DITA 52: Ukraina: Ushtria ruse ka humbur 20.100 ushtarë

Rusia tha se ua ka ndaluar hyrjen në shtet kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe disa ministrave të tjerë britanikë, pasi Britania ka vendosur masa që kanë për qëllim të izolojnë Moskën për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës. Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Kievit dhe Lvivit në mëngjesin e 16 prillit, pas paralajmërimeve nga Rusia se do të intensifikojë sulmet në kryeqytetin ukrainas. Moska ka kërcënuar se do ta sulmojë Kievin, ka akuzuar trupat ukrainase se kanë shënjestruar qytetet kufitare ruse. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se janë pajtuar me Rusinë që të hapen nëntë korridore humanitare, në mënyrë që të mund të evakuohen civilët nga disa qytete, përfshirë edhe nga Maripoli, njofton Portalb.

23:45 – Ukraina: Ushtria ruse ka humbur 20.100 ushtarë

Ushtria ruse që i ka shpallur luftë Ukrainës ka humbur 20.100 ushtarë, 163 avionë, 145 helikopterë dhe 762 tanke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka ndarë të dhënat lidhur me humbjet e ushtrisë ruse për periudhën 24 shkurt – 16 prill.

Sipas kësaj, nga ushtria ruse që sulmon Ukrainën janë vrarë 20.100 ushtarë si dhe janë rrëzuar 163 avionë, 145 helikopterë ndërsa janë shkatërruar 762 tanke, 1.982 mjete të blinduara, 371 topa, 125 sisteme raketahedhëse dhe 66 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve.

Forcat ruse po ashtu kanë humbur 1.458 automjete, 8 anije dhe skafe të lehta shpejtësie, 76 mjete të karburantit dhe 138 mjete ajrore pa pilot (dronë).

Ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars kishte njoftuar se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.

13:00 – Rusia ia ndalon hyrjen Johnsonit dhe zyrtarëve të tjerë britanikë

Rusia tha se ua ka ndaluar hyrjen në shtet kryeministrit britanik, Boris Johnson, sekretares së Jashtme, Liz Truss, dhe disa ministrave të tjerë britanikë, pasi Britania ka vendosur masa që kanë për qëllim të izolojnë Moskën për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

Ministria e Jashtme ruse tha më 16 prill se masat, që janë miratuar në koordinim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë, po “ngufasin” ekonominë e brendshme.

Rusia njoftoi se në listën e ndalesës janë 13 zyrtarë britanikë, përfshirë edhe ish-kryeministren, Theresa May. Moska paralajmëroi se kjo listë do të zgjerohej “në një të ardhme të afërt”.

Sanksionet perëndimore, të miratuara që prej se Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, janë vendosur ndaj zyrtarëve rusë, përfshirë edhe presidentin rus, Vladimir Putin dhe familjen e tij, por edhe ndaj kompanive dhe oligarkëve rusë që shihen si të afërt me udhëheqjen e shtetit.

12:07 – Ukraina thotë se do të hapen nëntë korridore humanitare

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se janë pajtuar me Rusinë që të hapen nëntë korridore humanitare, në mënyrë që të mund të evakuohen civilët nga disa qytete, përfshirë edhe nga Maripoli.

Përmes një deklarate të postuar në Telegram, Vereshchuk tha se pesë rrugë evakuimesh do të hapen në rajonin e Luhanskut, në lindje të Ukrainës, zonë në të cilën Rusia tashmë ka përqendruar operacionet e saj ushtarake.

“Korridoret humanitare në rajonin e Luhanskut do të funksionojnë në bazë të ndërprerjes së granatimeve nga forcat ruse”, tha ajo.

Ajo shtoi se korridoret nga Berdijanska, Tokmaku, Mariupoli dhe Enerhodari do të jenë të qasshme vetëm nga transporti privat.

Ukraina thotë se dhjetëra-mijëra persona besohet se janë vrarë në Mariupol dhe e ka akuzuar Rusinë se po bllokon përpjekjet e konvojeve të ndihmës, që po tentojnë të ndihmojnë civilët të cilët janë të bllokuar në qytet për javë të tëra.

Autoritetet ukrainase u kanë bërë thirrje civilëve në pjesën lindore të vendit që të largohen, teksa forcat ruse kanë intensifikuar ofensivën e tyre në këtë rajon.

11:40 – Shpërthimet godasin Kievin dhe Lvivin

Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Kievit dhe Lvivit në mëngjesin e 16 prillit, pas paralajmërimeve nga Rusia se do të intensifikojë sulmet në kryeqytetin ukrainas. Moska ka kërcënuar se do ta sulmojë Kievin, ka akuzuar trupat ukrainase se kanë shënjestruar qytetet kufitare ruse.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se shpërthimet goditën qarkun Darnitski, që gjendet në periferi të qytetit, ndërkaq, guvernatori i Lvivit, Maksym Kozytskyi, tha sulmet kanë ndodhur në orën 05:46 dhe 07:02, sipas kohës lokale, por nuk dha më shumë detaje.

Përveç në Kiev dhe Lviv, sirenat për sulme ajrore janë dëgjuar në shumë pjesë të Ukrainës në orët e mëngjesit, teksa shteti po përgatitet edhe për një ditë të luftimeve, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit në orët e vona të 15 prillit tha sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë do të përcaktojë se sa do të zgjasë kjo luftë.

“Suksesi i ushatrisë sonë në fushëbetejë veçse ka qenë i rëndësishëm. Historikisht i rëndësishëm. Por, ende nuk është i mjaftueshëm që të largojmë nga toka jonë forcat pushtuese”, tha ai.

“Sanksionet kundër Rusisë janë shumë serioze, janë të dhimbshme në aspektin ekonomik. Por, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar makinerinë ushtarake të Rusisë. Ne duhet të promovojmë sanksione më të forta, më shkatërruese. Kjo do të përcaktojë se sa do të zgjasë kjo luftë”, shtoi ai.

Ndërkaq, Zelensky, duke folur për CNN-in, tha se midis 2,500 dhe 3,000 ushtarë ukrainas kanë vdekur deri më tani, ndërkaq afër 10,000 të tjerë janë plagosur në beteja. Ai tha se nuk ka të dhëna për numrin e civilëve të vrarë.

Më 15 prill, policia kishte thënë se mbi 900 trupa civilësh u gjetën në rajonin e Kievit, pas tërheqjes së trupave ruse.

“Është e vështirë të flitet për civilët, pasi jugu i shtetit tonë, ku qytetet janë të bllokuara – Hersoni, Berdijanska, Mariupoli më tej në lindje dhe zonat në lindje ku gjendet Volnovaha – ne thjesht nuk e dimë se sa njerëz kanë vdekur në atë zonë që është e bllokuar”, tha Zelenksy.

Sa i përket numrit të ushtarëve rusë të vrarë ai vlerësoi se ishin afër 19,000 deri në 20,000. Rusia deri më tani ka pranuar se i janë vrarë 1,350 ushtarë.

Asnjëra prej këtyre shifrave nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Inteligjenca perëndimore ka vlerësuar se disa mijëra ushtarë janë vrarë në palën ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button