Dita 51: Dy miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën nga Gjermania

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Kiev të premten dhe luftimet u ndezën në lindje pasi Ukraina mori përgjegjësinë për fundosjen e anijes ruse në Detin e Zi në atë që do të ishte një nga goditjet më të rënda të luftës. “Moskva” po tërhiqej në port kur “stuhitë detare” shkaktuan fundosjen e saj, sipas Rusisë. Kryqëzori me raketa me 510 ekuipazhe ishte simbol i fuqisë ushtarake të Rusisë, duke udhëhequr sulmin e saj detar në Ukrainë. Kievi thotë se raketat e tij goditën anijen luftarake. Moska nuk ka raportuar asnjë sulm – thotë se anija u fundos pas një zjarri, transmeton Portalb.mk.

18:35 – Dy miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën nga Gjermania

Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të shpenzojë dy miliardë euro shtesë për pajisje të reja ushtarake, kryesisht për të ndihmuar Ukrainën, tha të premten një burim qeveritar, raportoi Reuters.

Një shtesë prej 400 milionë euro janë caktuar për Fondin Evropian të Paqes, i cili blen armë për Ukrainën, ndërsa disa shpenzime të tjera do të jenë për dërgesat bilaterale në Ukrainë dhe gjetkë, tha burimi, të premten, më 15 prill.

Më herët, ministri gjerman i ekonomisë tha se gjermanët duhet të fillojnë të kursejnë energji për t’u bërë më të pavarur nga karburantet fosile ruse, gjë që do të ishte gjithashtu një nga përgjigjet ndaj Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.

Në kohën kur po ngrihet numri i rasteve të vdekjeve të civilëve në Ukrainë, gjatë pushtimit rus, Gjermania është nën presion për t’u larguar nga gazi dhe nafta ruse, pasi kritikët thonë se të ardhurat e Moskës ofrojnë mjete jetike për të bërë luftë.

Moska e përshkruan pushtimin e saj në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Gjermania mund të bëhet më pak e varur nëse qytetarët reduktojnë konsumin e energjisë, duke propozuar përdorimin e trenave ose biçikletave, sa herë që është e mundur, në vend të vozitjes me automjete.

“Çdo kilometër që nuk kalohet, kontribuon në ikjen më të lehtë nga furnizimet me energji të Rusisë. Gjithashtu e mbrojmë edhe klimën”, tha Habeck në një intervistë për Funke Media Group, raportoi Reuters.

Habeck tha se një reduktim prej 10 për qind të konsumimit individual të energjisë është i mundur, duke shtuar se punëdhënësit mund të kontribuojnë duke u ofruar punëtorëve mundësinë për të punuar nga shtëpia, kudo që të jetë e mundur.

12:46 – Rusia paralajmëroi më shumë sulme në Kiev

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të premten, 15 prill, se ka kryer sulme me raketa duke shënjestruar kryeqytetin ukrainas, Kievin.

Ajo ka paralajmëruar se sulmet do të shtohen, si shenjë hakmarrjeje ndaj atyre që i ka quajtur “sulme terroriste” dhe “akte sabotazhi” të Ukrainës në Rusi.

Rusia ka thënë se raketat e saj lundruese kanë goditur një fabrikë në qytetin ukrainas gjatë natës, e cila prodhon sisteme ajrore për mbrojtje dhe raketa kundër anijeve.

Si rezultat “janë shkatërruar punëtoritë për prodhim dhe riparim të sistemeve raketore me rreze të gjatë dhe të mesme”, ka thënë Ministria në një deklaratë të publikuar në kanalin e saj në Telegram.

Të enjten, Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka dërguar helikopterë rreth kufirit për të sulmuar disa qyteza ruse.

Këshilli Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato “përpjekje për të rritur histerinë anti-Ukrainës në Rusi”.

12:40 – Britani, konfiskim rekord të pronës me vlerë 13 miliardë dollarë të dy oligarkëve rusë

Autoritetet e Britanisë së Madhe sot sekuestruan asetet e dy oligarkëve rusë me vlerë 10 miliardë funta (13 miliardë dollarë) në kuadër të sanksioneve të reja, ngrirja më e madhe e pronës private në historinë britanike.

Oligarkët e njohur rusë Eugene Tenenbaum dhe David Davidovich u gjetën në shënjestër të sanksioneve britanike ndërsa asetet e tyre në tokën britanike u ngrinë.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se me këtë akt oligarkët nuk mund të transferojnë pronat e tyre në Rusi, gjë që pengon mbështetjen e tyre për Kremlinin.

“Ne jemi duke shtrënguar rrethin e makinerisë luftarake të Putinit dhe jemi duke shënjestruar rrethin e njerëzve më të afërt me Kremlinin. Do të vazhdojmë me sanksionet derisa Putini të mposhtet në Ukrainë”, tha Truss.

Davidovich-it iu ndalua udhëtimi ndërsa revista “Forbes” e përshkroi atë si “dora e djathtë e (Roman) Abramovich-it e një profili shumë më të ulët”.

Tenenbaum u përshkrua gjithashtu si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Abramovich-it dhe si drejtor në Chelsea FC.

Në fillim të kësaj jave, miliarderi rus Roman Abramovich mbeti pa 5 miliardë funta asete të ngrira nga qeveria autonome e ishullit britanik Jersey.

Qeveria britanike në një deklaratë tha se sanksionet e vendosura nga Britania dhe partnerët e saj ndërkombëtarë kishin “pasoja të thella dhe të dëmshme për aftësitë e Putinit për të luftuar në Ukrainë”.

“Analiza tregon se Rusia po shkon drejt recesionit më të thellë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik me 275 miliardë funta ose 60 për qind të rezervave valutore që aktualisht janë të ngrira”, thuhet në deklaratë.

12:15 – Maqedonia e Veriut dëboi edhe gjashtë diplomatë rusë

Maqedonia e Veriut dëboi edhe gjashtë diplomatë të tjerë nga ambasada ruse në vend, të cilët janë shpallur persona non grata.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informacionin e ndau pasi sot është thirrur ambasadori rus në vend, Sergei Baznikin, të cilit i kanë dorëzuar notë diplomatike duke i cilësuar diplomatët si të padëshirueshëm në vend.

“Në bazë të informacioneve të marra nga organet kompetente, personat në fjalë kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie diplomatike dhe do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë ditët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ky është dëbimi i dytë i diplomatëve rusë në më pak se një muaj. Pesë u dëbuan në fund të marsit. Arsyet të cilat edhe atëherë i njoftuan autoritetet, ishin se ata kishin dalë jashtë aktiviteteve të tyre diplomatike.

Para dy dëbimeve të fundit që përfshinin 11 diplomatë, sipas listës së qasshme në ueb-faqen e ambasadës ruse, në vend ishin regjistruar gjithsej 19 diplomatë rusë, përfshirë ambasadorin e Federatës Ruse në vend, Sergei Baznikin dhe dy përfaqësues ushtarak.

10:49 – FAO: Çmime rekord për ushqimet në mbarë botën

Sipas OKB-së çmimet e ushqimeve kanë arritur në mbarë botën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas njoftimeve të Organizatës Botërore të Ushqimit dhe të Bujqësisë (FAO) indeksi përkatës është rritur nga shkurti në mars të këtij viti me 12.6%.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta që po vazhdon ka shkaktuar “një valë tronditëse” në tregun botëror të ushqimeve, tha FAO.

Ukraina dhe Rusia janë vende të rëndësishme në të cilat kultivohen grurë, misër dhe luledielli.  Po ashtu Ukraina është furnizuesi më i madh me ushqime i Programit Botëror të Ushqimit (WFP). WFP shpërndan ushqime për 125 milionë vetë në mbi 80 vende anembanë botës. Nëse arat në Ukrainë nuk punohen tani, nuk do të ketë korrje dhe eksportet e grurit përmes porteve të Ukrainës do të mbeten të bllokuara për shkak të luftës, situata për shumë shtete dhe zona krize do të bëhet shumë kritike.

Për shkak të luftës në Ukrainë si dhe të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë eksportet dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë gjë që ka prekur rëndë tregjet dhe ka shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve.

09:33 – CIA: Nuk mund të trajtohet “me lehtësi” kërcënimi rus për armët bërthamore

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns ka thënë se kërcënimi i Rusisë se potencialisht mund të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, nuk mund të merret me lehtësi, mirëpo agjencia nuk ka parë shumë të dhëna që përforcojnë këtë shqetësim.

“Duke marrë parasysh dëshpërimin potencial të presidentit (rus, Vladimir) Putin dhe udhëheqësisë ruse, duke marrë parasysh zmbrapsjet që i kanë përjetuar, askush prej nesh nuk mund ta trajtojë me lehtësi kërcënimin që vjen nga mundësia e përdorimit të armëve bërthamore”, ka thënë Burns gjatë një fjalimi më 14 prill.

Burns ka folur për “dëshpërimin potencial” dhe zmbrapsjet të cilat i ka përjetuar Putini, forcat e të cilit janë përballur me humbje të mëdha dhe janë detyruar të largohen nga disa pjesë në veri të Ukrainës, pasi kanë dështuar që të marrin kontrollin e Kievit.

Kremlini ka thënë se e ka vënë forcën bërthamore në gatishmëri të lartë, pasi ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button