Korrupsioni endemik në Maqedoninë e Veriut

Raporti i fundit i Departamenti të Shtetit (DASH) tregon se në Maqedoninë e Veriut shumë pak punë po bëhet në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Shumë fjalë dhe konferenca shtypi nga qeveria dhe komisionet, por aspak veprime konkrete.

Rastet e fundit janë indikatorë se ish zyrtarë të lartë të qeverisë Zaev 1 dhe 2, kanë qenë të përfshirë në çështje politike dhe financiare të keqpërdorimit të parasë publike dhe pozitës zyrtare. Absurdi tjetër është se po të njëjtit politikanë dhe drejtues emisionesh, dikur e kritikonin për korrupsion dhe krim të organizuar qeverinë e Gruevskit. Tash po del se po këta ish -zyrtarë nuk ndryshojnë aq shumë nga ish paraardhësit e tyre. Dihet se politikanët tanë kanë shumë dëshirë që të fitojë në shpinë të të tjerëve dhe mundohen lehtë të vijnë te paraja publike e qytetarëve.

Dënimet e ish- zyrtarëve të qeverisë Gruevski, Zaev 1 – 2 dhe paraburgimet e të tjerëve pas, nuk tregojnë së shoqëria dhe politika në Maqedoninë e V. e ka ndërmend ta luftojë seriozisht korrupsionin e “këmishave të bardha”. Gjithashtu është krijuar një bindje se në Maqedoninë e V., asnjëherë nuk bëhet mirë, pasi mashtrimi institucional është bërë përditshmëri. Siç dihet, korrupsioni nuk është i koncentruar vetëm në nivelet e larta të qeverisë. Po t’i shohim zyrtarët e komunave, të gjykatave, dhe se çfarë është bërë me shëndetësinë dhe arsimin, gjendja duket e tmerrshme dhe e padurueshme për qytetarët. Në Maqedoninë e V. dhe në Ballkanin Perëndimor, funksionon ryshfeti, si mundësi për të pasur një operacion mjekësor të suksesshëm, dhe vazhdon më tej për të nxjerrë një dokument nga një institucion, për të marrë një pasaportë, për të pasur një lindje të suksesshme etj etj. Dhe poqese nuk je i gatshëm ta bësh këtë, përfundimi është fatal dhe askush nuk merr përgjegjësi, për arsye se partia është mbi të gjitha e ligji nuk funksionon.

Në Maqedoninë e V., duhet të jesh mik i afërt i një zyrtari të lartë, i një nënpunësi lokal, i një mjeku dhe sigurisht duhet të jesh anëtar i partisë politike në pushtet dhe mik i kryetarit të partisë për të pasur një sukses të vogël. Aq keq janë çështjet në Maqedoninë e V. sa tashmë rrallë mund të gjesh një media të pavarur, një gazetar apo komentatorë që dëshirojnë të paraqesin mendime të pavarura dhe bëjnë artikulimin e interesave të qytetarëve. Pothuajse pas rënies së standardeve demokratike, shumica e reporterëve kanë shumë dëshirë të lënë pas vetes pavarësinë profesionale për një post në ndonjë agjenci, një fond nga qeveria qendrore dhe më e keqja vetëm për të qenë një zë i njëanshëm në mes qëndrimeve të partisë në pushtet dhe publikut.

Qeverisë dhe partive në pushtet, raportet ndërkombëtare as që ju bëjnë përshtypje, pasi me dekada është qeverisur me të njëjtat praktika. Duhet pranuar se gjendja me korrupsionin është më e vështirë tek shqiptarët, ku shumë pak është bërë në parandalimin e shtrirjes së korrupsionit. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit, aspak nuk e përmend shtrirjen etnike të korrupsionit dhe të nepotizmit. Raporti nuk ka detaje se ku më shumë është i koncentruar korrupsioni tek shqiptarët dhe cilat janë shkaqet. Dihet mirë se situata është e rëndë në shëndetësi, në tregun e punësimeve dhe në arsim, ku po aty sipas analistëve lokal, partia në pushtet BDI e Ali Ahmetit, mban përgjegjësi të madhe për kaosin e krijuar me vite të tëra që nga koha e qeverisjes së përbashkët me ish kryeministrin Gruevski (VMRO-DPMNE), e deri më tani me qeverisjen me social- demokratët maqedonas (LSDM).

Sa u përket përpjekjeve të mëhershme për parandalimin e korrupsionit dhe shpërndarjes së fondeve të huaja në Maqedoninë e V., disa fakte sugjerojnë se paratë e taksapaguesve të huaj janë keqpërdorur dhe të njëjtat programe ndërkombëtare nuk kanë pasur ndikim në opinionin publik dhe tek zyrtarët në ngritjen e vetëdijes kundër korrupsionit. Përveç korrupsionit, raporti i DASH-it për Maqedoninë e V. tregon për kushtet e rënda në burgjet e vendit dhe shumë probleme tjera në fushën e drejtësisë.

Koha është që qeveria të zbatojnë reforma të thella e jo veprime kozmetike. Reformat duhet të jenë në përputhje me kapitujt e BE-së. Përveç publikimit të raporteve vjetore, me rëndësi është që qeveritë vendore dhe të huaja të bëjnë sanksionimin e figurave aktive në politikë dhe jo pas pensionimit. E kundërta, do të jetë vazhdim i qeverisjes me një stil të vjetër të mos ndëshkimit të korrupsionit dhe vazhdimit të komedisë qeveritare me aksione kohë pas kohe. Maqedonia e V. pas largimit të vetos bullgare pritet t’i fillojë bisedimet me BE-në. Hapja dhe mbyllja e kapitujve 24 dhe 25, kërkojnë angazhim serioz për të dëshmuar pavarësinë e gjykatave, sundimin e shtetit ligjorë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button