fbpx

Martesat mes të miturve arsyeja kryesore për braktisjen e shkollës, por jo e vetmja

Pritshmëritë më të zakonshme që imponohen nga stereotipat e pa çrrënjosura në familjet tradicionale, sipas përvojës së ekspertëve, janë që vajzat rome të qëndrojnë në familje, të ndihmojnë rreth amvisërive, të kujdesen për vëllezërit e motrat e tyre më të vegjël dhe ku ka nëna të reja të kujdesen për fëmijët e tyre. Kjo është arsyeja edhe vendimtare edhe kryesore për të cilën ato e braktisin shkollimin, por nuk është e vetmja, shkruan Meta.mk.

Këtë fakt zhgënjyes në një bisedë për Meta.mk e konfirmoi nëna e tre vajzave, dy prej të cilave janë martuar me meshkuj të rritur para se të bëheshin 18 vjeç. Burri i vajzës, e cila ka hyri në lidhje jashtëmartesore me dëshirën e saj kur ajo ishte vetëm 14-vjeçe, është 25 vjeç.

“Ata e dinë vetë, punë e tyre është a duhet të mësojnë. Me çfarë jetojnë? Ato nuk e kishin ndërmend të mësojnë më parë, e tani duhet t’i detyroj unë”, tha nëna, identitetin redaksia e di.

Vajzat e saj tashmë kujdesen për fëmijët e tyre të vegjël, ndërsa për më të voglin, një vjeç e gjysmë, nëna tha se do të përpiqet të përfundojë shkollimin deri në fund.

Sipas ligjit për familje, mund të martohet person i cili ka mbushur moshën 18 vjeç. Në rast se personi është i mitur, gjykata kompetente mund të vendosë që mund të martohet personi i cili ka mbushur 16 vjeç, nëse plotëson kritere të caktuara për pjekurinë fizike dhe mendore, sipas gjykimit të Qendrës për Çështje Sociale dhe një institucion shëndetësor për të marrë leje që të martohet.

Megjithatë, edhe rrallë, ka martesat të të miturve që nuk mund të zyrtarizohen, sepse personat, të cilët duan të jetojnë në bashkësi martesore nuk e plotësojnë atë minimum ligjor prej 16 vitesh.

Sipas Kodit Penal, martesa e fëmijëve është e ndaluar, ndërsa lidhja jashtëmartesore me të mitur konsiderohet shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe përbën vepër penale.

Të dhënat e organizatës joqeveritare Sonce (Dielli) nga Tetova, e cila kontribuon në mënyrë aktive në integrimin qytetar dhe praktikë të barabartë të të drejtave dhe mundësive demokratike për romët, tregojnë se martesat e tilla janë të zakonshme veçanërisht në zonat ku jeton popullata më e varfër.

Mergita Stojanoviq, drejtoresha e organizatës Dielli (Sonce), thotë se përqindja e martesave të të miturve në mesin e romëve është e lartë në mënyrë jo proporcionale, krahasuar me popullsinë jo-rome.

“Rreth 15-20 për qind e martesave të miturve janë mes fëmijëve romë. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë arsye për stigmatizim për komunitetin rom sepse 80-85 për qind e martesave të tjera u përkasin komuniteteve të tjera etnike në vendin tonë,” tha Stojanoviq.

Krahas faktit që martesat e të miturve ndikojnë negativisht në shëndetin e vajzave të reja, ato  janë edhe një nga arsyet për braktisjen e shkollës. Shtatzënia e hershme mund t’i detyrojë vajzat të braktisin shkollën pa përfunduar shkollimin dhe pa i fituar aftësitë e nevojshme, prandaj më pas ato përballen me vështirësi për të gjetur punë dhe si rrjedhojë janë në rrezik të lartë të varfërisë.

Merita Mustafi, e cila punon si juriste dhe është në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarë të kategorive të cenueshme sociale, thotë se shpeshherë u ofrojnë nënave të reja kthimin në shkollë, por për shkak të problemeve me të cilat ballafaqohen nuk kanë mundësi të tillë.

“Ndodh shpesh që të kemi nëna të reja të cilat nuk kanë mundësi të kthehen dhe e braktisin shkollën fillore shumë herët”, tha Mustafi, duke shtuar se praktika tregon se martesat e fëmijëve miratohen nga institucionet kompetente pa i kushtuar kujdes arsimimit të tyre të mëtejshëm.

Punonjësja sociale Elena Siljanoski beson se shumë fëmijë nga mosha 9 deri në 17 vjeç nuk përfshihen në procesin arsimor për arsye të ndryshme si papunësia e prindërve, kategoria sociale e këtyre personave, statusi socio-ekonomik, varfëria, rreziku nga mbetja pa shtëpi për akomodim, largimi jashtë vendit dhe kthimi nga jashtë.

“Ministria e Arsimit nuk ka program të shkurtuar që do t’u mundësonte këtyre fëmijëve të kompensojnë arsimin e humbur në mënyrë që të vazhdojnë më lehtë. Sepse ne  të sektorit joqeveritar e dimë nga praktika që shumë fëmijë, ndonëse do të përfshiheshin në procesin edukativo-arsimor në moshën 10 apo 11 vjeçare, për nga natyra nuk mund t’i përshtaten mjedisit në të cilin duhet të mësojnë me nxënës 6 dhe 7 vjeç. Këtu ata ndeshen me probleme të mëdha si diskriminimi, segregimi i fëmijëve. Pra, këto janë problemi që përcillen si zinxhir dhe si rrjedhojë shkaku i martesave mes fëmijëve të mitur dhe shumë nënave të mitura, të cilat kanë fëmijë nuk mund të përfshihen më tej në procesin edukativo-arsimor, jo për shkak se nuk duan por për shkak se “kështu është i vendosur shkollimi ynë për momentin”, tha Siljanoski.

Stojanoviq thotë se duhet të ndërmerren disa masa nga organet kompetente lidhur me regjistrimin e martesave të mitura, të regjistruara dhe të paregjistruara.

Ajo gjithashtu mendon se legjislacioni duhet të harmonizohet dhe mosha minimale ligjore për martesë të jetë 18 vjeç dhe duke lidhur me këtë duhet të planifikohen sanksione penale për prindërit dhe kujdestarët.

“Duhet bashkëpunim edhe mes qendrave për punë sociale, shkollave dhe stafit mësimdhënës. Duke pasur parasysh se stafi mësimor është çdo ditë në kontakt të ngushtë me vajzat e popullatës rome dhe zakonisht ata mund ta bëjnë zbulimin e hershëm se vajzat janë në rrezik për të lënë shkollën që të martohen si të mitura mund dhe t’i identifikohet nga dora e parë,” tha Stojanoviç.

Por, sipas Stojanoviqit, ka më tepër probleme me të cilat ballafaqohen fëmijët romë në arsim.

“Pengesa fillestare për të braktisur ose për të mos vijuar mësimet është varfëria. Prindërit në mungesë të mjeteve financiar nuk mund të sigurojnë rroba, këpucë dhe mjete shkollore. Gjithashtu, disa nuk kanë ujë të rrjedhshëm dhe për shkak të pamundësisë për të mbajtur higjienën personale, ata vendosin të mos i lënë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë për t’i mbrojtur ata nga ngacmimet dhe nënçmimet e mëtejshme,” tha Stojanoviq.

Ajo theksoi se diskriminimi është gjithashtu shkak për ndërprerjen e shkollimit, ndërsa segregacioni si forma më e rëndë e diskriminimit fatkeqësisht është ende i pranishëm në vendin tonë.

“Kështu për shkak të mosrespektimit të të ashtuquajturit rajonizim dhe regjistrimin e fëmijëve në rajonet sipas vendbanimit, ne kemi klasa të pastra, klasa vetëm me fëmijë romë, madje diku-diku kemi edhe shkolla të tilla për shkak të mosrespektimit të rajonizimit nga prindërit jo romë. Shpesh ndodh që, në mjedise ku fëmijët romë mësojnë në shkolla ku mësojnë edhe fëmijë në gjuhë të tjera, ata të ndahen fizikisht nga fëmijët e tjerë,” tha Stojanoviq.

Sipas saj, një problem shtesë është se fatkeqësisht ende ka fëmijë që nuk kanë dokumentacion personal dhe për këtë arsye nuk mund të regjistrohen në shkolla e të ndjekin mësimin ose nuk janë të njohur me të drejtat e tyre arsimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button