Nuk zbatohet ligji për regjistrimin e personave të padukshëm, është vetëm për të gënjyer të huajt, Ziberi kërkoi pikë në seancën e qeverisë

Ligji për personat e paregjistruar në librin amzë, i cili skadon pas tre muajsh, ka pësuar debakël. Avokati i Popullit Naser Ziberi iu drejtua Qeverisë për të shqyrtuar urgjentisht problemin, i ka shkruar secilës ministri dhe organ shtetëror se çfarë duhet të bëjnë dhe veçanërisht e ka theksuar Ministrinë e Drejtësisë për mos gjetjen dhe regjistrimin e këtyre personave, sepse ligji është jofunksional, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Nga puna e rastit dhe nga hulumtimi që e ka realizuar Avokati i Popullit ka konstatuar probleme të shumta në zbatimin e këtij ligji: informim të pamjaftueshëm të këtyre personave për mënyrën e paraqitjes së kërkesës në Zyrën e Regjistrimit, trajnim dhe aftësi të pamjaftueshme të personave të autorizuar për pranim dhe procedim të kërkesave të tilla.

Më e rëndësishmja, edhe nëse ndonjë nga këta persona të ketë marrë numër amë të përkohshëm, nuk mund ta përdorë atë me shërbimet e mjekut, ose të regjistrohet si i papunë, as të punësohet, as të marrin ndihmë sociale, shtetësi, kompensim për aftësinë e kufizuar, e le më bursa për nxënësit. Ligjet në shëndetësi, social, arsim dhe të tjera thjesht nuk e njohin Ligjin për personat e paregjistruar, sepse nuk janë bërë harmonizime me të. Kot ekziston.

Prej dy vitesh shteti nuk e lëviz gishtin për këtë, ndërsa para zyrtarëve të huaj mburret se ka miratuar ligj për regjistrimin e këtyre personave në Librin amë të personave të lindur.

Avokati i Popullit vitin e kaluar e informoi opinionin për të dhënat e marra nga Zyra e Regjistrimit se nga gjithsej 659 persona të regjistruar pa dokumente, lindja e të cilëve nuk është e regjistruar në librat amë, më shumë se gjysma janë fëmijë nën moshën 18 vjeçe. Gjatë vitit 2020 (pas miratimit të Ligjit) nga numri i përgjithshëm i personave të paregjistruar janë paraqitur gjithsej 184 kërkesa për lëshimin e certifikatës së lindjes dhe 27 kërkesa të tjera në periudhën janar-prill 2021, pra janë gjithsej 211 kërkesa të parashtruara për regjistrim në Librin e Posaçëm.

Problem vendimtar për momentin, thotë Ziberi, është se Ligji për personat e paregjistruar është i vlefshëm deri në qershor të vitit 2022, kurse në praktikë më shumë se gjysma, nga gjithsej 732 persona të identifikuar (sipas të dhënave të fundit të DMLA), nuk kanë nisur procedurë për regjistrim në Regjistrin e Posaçëm të lindjeve. Nga ana tjetër, personat të cilët kanë certifikatë nga libri i posaçëm amë dhe dokument identifikimi, në praktikë nuk realizojnë asnjë nga të drejtat e përcaktuara.

Avokati i Popullit konstatoi se jo çdo person për të cilin është lëshuar certifikatë (320) ka marrë edhe dokument identifikimi (115), që më tej e hap pyetjen përse është ashtu.

Ziberi, pasi ka mësuar se problemet nuk janë tejkaluar, kërkoi nga Qeveria zgjatjen e vlefshmërisë së Ligjit deri në qershor të vitit 2023 dhe në ndërkohë adresoi rekomandimet e mëposhtme urgjente:

– Qeveria të ngarkojë ministritë kompetente që të harmonizojnë ligjet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe sigurimit shëndetësor, mbrojtjes sociale dhe punësimit me sigurimet shoqërore të detyrueshme, me Ligjin për personat e paregjistruar në regjistër, me çka do të mundësohet zbatimi pa probleme i katër të drejtave nga ligji, por edhe të drejta të tjera që janë të lidhura ngushtë dhe që ligji ekzistues nuk i njeh

– Të gjendet urgjentisht zgjidhje për përmirësimin e sistemit të integruar ekzistues (zgjidhje softuerike) e cila do të mundësojë njohjen e numrit të posaçëm të regjistrimit nga certifikata e posaçme e lindjes dhe dokumenti i identifikimit, si dhe mundësinë e ushtrimit pa probleme të të drejtave në fushat e mësipërme.

-Të ngarkohen institucionet kompetente për bashkëpunim më intensiv me shoqatat civile për të pasur qasje proaktive në gjetjen e këtyre personave, identifikimin e tyre dhe të tjera.

-Ministria e Drejtësisë, si propozues i ligjit dhe organ kompetent për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të tij, të tregojë qëndrim proaktiv dhe përkushtim për zbatimin efikas të ligjit.

– Ministria e Arsimit, Punës dhe Politikë Sociale, Ministria e Shëndetësisë, MPB, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Agjencia e Punësimit, Drejtori për Mbajtje të Librave Amë dhe institucionet e tjera kompetente të tregojnë vullnet të mirë, zell, prirje dhe fleksibilitet në veprim, duke i respektuar afatet e përcaktuara, për të zgjidhur përfundimisht problemin e kahershëm me personat ligjërisht të padukshëm në vend.

Avokati i Popullit pret që Qeveria në seancë urgjente të shqyrtojë Informatat me propozim për marrje të masave, të nxjerrë konkluzione në përputhje me rekomandimet e dhëna dhe ta informojë për çdo gjë në afat prej 10 ditësh nga pranimi i shkresës tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button