Gjenerata Covid-19

Po mbaron edhe java e parë e grevës së arsimtarëve e cila filloi të hënën. E drejta e grevës dhe e drejta e protestës janë të drejta që garantohen nga kushtetuta, ligjet dhe dokumentet ndërkombëtare dhe janë pjesë e demokracisë në një vend. Janë procedura demokratike për realizimin e kërkesave të qytetarëve. Janë menyra të veprimit të cilat kanë ardhur në shprehje edhe në të kaluarën dhe do të jenë gjithmonë prezente në shoqëritë demokratike.

Njëherit, e drejtë poaq e rëndësishme është edhe e drejta e fëmijës për arsimim të rregullt dhe të vazhdueshëm. Kjo është e drejtë themelore e çdo fëmije e cila duhet të mbrohet dhe garantohet nga shteti, shkolla dhe shoqëria në përgjithësi. Pa arsimim të rregullt dhe cilësor fëmijës i mohohet e drejta për t’u zhvilluar dhe për t’u përgatitur për jetën që e pret si i rritur. Ka gjëra që mësohen në kohë të caktuara dhe prandaj planprogramet mësimore janë të parapara me orarin e caktuar të mësimdhënies dhe relaizimit të tyre. E drejta e fëmijës për arsimim të rregullt mbetet esenca e mirëqenies së fëmijës në një sistem demokratik.

Ka kohë që rregullsia në mësimdhënie është përsthatur me kushtet e jashtëzakonshme në të cilat kaluan edhe fëmijët gjatë këtyre dy viteve të fundit. Së pari karantinimi i përgjithshëm dhe humbja e mësimit derisa u improvizua mënyra e mësimdhënies në distancë. Pastaj një vit i plotë me mësim online për disa nxënës dhe me orë të shkurtuara për nxënësit që ndiqnin mësimin me prezencë fizike. Dhe tani ndërprerje e gjithë procesit mësimor për një javë të tërë e kushedi edhe për sa kohë tjetër për shkak të grevës së arsimtarëve.

A nuk ju duket se po sakrifikojmë shumë nga arsimimi i rregullt i fëmijëve tanë duke u pajtuar gjithnjë që fëmijët të mësojnë më pak, që fëmijët të mësojnë më shkurt, që fëmijët të mos shkojnë fare në mësim duke dhënë arsye të ndryshme të cilat mund të jenëj edhe legjitime? Po, legjitime dhe legale ishte arsyeja e ndërprerjes së mësimit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, por ata që humbën më së shumti ishin pikërisht fëmijët që u detyruan të shkëputen nga bankat shkollore për një periudhë vërtet mjaft të gjatë kohore. Po, legjitime dhe legale është edhe e drejta e grevës së mësimdhënësve, por edhe fëmijët kanë të drejtat e tyre të cilat po sakrifikohen tani më vite me rradhë.

Pasojat e kësaj neglizhence të theksuar ndaj të drejtës themelore të fëmijëve për arsim do ti ndjejnë pikërisht ata fëmijë disa prej të cilëve ende nuk arrijnë të shkruajnë e të lexojnë si duhet pas gjithë këtyre viteve të mësimit në kushte të jashtëzakonshme.

Me gjithë respektin për të drejtën e grevës së arsimtarëve, i ftoj të gjithë të mendojnë se çfarë po bëjmë kështu për të ardhmen e fëmijëve tanë? Kur do ta kopmenzojnë fëmijët këtë humbje të madhe në procesin e arsimimit të tyre? Çfarë përgatitje u japim fëmijëve tanë për t’u ballafaquar me problemet e së ardhmes të cilat ende edhe vet nuk i njohim? A bëjmë vërtet maksimumin për fëmijët tanë apo ia kemi lënë fatit vendimet e rëndësishme për jetën dhe të ardhmen e tyre?

Mendoj se si shoqëri mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë. Ajo që bëjmë ne tani si individë, si mësimdhënës, si politikanë dhe si shoqëri do të reflektojë në ardhmërinë e këtij vendi. Sepse ardhmëria janë fëmijët. E fëmijët, për fat të keq, për një arsye apo për një tjetër, po na mbesin të paarsimuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button