Arsovska u takua me shitësit e librave të vjetër, Qyteti i Shkupit nuk përgjigjet kush përhapi dezinformata

Kryetarja e Shkupit Danela Arsovska u takua me përfaqësuesit e qiramarrësve të shtëpive të drurit në shëtitoren “13 Nëntori”, të cilët shesin libra të vjetër dhe sende të tjera antike. Ajo iu shpjegoi se procedura e re për dhënien me qira të shtëpive prej druri nga Qyteti i Shkupit do të bëhet me qëllimin përfundimtar të mbrojtjes së qiramarrësve që shesin libra në shëtitore. Arsovska me qiramarrësit bisedoi për gjendjen aktuale juridike dhe kushtet në të cilat ata punojnë, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Qëndrimi i Qytetit të Shkupit është se shfrytëzuesit e shtëpive në bregun “13 Nëntori” mbeten pa kontrata aktive me Qytetin e Shkupit nga 01.02.2018, gjegjësisht për katër vite nuk kanë status të rregulluar dhe bazë ligjore për përdorimin e tyre.

“Të gjitha procedurat që i zbaton Qyteti i Shkupit duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe në procedurë plotësisht transparente që të krijohet politikë pozitive në të mirë të qytetarëve, por edhe në drejtim të mbrojtjes së shfrytëzuesve të shtëpive, të cilët do të mund të rregullojnë statusin dhe të drejtën e përdorimit të të njëjtave”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.

Meta.mk të martën njoftoi se shitësit e librave të vjetër dhe sendeve të tjera antike të përdorura në shtëpitë e drurit në shëtitoren “13 Nëntori” morën urdhër nga Qyteti i Shkupit që të shpërngulen së bashku me furnizimet e tyre deri në prill, më së voni deri më datë 21, dhe se për shtëpitë prej druri do të shpallë procedurë të re për dhënien e tyre.

Ndryshe, Qyteti i Shkupit të mërkurën përmes një njoftimi u ka dërguar thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që në shkrimet e tyre të mos përhapin dezinformata në lidhje me shitësit e librave të vjetër dhe sendeve të tjera antike në shëtitore. Pasi nuk ishin përmendur saktësisht mediat dhe shkrimet në to, si dhe qytetarët që kanë shpërndarë dezinformata lidhur me këtë temë, Meta.mk kërkoi përgjigje nga Qyteti i Shkupit, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button