Dita e tretë e grevës: SAShK pret ftesën e Qeverisë, Shaqiri i gatshëm të rialokojë fonde nga buxheti i MASh-it për rritjen e pagave në arsim

Si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, jam i gatshëm të bëj lëshime nga disa investime dhe aktivitete të tjera të përcaktuara në programin e punës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë vit kalendarik, të cilat shkaktojnë implikime fiskale, me qëllim që të sigurohen më tepër fonde që do të sjellin më afër përqindjes së rritjes së pagave të mësimdhënësve që kërkon SASHK-u, tha sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në emisionin “Programi 200″ në TV Alsat, transmeton Portalb.mk..

Ai, siç theksoi, ka pyetur edhe ministrat e tjerë në Qeveri, duke shtuar se e sheh një opsion përmes të cilit mund të arrihet zgjidhje në kuadër të dialogut social me SAShK-un, duke shtuar se negociatat me Sindikatën janë duke u intensifikuar dhe se deri në fund të kësaj jave shpreson të arrijë një marrëveshje.

“Greva ka filluar dhe ne po kërkojmë zgjidhje për ta tejkaluar situatën sa më shpejt. Sigurisht se Qeveria do t’i paraqesë Sindikatës një propozim, i cili do të jetë i përshtatshëm për mundësitë buxhetore dhe shpresoj i pranueshëm për SASHK-un. T’i kthejmë fëmijët në shkollë dhe pastaj do të diskutojmë se si të kompensojmë orët e munguara”, tha Shaqiri, duke shtuar se angazhimi i qeverisë është të gjejë një zgjidhje sistematike që do të rrisë pagat e stafit të arsimit me çdo rritje të pagës minimale.

Ai shtoi se qëndrimi i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është që pagat e mësimdhënësve të rriten, kurse përmes rrugës së negociatave duhet të përcaktohet mënyra më e mirë që të bëhet një gjë e tillë.

“Nëse do të kishim menduar që pagat të mos rriten, do t’i kishim kundërshtuar takimet e para me SAShK-un dhe do t’i kishim ndërprerë negociatat. Por nuk e bëmë këtë. Në çdo takim kemi theksuar se duhet parë çdo mundësi e mirë për t’i rritur ato. Por, dy vitet e fundit kishim krizë shëndetësore dhe të gjithë e dimë se si funksionoi sistemi arsimor në atë situatë. Edhe sindikata edhe unë e dimë se kemi luftuar për mbijetesë, vetëm për të mbrojtur shëndetin”, ka thënë Shaqiri.

Shaqiri theksoi se po bëhen analiza buxhetore për t’iu përgjigjur sa më parë kërkesës së SAShK-ut dhe të shihet se sa mund të përmbushet dhe cili është modeli më i përshtatshëm. Siç tha ai, është i kënaqur me rritjen e pagës minimale dhe mesatare, por suksesi do të arrihet kur këta dy tregues të harmonizohen me pagat në arsim.

Ai shtoi se sipas ndryshimeve në Ligjin për pagën minimale, të gjithë ata që marrin paga nën pagën minimale duhet të barazohen me pagën minimale, ndërsa pas miratimit brenda 6 muajve duhet të harmonizohen të gjitha pagat.

“Ne po e bëjmë këtë më shpejt, diskutojnë dhe shohim çdo mundësi. Prandaj them se kemi mirëkuptim dhe që nga kërkesa e parë sindikale e kemi marrë seriozisht zgjidhjen e sfidës”, shtoi Shaqiri.

Në ndërkohë, SAShK-u ende nuk ka marrë ftesë nga Qeveria apo ministritë resore për vazhdimin e negociatave lidhur me kërkesat e tyre për harmonizimin e pagave në sektorin e arsimit me pagën minimale. Këtë e ka bërë të ditur në Facebook, kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedelkov.

“Mirëmëngjes! Qoftë sot një ditë e lumtur për të gjithë ne. Të shpresojmë se sot do të thirremi në bisedime dhe do të na bëhet një ofertë e arsyeshme. Deri atëherë, fat!”, ka shkruar sot në mëngjes i pari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov në Facebook.

VMRO-DPMNE gjatë ditës së sotme njoftoi se do të propozojë ligjin për të niveluar koeficientin e kompleksitetit në arsim me pagën minimale dhe kërkoi nga partia në pushtet LSDM që ta mbështesë propozimin.

“Me nivelizimin e koeficientit të kompleksitetit të vendeve të punës në arsim me pagën minimale, do të ketë rritje të përgjithshme të pagave në arsim. I bëjmë thirrje deputetëve të LSDM-së, BDI-së dhe partive tjera në pushtet që ta përkrahin këtë propozim, i cili do t’i dërgohet Kuvendit, si dhe të gjitha partive opozitare”, thuhet në komunikatën e sotme nga VMRO-DPMNE.

Sot është dita e tretë e grevës së punonjësve në arsim e cila ka nisur më 11 prill. Grevë mbahet në shkollat ​​fillore, të mesme dhe kopshtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button