ANALIZË: Problemi i vjetër – zgjidhje të reja, më shumë se 25 mijë të rinj pa punë – a do të ndihmojnë masat e reja të qeverisë?

“Ai që vjen i pari shërbehet i pari” dhe vendosja e kuotës prej 5% të përfshirjes së romëve, pjesëmarrje e të rinjve deri në 29 vjeç me minimum 30% – këto janë kriteret e reja në Planin e ri Operativ për punësim për vitin 2022.  Për këtë vit është parashikuar shumë rekorde prej 28 milionë eurosh për të krijuar vende të reja pune për grupin e synuar të të papunëve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Punësimi i të rinjve – shkalla më e lartë e papunësisë tek njerëzit deri në 24 vjeç

Nga numri i përgjithshëm i popullsisë së aftë për punë që është e papunë, 63,3% janë të moshës 25 deri në 49 vjeç, ndërsa 16,6% janë të moshës 15 deri në 24 vjeç. Pjesa e mbetur prej 20% janë mbi 50 vjeç. Sipas të dhënave të përmbledhura të Entit të Statistikave për vitin 2021, shkalla më e lartë e papunësisë prej 36,4% është ende tek personat nën 24 vjeç dhe ajo është rritur në krahasim me vitin 2020, kur ishte 35,7%.

Plani i ri operativ për punësim për këtë vit peshon 28 milionë euro dhe planifikohet të punësohen dhe të trajnohen rreth 15 mijë persona. Në pjesën më të madhe të masave janë përfshirë edhe të rinjtë deri në 29 vjeç. Një nga opsionet është Programi i vetëpunësimit, i cili ofron qasje në pothuajse 10,000 euro, mjete granti. Por, nëse brenda dy viteve firma e sapokrijuar mbyllet ose përfituesi i grantit e ndërpret marrëdhënien e punës (me përjashtim të rastit të paaftësisë ose vdekjes), atëherë paratë do të duhet të kthehen në masën 60% deri në 80%, dhe personi e humbet të drejtën për t’u kthyer në evidencën e të papunëve për një periudhë 3-vjeçare.

Një nga masat që parashikon punësimin e 1,528 personave është “Mbështetja për krijimin e vendeve të reja të punës” dhe ky program përfshin disa kategori të të papunëve, si dhe ata që e humbën punën për shkak të krizës së Kovidit. Kompanitë që duan dhe mund të krijojnë vende pune do të marrin mbështetje financiare konkrete.

“Gjithsej 19.000 denarë në muaj si subvencionim për rrogën e personit të punësuar për 3, 6 apo 12 muaj”- thuhet në Planin operativ. Por, edhe këto mjete kushtëzohen me mbajtjen e punonjësit për një periudhë të caktuar, kompania të mos ketë humbje financiare, t’i paguajë në kohë detyrimet ndaj shtetit.

Edhe këtë vit vazhdojnë masat financiare për mbështetjen e trajnimeve, veçanërisht për të rinjtë siç janë trajnimet për aftësi të avancuara për TI, të cilat janë planifikuar për të papunët të moshës deri në 34 vjeç, duke përfshirë 424 persona nga evidenca e të papunëve, trajnime për dizajn grafik me përfshirje të 53 personave dhe të tjera.

Një nga masat që synon të papunët me kualifikime të ulëta është ”Programi për angazhim në punë”, përmes të cilit planifikohen 1,000 punësime të reja. Për herë të parë u prezantua edhe programi për hapjen e vendeve të reja të punës përmes “Investimeve të gjelbra”, kurse shuma e granteve varion nga 205.000 denarë deri në 615.000 denarë, varësisht nga numri i të punësuarve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, të rinjtë janë ndër më të shumtët në listën e të papunëve, kështu që deri më 31 mars të këtij viti janë regjistruar 10.917 të papunë të moshës prej 20 deri në 24 vjeç dhe 12.115 të moshës prej 25 deri në 29 vjeç – ose të moshës prej 15 deri në 29 vjeç, deri në fund të muajit marsit kanë qenë të evidentuar 25.134 persona.

Numri i përgjithshëm i të papunëve sipas APRM-së është 125.907 persona – duke qenë se Plani Operativ parashikon përfshirjen e 15.000 të papunëve ose pothuajse 12% të të papunëve.  Realizimi i masave nga Plani Operativ për vitin 2021 është 94,6%, dhe me masat janë përfshirë 11.292 persona të papunë, me shfrytëzim 100% të masave “vetëpunësim” dhe “trajnime për zhvillimin e aftësive digjitale”. Plani i ri Operativ për vitin 2022 është tashmë në fuqi dhe paketat e masave për uljen e papunësisë janë duke u realizuar tashmë 12 vite. Pavarësisht se në vit shpenzohen dhjetëra milionë euro, analizat e deritanishme të institucioneve ndërkombëtare kanë treguar se janë pikërisht të rinjtë ata që largohen nga vendi – në radhë të parë për arsye ekonomike, por edhe për shkak të mosbesimit në institucione, partizimit dhe korrupsionit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button