për shkak të ideve të saj për mosekzistencën e kombit maqedonas ka marrë përmbajtje jashtëzakonisht negative nga maqedonasit. Dhe kur emri i një personi të tillë imponohet si emër i një klubi kulturor në territorin e shtetit maqedonas, ndërsa ai person nuk ka lidhje me kulturën, atëherë mund të kuptohet vetëm si një provokim arrogant, apo edhe si një akt që shkon në anën e kundërt nga e ashtuquajtura “miqësi”, tha Gjorgiev për Deutsche Welle.

Sipas tij, emri i Klubit kulturor bullgar në Manastir u dërgon maqedonasve një mesazh, i cili nuk ka lidhje me kulturën.

“Më shumë se e qartë është tendenca për të kujtuar opinionin maqedonas se idetë e njohura të Mihajlovit për kombin dhe gjuhën maqedonase do të vazhdojnë të ushqehen në vetë Maqedoni. Një mesazh që për fat të keq do ta bëjë edhe më të madh përçarjen mes maqedonasve dhe bullgarëve. Nga ana tjetër, ky akt tregon sistemin e vlerave të një komuniteti të caktuar. Kur nga e kaluara nxirren vlera të caktuara të kultivuara përmes personaliteteve apo ngjarjeve, atëherë përmes tyre përcaktohet vlera aktuale dhe pozicioni ideologjik, si dhe vizioni ndaj së ardhmes së një komuniteti. Dhe kur, përkundër ekzistencës së shumë mundësive të tjera, nxirren vlera që i përkasin anës së errët të historisë, atëherë sigurisht që mesazhi që i dërgohet mjedisit është gjithashtu i errët. Fatkeqësisht, ky akt minon dhe vë në pikëpyetje të gjitha përpjekjet e tjera për zgjidhjen e keqkuptimeve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Në këtë mënyrë, zërat gjithnjë e më të paktë dhe më të qetë të arsyes nga të dyja palët mbyten dhe shpresat e fundit për një dialog të denjë shkatërrohen. Akoma më i trishtë është fakti që është keqpërdorur kultura, një nga urat e pakta ndërmjet dy popujve”, tha Dragi Gjorgiev.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button