Reklamat qeveritare dikur ishin korrupsion mediatik në Maqedoninë e Veriut, kurse tani fushatë me interes publik

Heqja e ndalesës për reklamim të qeverisë në mediat private nuk është zgjidhje për situatën jashtëzakonisht të vështirë ekonomike në të cilën ndodhen, thonë esnafet e gazetarëve dhe organizatat mediatike. Pasojat e kësaj janë të njohura – krijimi i rrjetit të mediave të korruptuara, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Derisa ishte në opozitë LSDM-ja, që tani është në pushtet, reklamimin me fonde publike në media private e quante korrupsion mediatik, kurse tani e paralajmëron heqjen e ndalesës për reklamat qeveritare duke e ndryshuar nenin 102 të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

Edhe pse ishte qeveria e LSDM-së, ajo që e ndaloi reklamimin e me financa publike, në mediat private, tani qëndrimi i saj është se ndryshimet e reja ligjore janë të nevojshme që institucionet shtetërore të mund të zhvillojnë fushata publike me “interes të jashtëzakonshëm publik” për tema “me rëndësi jetike”për qytetarët dhe shtetin, si vaksinimi, antikorrupsioni, përballja me dezinformata etj.

Por, gazetarët dhe organizatat mediatike theksojnë se kjo praktikë e blerjes së hapësirës mediatike nga institucionet publike për fushata mund të minojë pavarësinë e medias dhe të rrezikojë të drejtën e lirisë së shprehjes.

Pasojat e mediave të korruptuara të njohura

Drejtoresha e Institutit Maqedonas për Media (MIM) Biljana Petkovska thotë se sipas përvojës nga periudha e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, dihen pasojat e “krijimit të rrjetit të mediave të korruptuara që i shërbejnë në mënyrë servile pushtetit”, për çka qeveria ua kthen me para për reklama.

“Ne po e paralajmërojmë qartë këtë si një rrezik potencial, sepse do të ishte perceptim i gabuar të përsërisim të njëjtat gabime si shtet. Duhet të gjenden mekanizma të tjerë për zgjidhjen e situatës jashtëzakonisht të vështirë ekonomike në të cilën gjenden mediat”, tha Petkovska në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të cilën do ta transmetojmë të dielën.

Përveç minimit të pavarësisë së medias, organizatat e esnafeve (SHGM, SSNM, MIM dhe KEMM) vlerësojnë se kthimi i reklamave qeveritare mund të çrregullojë seriozisht tregun mediatik, i cili sipas tyre tashmë është nën ndikimin e fondeve publike që media merr nga programi i paguar politik (PPR) në përputhje me Ligjin Zgjedhor.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) Mlladen Çadikovski, për Radion Evropa e Lirë, tha se nëse sërish lejohet që fushatat publike të paguhen me paratë e shtetit, do të jetë rrezik, jo vetëm për pavarësinë e mediave, por edhe për të drejtën e lirisë së shprehjes.

“Shpresojmë që të mos ketë ndryshim në ligj, por do të lëmë të shohim në periudhën e ardhshme se si do të komunikohej nga institucionet qeveritare. Sepse një ligj i tillë të paktën duhet t’i nënshtrohet një procedure transparente në të cilën do të ketë debat, në rast se do të gjendet ndonjë zgjidhje. Por për momentin mendojmë se një gjë e tillë nuk është e mirë për interesin publik dhe për pavarësinë e mediave”, tha Çadikovski.

Mediat në gjendje katastrofike

Mediat janë në gjendje katastrofike, thotë drejtoresha e MIM Petkovska, por thekson se mediat e esnafit dhe organizatat gazetareske ka kohë që propozojnë zgjidhje. Një nga propozimet është krijimi i një Fondi Mediatik në të cilin akses do të kenë të gjitha mediat që do të jenë në gjendje të ofrojnë ide të mira që të marrin fonde për të krijuar përmbajtje cilësore.

Gjithashtu, thotë Petkovska, propozohet që të ulen taksat për mediat, me çka do të zvogëlohen shpenzimet e tyre dhe me këtë do të përmirësohet gjendja e tyre ekonomike.

“Mirëpo, asgjë nga këto nuk është realizuar dhe as nuk ka njoftime se diçka do të realizohet. Para një viti e gjysmë ish-kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se Qeveria po mendon seriozisht për inicimin e atij Fondi për Media, por sërish nuk ka njoftime që kjo të ndodhë”, tha Petkovska.

Mediat lokale para mbylljes

Ajo shton se si organizata janë të vetëdijshme për situatën në media, për të cilën thotë se është “katastrofike”: Veçanërisht e keqe është situata në mediat lokale dhe rajonale, të cilat janë para mbylljes, sepse kushtet në nivel lokal për gjenerimin e fondeve në baza komerciale janë pothuajse të pamundura, thotë Petkovska.

Megjithatë, ajo beson se zgjidhja nuk është shfuqizimin e nenit 102 që mediat lokale dhe rajonale të ngarkojnë shërbimet e përcjelljes së njoftimeve nga autoritetet vendore.

“Nuk është serioze të diskutohet. Për mbijetesën ekonomike të sferës mediatike nevojiten zgjidhje të përcaktuara strategjike, të qëndrueshme”, tha Petkovska.

LSDM, në kohën kur ishte parti opozitare, e kritikonte VMRO-DPMNE-në për kontrollin e mediave përmes parave për reklamat shtetërore.

Reformat në media dhe çlirimi i tyre nga çdo presion politik ka qenë prioritet që nga viti 2015, kur në raportin e Pribes për prioritetet e reformave urgjente thuhej se ato duhet t’i zbatojë qeveria e re.

Raporti u përgatit nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga gjermani Rajnhard Pribe dhe i angazhuar nga Komisioni Evropian. Në raport thuhej se mediat duhet të distancohen nga politikat partiake dhe të mos jenë në shërbim të politikanëve dhe partive dhe se blerja e mbështetjes politike në media përmes mbështetjes financiare në tregun mediatik është e papranueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button