Magazinat përplot me vaj gatimi në RMV, raftet e dyqaneve të zbrazëta sepse tregtarët nuk kanë interes te shesin pa marzhë

Depot e kompanisë nga Velesi “Masllodajna” janë përplot me vaj për gatim, ndërsa raftet e marketeve janë bosh, vaj nuk ka. Kështu është situata në Shkup, Manastir dhe qytete të tjera të vendit. Më shumë se 500 tonelata vaj gatimi të ambalazhuar është gati për shitje, por interesi për të është i vogël. Kjo mungesë interesi vjen pasi shteti hoqi dorë nga fitimi – TVSH-ja, por edhe i kufizoi tregtarët të mos kenë marzhë për këtë produkt bazë, së bashku me miellin e tipit 400, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

“Kemi rezerva të mjaftueshme të vajit për gatim. Ne si prodhuesi më i madh i lulediellit e jemi siguruar dhe nuk jemi të varur nga importi në këtë periudhë. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, punojmë pa ndërpre dhe i plotësojmë nevojat e tregut. Çdo tregtar që do të na drejtohet mund të furnizohet me vaj gatimi, çdo ditë. Nuk vrapojmë për të siguruar vaj të rafinuar. Nuk presim që Serbia apo ndonjë shtet tjetër të lejojë eksportin e vajit bruto. Pavarësisht a do të lejohet, ne kemi sasi të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tregut në Maqedoni”, tha Goran Llazov, drejtor i përgjithshëm i “Masllodajna”.

Tha se ka katër vite që punojnë si fabrikë për kthimin e lulediellit, por edhe të repës për vaj në arat e Maqedonisë, për të pasur lëndë të parë për punë. Garantojnë blerje të rendimenteve, sigurojnë material për farë, ndihmë për plehra. Por, megjithatë varen nga importi i lulediellit.

“Konsumatorët duhet të dinë se kriza nuk do të përfundojë në një apo dy muaj, por do të zgjasë shumë. Ka të bëjë me çmimin e vajit të gatimit. Nuk do të bjerë në të ardhmen e afërt. Nëse stabilizohet këtu, në çmimin aktual, do të jetë mirë”, thotë Llazov.

Prodhuesi i Velesit, i vetmi në vend, blen dhe prodhon vaj luledielli. Fatkeqësisht, për shkak të sipërfaqeve të pakta të mbjella, vjeshtën e kaluar u blenë vetëm 4 mijë tonelata luledielli vendor, me të cilin mund të plotësohen kërkesat e tregut vetëm për një muaj. Për të plotësuar nevojat e tregut në Maqedoni për një vit nevojiten së paku 30 mijë tonelata luledielli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button