RMV, nxënësit edhe sot nuk mbajnë mësim, grevistët refuzuan rritjen e pagave për 2500 denarë

Vazhdon edhe sot greva e të punësuarve në arsim dhe çerdhe. Dje pritej që të arrihet marrëveshje midis Qeverisë dhe SAShK-ut, që sot të fillonte procesi mësimor, megjithatë kreu i kësaj të fundit, Jakim Nedelkov, dje infoirmoi se greva do të vazhdojë pasi nga Qeveria kanë marrë ofertë gojore për rritje të pagave për 10% me rebalancin e buxhetit në maj ose qershor dhe jo 18% sa ata kanë kërkuar, njofton Portalb.mk.

“Rritja e pagave prej 10% fare nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale dhe nuk është stimulim përkatës për kthimin e dinjitetit. Mbi 95% e organizatave sindikale janë deklaruar për hedhjen poshtë të ofertës gojore”, deklaroi Nedelkov.

Qeveria për vendimin e SASHK-ut  tha se është i papërgjegjshëm.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në negociatat me SASHK-un ka ofruar rritje prej 10% të pagave që do të sigurohet nga buxheti plotësues. Kjo do të thotë se arsimtarët dhe edukatorët do të kenë një rritje mesatare prej 2.500 denarë në të ardhurat e tyre mujore. Qeveria konsideron se është e papërgjegjshme, përkundër zgjidhjes së ofruar për rritjen e pagave në arsim dhe përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, të vazhdohet me grevën dhe të shkatërrohet procesi tashmë i krijuar arsimor në kushtet kur po përballemi me krizë ekonomike dhe shëndetësore”, thanë nga Qeveria

Paraprakisht, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, dje me një postim në Facebook u bëri thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që të vazhdojnë procesin arsimor, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë, sepse e drejta për arsimim e çdo fëmije është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Humbja e mësimit në kushte si kjo pandemi, kur Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor, nuk i sjell dobi askujt, e më së paku nxënësve”, ka shkruar Shaqiri.

Në postimin në Facebook, Shaqiri thekson se nxënësit duhet të kthehen në shkolla, aty ku e kanë vendin. Mësimdhënia e rregullt, sipas tij, nevojitet më së shumti si mbështetje për nxënësit në një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tyre.

Së fundmi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka theksuar se nxënësit duhet të kthehen në shkollë dhe se kthimi i fëmijëve në shkollë është në interesin e tyre më të mirë, tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiDjovani.

Ndërkohë, ministrja Jovanka Trençevska përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje edukatorëve dhe kujdestarëve të normalizojnë procesin edukativo-arsimor dhe t’i pranojnë fëmijët në çerdhe, pasi siç thotë ajo, çdo orë dhe ditë e humbur e mësimit shkon drejtpërdrejt në dëm të zhvillimit të hershëm fëmijëror, që është baza për zhvillimin e mëtejshëm të çdo individi.

“Si Qeveri dhe ministri që kujdeset jo vetëm për zhvillimin e fëmijëve, por edhe për avancimin e kuadrit eduativo-përkujdesës, ne kemi një vendosmëri të fortë për të vazhduar dialogun social nga i cili presim zgjidhje sistematike nga të cilat do të përfitojnë të gjithë. Edhe më herët kemi dëgjuar për kërkesat e personelit në çerdhe dhe se nuk ikin nga zgjidhja që përmirëson statusin e tyre ekonomik dhe social”, tha Trençevska.

Pagat e stafit të kopshteve janë rritur 21 për qind në katër vitet e fundit, rritja më e madhe në histori, tha ajo.

“Dialogu social është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje të përbashkëta. Pra, arritëm një marrëveshje për pagën minimale dhe pensionet, kjo është mënyra për të zgjidhur këtë sfidë. Besoj se në radhë të parë do të vihet interesi i fëmijëve. Kopshtet do t’i hapin dyert, dhe përmes një dialogu të fortë partneriteti të vazhdueshëm që vazhdojmë me Sindikatat, do të gjejmë një model që siguron dhe garanton rritje të vazhdueshme të pagave për punëtorët në çerdhe”, thotë Trençevska.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se refuzimi për rritje prej 2.500 denarë ose 10% të pagave nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) si dhe metodologjia për rritje graduale dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të kuadrove arsimore është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se me refuzimin e ofertës së dhënë nga ana e Qeverisë, SBASHK vendos interesat personale mbi interesat e nxënësve derisa dëmi shkon në llogari të mësimdhënësve dhe nxënësve pikërisht në prag të përfundimit të procesit mësimor, pasi që e drejta për arsimim e secilit fëmijë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Është e pa tolerueshme humbja e mësimit në kushte si sot, kur mbarë globi përballet me Pandeminë, krizën ekonomike dhe energjetike, derisa Qeveria dhe Ministria e Arsimit e shkencës po bën përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor”, thuhet në reagim.

BDI u bëri thirrje mësimdhënësve dhe nxënësve që tu kthehen bankave të shkollës dhe të vazhdojnë mësimin, si dhe i bëri thirrje SASHK-ut që të vazhdojnë dialogun deri në gjetjen e zgjidhjes dhe mos të lejohet që bojkoti i mësimit të ndikojë në procesin arsimor.

Ndryshe, prej më 11 prill SASHK ka filluar grevën në çerdhe dhe shkolla, pasi Qeveria nuk i ka rritur rrogat e mësimdhënësve dhe edukatoreve pas rritjes së rrogës minimale.

“Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë”, thonë nga SASHK.

LEXO: Greva vazhdon, Qeveria ka ofruar 10% rritje të rrogës, SASHK nuk pranoi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button