Dita 50: Gjermania konfiskon jahtin më të madh në botë në pronësi të oligarkut rus

Rusia sot njoftoi se anija kryesore e marinës së saj në Detin e Zi ishte dëmtuar rëndë dhe ekuipazhi i saj u evakuua pas një shpërthimi që një zyrtar ukrainas tha se ishte rezultat i një sulmi raketor të lëshuara nga Ukraina. Kryqëzori i raketave Moskva u ndërtua në fillim të viteve 1980 në ish BRSS. Ishte anija kryesore e flotës sovjetike të klasit Projekti 1164 Atlant. Fillimisht u quajt Slava, por më vonë u quajt Moskva (Moskë). Kryqëzori – i cili u bë flamuri i Flotës së Detit të Zi në 2000 – luajti një rol kyç gjatë fushatës ushtarake të Rusisë në Siri, e cila filloi në 2015. Ndërkohë, është rënë dakord për hapjen e nëntë korridoreve humanitare për evakuim, një përpjekje për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në qytetet e rrethuara në të gjithë Ukrainën, transmeton Portalb.mk.

23:27 – Gjermania konfiskon jahtin më të madh në botë në pronësi të oligarkut rus

Gjermania ka konfiskuar superjahtin më të madh në botë që është në pronësi të oligarkut rus, Alisher Usmanov.

Ky konfiskim është në kuadër të veprimeve të Gjermanisë pasi ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.

Jahti “Dilbar” i gjatë 156 metra, vlerësohet se kap vlerën e 555 milionë eurove, sipas revistës Forbes.

Tetorin e kaluar, ky jaht ishte ankoruar në Hamburg për t’u riparuar.

Për javë të tëra, dogana gjermane ka synuar që ta konfiskojë këtë jaht, por për shkak të paqartësive mbi pronësinë e tij nuk kishte arritur të ndërmerrte veprime.

Por, Policia federale gjermane la të kuptohet se ka pasur sukses “pas hetimeve të gjata, dhe pavarësisht nga fshehja përmes kompanive ‘offshore’, ka identifikuar pronaren e ‘Dilbar’, e që është Gulbakhor Ismailova, motra e Alisher Usmanovit”.

“Ky jaht luksoz tani është nën regjimin e sanksioneve dhe kështu që mund të konfiskohet në Hamburg”, shkroi policia në Twitter.

Miliarderi rus dhe motra e tij janë në listën e sanksioneve evropiane kundër oligarkëve rusë, por edhe familjarëve të tyre.

Usmanov, 68 vjeç, më 2021 ishte personi i gjashtë më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një liste të publikuar nga Sunday Times.

Ai dhe dhjetëra oligarkë rusë janë sanksionuar nga Perëndimi qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Të mërkurën, klubi anglez i futbollit, Everton, pezulloi marrëveshjet e sponsorizimit me disa kompani, në të cilat Usmanov ka aksione.

Konfiskimi i “Dilbar” është një prej disa konfiskimesh të superjahteve ruse që janë nën sanksionet perëndimore.

17:28 – Ukraina është një skenë krimi, alarmojnë prokurorët ndërkombëtarë

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, shkoi dje në Buça për të parë nga afër varrezat masive në këtë qytet të Ukrainës. Ai u tha gazetarëve se “Ukraina është një skenë krimi”. Shtetet e Bashkuara thonë se do të ndihmojnë në dokumentimin e këtyre krimeve.

Prokurorë për krime lufte vizituan qytetin Buça, në afërsi të kryeqytetit ukrainas, ku ekspertë të kriminalistikës filluan punën në kërkim të dëshmive për krime lufte.

“Çdo individ, në veçanti civilët, kanë të drejta të caktuara. Duhet të flasim për ta, të këmbëngulim në të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Pastaj gjykatësit do të përcaktojnë nëse ka përgjegjësi”, tha Karim Khan, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke folur me gazetarët.

Gjykata Ndërkombëtare Penale me bazë në Hagë, ka filluar hetimet nën dyshimet se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë. As Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të kësaj gjykate. Diplomatja më e lartë amerikane në Ukrainë, tha se bota e di se presidenti Putin po gënjente kur pretendoi se mizoritë e kryera në qytete të ndryshme të Ukrainës ishin “të falsikuara” ose “të inskenuara”.

“Bota e di se ai është përgjegjës për shpërthimin në stacionin e trenit në Kramatorsk. Ai është përgjegjës për krimet e kryera në Buça, për shkatërrimet në Mariupol dhe Kharkiv. Ai nuk mund të fajësojë dikë tjetër dhe bota e di këtë”, tha Kristina Kvien, ushtruese e detyrës së ambasadores amerikane në Ukrainë.

Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price u pyet vazhdimisht për arsyet pse Shtetet e Bashkuara nuk po ndiqnin hetimet e veta për krime lufte në Ukrainë dhe nëse presidenti Joe Biden ishte nxituar në përdorimin e fjalës “gjenocid”.

“Ne jemi të angazhuar të punojmë me partnerë në mbarë botën, por në radhë të parë me ata ukrainas, duke i ndihmuar në mbledhjen, ruajtjen, dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive të mizorive dhe krimeve të mundshme të luftës dhe po, nëse arrihet pragu ligjor, gjenocidit. Ne po punojmë shumë ngushtë me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, e cila ka krijuar një ekip me qëllim të ngritjes së akuzave dhe ndjekjeve të mundshme penale”, tha ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskky ka kërkuar që presidenti rus Putin të sillet para një gjykate ndërkombëtare.

“Të gjitha vendet udhëheqëse të botës e kanë dënuar sulmin e Rusisë në Kramatorsk. Ne presim një përgjigje të fortë globale ndaj këtij krimi lufte. Ashtu si masakrat në Buça dhe shumë krime tjera ruse të luftës, sulmi me raketa në Kramatorsk duhet të jetë një nga akuzat, gjë që do të ndodhë”, tha zoti Zelesnkyy.

Eskpertët thonë për Zërin e Amerikës se për sa kohë që ushtarët rusë qëndrojnë në Rusi, qasja tek ta është pothuajse e pamundur. Por analistët thonë se gjykimi i krimeve të luftës për të “turpëruar dhe fajësuar” autorët mund të ketë ndikim.

“Mbajtja e gjyqeve për krime lufte, qoftë dhe në mungesë, mund të ketë ndikim frenues sepse ushtarët me grada më të ulëta mund të thonë, ‘unë nuk dua ta rrezikoj veten nga ndjekja e mundshme për krime lufte’. Në thelb, kjo do të thotë se keni ngecur në Rusi për gjithë jetën, sepse nëse largoheni mund të ndiqeni penalisht kudo, nën atë që quhet juridiksion universal. Kjo vlen edhe për Vladimir Putinin”, thotë Alexander Downes nga Universiteti George Washington.

Të martën, presidenti rus Putin tha se raportimet për krime lufte në Buça janë të sajuara, por pa ofruar asnjë provë që vërteton të kundërtën e dëshmive të mbledhura në varrezat masive dhe raportet e shumta të dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes.

15:12 – Kryetari i Mariupolit thotë se qyteti do të vazhdojë të luftojë

Kryetari i qytetit të Mariupolit, Vadym Boichenko, i tha transmetuesit gjerman ARD të enjten në mëngjes, 14 prill, se “Mariupoli ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë një qytet ukrainas”.

Boichenko i quajti lajme të rreme raportet ruse se porti i qytetit ishte kapur dhe se më shumë se 1000 luftëtarë ukrainas ishin dorëzuar.

Përderisa nuk gjendet në Mariupol, Boichenko thuhet se është ende në Ukrainë, transmeton REL.

Qyteti, në brigjet e detit Azov, është ende duke u mbrojtur nga regjimenti Azov i ushtrisë ukrainase dhe këmbësoria detare, tha Boichenko.

Qyteti ka qenë i rrethuar nga trupat ruse dhe separatistët pro-rusë për javë të tëra.

Pjesa më e madhe e tij është shkatërruar dhe kushtet humanitare për banorët e mbetur janë katastrofike.

Ndërkohë, rusët vazhduan të bombardojnë rajonet e Harkivit, Donjeckut dhe Zaporizhjas gjatë natës, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas në raportin e tij të mëngjesit të së enjtes.

Ukraina po parashikon një tjetër shkallë të gjerë të ofensivës së rusëve në lindje të vendit.

12:14 – Rusia paralajmëroi NATO-n kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës

Rusia të enjten paralajmëroi NATO-n se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj dhe se nuk mund të flitet më për një Baltik “të lirë nga armët bërthamore”.

“Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Baltikun – ekuilibri duhet të rivendoset,” tha Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

“Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk do të merrte”, tha Medvedev.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, të mërkurën tha se Helsinki është afër marrjes së vendimit që “brenda javësh” të aplikojë për anëtarësim në NATO, në ndërkohë që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po vazhdon.

“Unë mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”, tha kryeministrja Sanna Marin para gazetarëve të mërkurën më 13 prill në Stokholm.

Homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, paralajmëroi gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për shtetin e saj, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, duke thënë në të njëjtën konferencë për shtyp se, për shkak të situatës së sigurisë, Stokholmi po kërkon gjithashtu t’i bashkohet NATO-s.

Anëtarësimi në NATO i njërit prej këtyre shteteve – ose i të dy shteteve – do të ishte një ndryshim i madh për sigurinë e Evropës dhe një tregues se sa të tronditura janë shumë vende evropiane nga pushtimi rus.

11:29 – Gripi i shpezëve dhe lufta në Ukrainë rrisin çmimin e vezëve

Shpërthimet e gripit të shpezëve në Shtetet e Bashkuara dhe Francë po shtrëngojnë furnizimet globale të vezëve dhe po rrisin çmimet e tyre ndërkohë që Ukraina ka ndërprerë dërgesat në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Çmimet më të larta janë veçanërisht të dhimbshme për konsumatorët që mbështeten te vezët si një burim me kosto të ulët të proteinave dhe zëvendësues për mishin më të shtrenjtë.

Gripi i shpezëve ka zhdukur më shumë se 19 milionë pula në fermat komerciale të SHBA-së këtë vit në shpërthimin më të keq që nga viti 2015.

Ndërkohë, Franca po vuan shpërthimin e saj më të keq ndonjëherë, në të cilin rreth 8 për qind e pulave që bëjnë vezë janë asgjësuar.

Kur shpendët infektohen, tufa të tëra shkatërrohen për të frenuar sëmundjen, e cila shpesh përhapet nga zogjtë e egër.

Virusi vdekjeprurës dhe lufta në Ukrainë janë sfidat më të fundit për furnizuesit e vezëve që po përballen gjithashtu me mungesën e fuqisë punëtore dhe kostot e larta për energjinë dhe drithin e përdorur për ushqimin e kafshëve.

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën me gati 13 për qind në mars, duke arritur një rekord të ri, pasi lufta në Ukrainë, një eksportues i madh i grurit dhe misrit, rriti çmimet e grurit, tha agjencia e ushqimit e OKB-së.

Çmimet e vezëve pritet të qëndrojnë të larta, thanë prodhuesit, pasi do të duhen muaj për të rifilluar operacionet në fermat e infektuara.

Infeksionet gjithashtu pengojnë punën në objektet që përpunojnë vezët në produkte si vezët e thata dhe vezët e lëngshme të përdorura në artikujt ushqimorë si përzierjet e ëmbëlsirave.

“Industria e produkteve është në një panik të përgjithshëm,” tha Marcus Rust, shefi ekzekutiv i Rose Acre Farms, prodhuesi i dytë më i madh i vezëve në SHBA.

Virusi H5N8 është virus vdekjeprurës për shpezët në ferma dhe shpezët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë punëtorë të një ferme u infektuan në Rusi me këtë virus.Ky virus është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014.

Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum dhjetë ditë, për të kontrolluar simptomat.

09:26 – U arrit marrëveshje për nëntë korridore humanitare më 14 prill

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se kanë rëndë dakord për nëntë korridore humanitare për evakuimin e civilëve të enjten.

Kjo përfshin evakuimin me vetura private nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Rrugët e tjera të evakuimit janë nga Berdiansk, Tokmak dhe Enerhodar.

“Ato në rajonin lindor të Luhansk do të funksionojnë nëse forcat pushtuese ruse ndalojnë granatimet e tyre”, shtoi Vereshchuk në një deklaratë.

Zyrtarët ukrainas gati çdo ditë tentojnë të hapin rrugë për evakuimin e civilëve nga Mariupoli.

Në këtë qytet kanë mbetur të bllokuar mijëra civilë, teksa bombardimet dhe luftimet e ashpra po vazhdojnë.

Shumica e tentimeve për evakuim, megjithatë kanë dështuar, dhe Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit.

08:46 – OKB: Lufta në Ukrainë mund të shkatërrojë shumë shtete të varfra

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim, të cilat tani po përballen me kosto edhe më të larta të ushqimit dhe energjisë dhe kushte gjithnjë e më të vështira financiare, ka paralajmëruar një grup pune i Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres publikoi raportin më 13 prill, duke thënë se lufta po e rrit një krizë në ushqim, energji dhe financa në vendet më të varfra që tashmë po luftonin për t’u marrë me pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike dhe mungesën e qasjes në financimin e duhur për rimëkëmbjen ekonomike.

“Tani po përballemi me një stuhi të përsosur që kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim”, u tha Guterres gazetarëve.

“Afërsisht 1.7 miliardë njerëz – një e treta e të cilëve tashmë jetojnë në varfëri – tani janë shumë të ekspozuar ndaj ndërprerjeve në ushqim, energji dhe sistemet e financave që po shkaktojnë rritje të varfërisë dhe urisë”, tha ai.

Guterres përmendi gjithashtu faktin se 36 vende importojnë më shumë se gjysmën e grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina.

Rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, duke ardhur në krye të borxheve dërrmuese të shumë vendeve të varfra, mund të çojë në paqëndrueshmëri sociale dhe politike, tha Guterres.

Ai bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës në Ukrainë, heqjen e kufizimeve të eksportit, investimet në energjitë e rinovueshme dhe mbështetje financiare për vendet në zhvillim.

Rusia është eksportuesi kryesor në botë i gazit natyror dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës ndërsa Rusia dhe Bjellorusia fqinje eksportojnë rreth 20 për qind të plehrave fertilizuese në botë.

Guterres tha se çmimet e naftës janë rritur më shumë se 60 për qind gjatë vitit të kaluar, çmimet e gazit natyror janë rritur me 50 për qind në muajt e fundit dhe çmimet e plehrave janë dyfishuar.

Task-forca u bën thirrje vendeve të sigurojnë një rrjedhë të qëndrueshme të ushqimit dhe plehrave përmes tregjeve të hapura, të heqin kufizimet e eksportit dhe të drejtojnë tepricat dhe rezervat për ata që kanë nevojë. Guterres tha se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e çmimeve të ushqimeve dhe qetësimin e paqëndrueshmërisë në tregjet ushqimore.

Sa i përket energjisë, grupi i punës u kërkon qeverive të përmbahen nga grumbullimi, të lëshojnë menjëherë rezervat strategjike të naftës dhe rezervat shtesë dhe të reduktojnë përdorimin e grurit për biokarburante.

Guterres u kërkoi vendeve që të përdorin krizën si një mundësi për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme.

Sa i përket financave, grupi i punës lëshoi “një thirrje urgjente për veprim të shpejtë dhe të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar” për të ndihmuar vendet në zhvillim të shmangin një dekadë tjetër të zhvillimit të humbur ekonomik, “një krizë të përgjithësuar borxhi dhe paqëndrueshmëri sociale dhe politike”.

Lufta në Ukrainë nisi me një sulm nga Rusia më 24 shkurt. Pas këtij sulmi, Rusia u përball me sanskione të ashpra nga Perëndimi.

Lufta në Ukrainë ka prodhuar mijëra të vdekur dhe miliona refugjatë.

Ndikimi në ekonomi që nga nisja e luftës në Ukrainë, është vërejtur edhe në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button