Siguria në trafik në Maqedoninë e Veriut: “2021-shi viti me numrin më të vogël të viktimave në 15 vite”

Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore nga shoferët, por edhe kalimi i rrugës vend e pa vend nga ana e këmbësorëve, janë arsyet më të shpeshta të aksidenteve, shpesh edhe deri në humbje jetësh, transmeton TV21.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se viti i kaluar ka qenë me numrin më të vogël të viktimave në trafik në këto 15 vitet e fundit, ndërsa zëdhënësi Toni Angellovski, shprehet se edhe të dhënat për muajt e parë të këtij viti tregojnë trend të zvogëlimit të numri të viktimave në trafik.

“Në tremujorin e parë kemi 18 viktima, që në krahasim me vitin e kaluar, janë 10 më pak, sepse vjet kemi pasur 28 viktima në tremujorin e parë. Sa i përket muajit mars, kemi 4 viktima të pjesëmarrësve në trafik, që në krahasim me vitin e kaluar është 4 herë më pak, vjet kemi pasur 16 viktima”, tha Angellovski.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, apelin më të madh për kujdes e ka ndaj të rinjve.

“Dua që në veçanti t’u drejtohemi të rinjve, t’i mbrojmë, të jenë të kujdesshëm për vete dhe pjesëmarrësit e tjerë ë trafik. Me të vërtetë nuk janë të mira pamjet nëpër media kur shohim se si familjet qajnë për familjarët e humbur andaj të gjithë bashkë duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide”, theksoi Dujovski.

Dejan Andonoviq nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor kërkon që edhe këmbësorët të jenë më të kujdesshëm.

“Këmbësorët janë kategoria më masive por edhe më e padisiplinuar e pjesëmarrësve në trafik. Të gjithë ne fillimisht jemi këmbësorë e më pas të tjerët. Duhet të dimë dhe apelojmë se në trafik nuk ka përparësi absolute, respektoni rregullat, sinjalistikën, kalojeni rrugën atje ku është e shënuar”, tha Andonoviq.

Për të rritur ndërgjegjen në trafik, sot në Kumanovë u organizua aksion në kuadër të fushatës “Unë dhe ti, të gjithë jemi këmbësorë, siguria në vend të parë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button