Britani, konfiskim rekord të pronës me vlerë 13 miliardë dollarë të dy oligarkëve rusë

Autoritetet e Britanisë së Madhe sot sekuestruan asetet e dy oligarkëve rusë me vlerë 10 miliardë funta (13 miliardë dollarë) në kuadër të sanksioneve të reja, ngrirja më e madhe e pronës private në historinë britanike, raporton Anadolu Agency (AA).

Oligarkët e njohur rusë Eugene Tenenbaum dhe David Davidovich u gjetën në shënjestër të sanksioneve britanike ndërsa asetet e tyre në tokën britanike u ngrinë.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se me këtë akt oligarkët nuk mund të transferojnë pronat e tyre në Rusi, gjë që pengon mbështetjen e tyre për Kremlinin.

“Ne jemi duke shtrënguar rrethin e makinerisë luftarake të Putinit dhe jemi duke shënjestruar rrethin e njerëzve më të afërt me Kremlinin. Do të vazhdojmë me sanksionet derisa Putini të mposhtet në Ukrainë”, tha Truss.

Davidovich-it iu ndalua udhëtimi ndërsa revista “Forbes” e përshkroi atë si “dora e djathtë e (Roman) Abramovich-it e një profili shumë më të ulët”.

Tenenbaum u përshkrua gjithashtu si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Abramovich-it dhe si drejtor në Chelsea FC.

Në fillim të kësaj jave, miliarderi rus Roman Abramovich mbeti pa 5 miliardë funta asete të ngrira nga qeveria autonome e ishullit britanik Jersey.

Qeveria britanike në një deklaratë tha se sanksionet e vendosura nga Britania dhe partnerët e saj ndërkombëtarë kishin “pasoja të thella dhe të dëmshme për aftësitë e Putinit për të luftuar në Ukrainë”.

“Analiza tregon se Rusia po shkon drejt recesionit më të thellë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik me 275 miliardë funta ose 60 për qind të rezervave valutore që aktualisht janë të ngrira”, thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button