BERZH me vlerësime të shkëlqyera për aplikimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e deponive rajonale në vend

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i ka dhënë 73 pikë dhe e ka vlerësuar me termat “i mirëmenaxhuar” dhe “gjithëpërfshirës” aplikimin e qeverisë për kredinë në vlerë 55,3 milionë euro për ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve të BE-së për pesë rajonet në vend. Në fillim të qershorit të këtij viti, banka duhet të shpallë vendimin përfundimtar për mbështetjen financiare të projektit, për të cilin bartëse e realizimit është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, raporton Meta, përcjell Portal.mk.

Projekti kapital për menaxhimin e mbeturinave si kredi është i ndarë në dy transhe, 47,5 milionë euro do të investohen në ndërtimin e deponive rajonale në rajonin e Pollogut, si dhe në rajonin e planifikimit të Pellagonisë dhe atë në Jugperëndim. Sipas projektit do të duhet të ndërtohet deponia e re rajonale “Rusino” (Pollog), si dhe deponia rajonale në një pjese të hapësirës së Minierës së mëparshme të qymyrit “Suvodoll” (Pellagoni).

Përveç investimit në deponi moderne rajonale, do të ndërtohen stacione për transferimin e mbeturinave në secilin prej këtyre rajoneve të planifikimit, do të ndërtohen sisteme për depozitimin e mbeturinave të mëdha dhe do të mbyllet deponia ekzistuese komunale e Manastirit në Novaci, për të cilën prej vitesh shkruhet për rrezikun që ia shkakton shëndetit të njeriut dhe mjedisit jetësor.

Me këstin e dytë prej 7.5 milionë euro do të financohet ndërtimi i deponisë rajonale për rajonin e planifikimit Juglindor dhe Vardar, i cili do të gjendet në komunën e Vasilevës, së bashku me stacionet për transferimin e mbeturinave në vetëqeverisjet lokale.

Njëkohësisht, do të sigurohen kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave, automjete komunale për transportin e mbeturinave dhe pajisje të përshtatshme për kompanitë e shërbimeve publike për të gjitha komunat nga pesë rajonet.

Projekti do të mundësojë menaxhim modern të mbetjeve për rreth 1 milion banorë, ndërsa nga Bashkimi Evropian ngritjen e sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve në vend e vlerësuan si një nga prioritetet kombëtare në procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Sipas vlerësimeve nga BERZH, cilësi parësore është menaxhimi i mirë i projektit për deponitë rajonale. Me realizimin e tij, në Komisionin Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit do të themelohet një sektor i veçantë për mbetjet e ngurta, i cili në të ardhmen do të zgjerojë kompetencat dhe do të pranojë asistencë teknike për ngritjen e një departamenti të ri, që do të përgatisë tarifat për mbetjet.

“Në kuadër të projektit, MMJPH, për herë të parë në vend, do të integrojë kërkesat gjithëpërfshirëse të prokurimit në sektorin e mbetjeve të ngurta, duke i hapur ato për mundësitë e punësimit të grupeve që janë në rrezik. Kërkesat për gjithëpërfshirje (inkluzivitet) do të zbatohen në të paktën dy nga tre tenderët rajonalë, duke i inkurajuar kontraktuesit të ofrojnë trajnime në vendin e punës për popullatën lokale, duke përfshirë gratë dhe romët”, thuhet në vlerësimin pozitiv nga BERZH.

Qeveria e RMV-së në maj të vitit të kaluar ka informuar se e kishte dërguar kërkesën për kredi në BERZH për sigurim të financave për ngritje të sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve në pesë rajone të vendit. Me miratimin nga BERZH, kjo kredi do të mundësojë mbyllje përfundimtare të deponive ekzistuese që ndodhen në çdo komunë dhe zëvendësimin e tyre me deponi rajonale ku bërlloku do të hidhet sipas standardeve të BE-së.

Ka kohë që “Meta.mk” shkruan për domosdoshmërinë e sigurimit të trajtimit modern të mbetjeve në vend, sasitë që i krijojnë qytetarët ndër vite janë duke u rritur vazhdimisht. Gjegjësisht, pjesa më e madhe e mbeturinave përfundojnë ose në deponitë komunale, që nuk kanë kritere të përshtatshme për depozitim të mbetjeve apo në deponi të paligjshme që qytetarët i krijojnë ilegalisht, duke e ndotur ashtu tokën, ujin dhe ajrin.

Së bashku me fondet e kërkuara nga BERZH në vlerë prej 55,3 milionë euro, për ngritjen e sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve në pesë rajonet do të nevojiten gjithsej 72,6 milionë euro.

Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, tashmë ka apeluar deri te komunat që të mos e pengojnë realizimin e deponive rajonale, duke theksuar se më në fund vendi është në gjendje të sigurojë mjete për ndërtimin e tyre.

“Nuk kemi nevojë të pranojmë kërkesa nga komunat çdo vit për të bërë plane të reja të deponive dhe të kërkojmë lokacione të reja. E harxhojmë kohën tonë vetëm në përgatitje të dokumentacionit, nuk e di sa projekte dhe analiza i kemi, por nuk kemi asnjë investim dhe infrastrukturë të ndërtuar për trajtimin e mbetjeve në vend”.tha ministri Nuredini në janar të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button