Në Kosovë u strehua gazetarja e parë nga Ukraina

Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila është strehuar në Kosovë, bëri të ditur më 17 prill Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Makey, e cila është larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit rus, do të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ajo punon për platformën Open Democracy.

Arritja e saj në Kosovë është bërë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”, transmeton REL.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas Makey, puna e gazetarëve në Ukrainë është e rrezikshme, duke treguar se deri më tani, forcat ruse kanë vrarë 21 gazetarë.

Programi “Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës. Në mars, Qeveria e Kosovës tha se është e gatshme të strehojë 20 gazetarë ukrainas dhe për këtë ndau 150,000 euro dhe tha se do t’i strehojë ata deri në një periudhë gjashtëmujore.

Sipas AKG-së, ky program u mundëson gazetarëve ukrainas pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij gazetaren Makey.

“Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale”, tha Kurti permes një postimi në Facebook.

Përveç vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Kosova është shprehur e gatshme të pranojë 5,000 refugjatë ukrainas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button