Mbi fajin, shpengimin dhe vendin e zymtë

Para se të pushtohej nga sovjetikët, Afganistani nuk ishte sinonim i terrorit, tiranisë, dhunës, anarkisë, gjakderdhjes, fanatizmit dhe prapambeturisë. Pasi gjërat shkuan ters, për këtë vend u fol vetëm me paragjykime. Veçanërisht pas vendosjes së regjimin të egër taleban. Tani përmendet si vend i pa prajshëm, ku është formuar një brez i traumatizuar dhe ku janë rritur fëmijë pa fëmijëri, të cilët, në vend të lapsit, e mbajtën armën në dorë.

“Vendin e zymtë ku koha matet vështirë”, siç e quan poeti Stephen Oliver-i (ose: vendin ku koha ka lëvizur mbrapsht), mund ta njohim nëpërmjet librave të Khaled Hosseinit. Aty shfaqen dy Afganistanë. Njëri i panjohur.

Shkrimtari Khaled Hosseini fitoi lavdi ndërkombëtare me romanin Gjuetari i balonave (Përktheu: Ledia Agolli, Omsca-1, Tiranë, 2003). Libri bestseller dhe i ekranizuar, që flet për Afganistanin gjatë monarkisë, pushtimit sovjetik dhe nën regjimin taleban është quajtur roman mbi miqësinë (e Amirit me Hasanin); mëkatin (e Amirit ndaj Hasanit); fajin (që ndjen Amiri pse s’i ka ndihmuar Hasanit); pengun (që e mbart me vete përgjatë jetës); shpengimin (pasi e shpëton Shohrabin, djalin e Hasanit); dashurinë (për gruan, njerëzit, atdheun); luftën (që e mbyt vendin) dhe ekzilin (që ndodh si pasojë e luftës).

***

Ngjarjet në roman zhvillohen sipas rendit kronologjik. Ndodhin në Afganistan, Pakistan dhe SHBA. Rrëfehen nga Amiri – një pashtun prej një familje të pasur, i cili shoqërohet me shërbëtorin e familjes, Hasanin – një hazara i varfër.

Dy fëmijët jetojnë si vëllezër. Ata shquhen në lojën e balonave. Pastaj ndodh kthesa. Hasani, i pa ndihmuar nga Amiri, përdhunohet nga Assefi. Amiri, pasi nuk ka mundur ta ndihmojë mikun shpirtmirë, e sheh të pamundur miqësinë me të. E sajon kinse një vjedhje nga Hasani. Akuzën s’e përballon Aliu krenar, babai nominal i Hasanit. Të dy largohen nga shtëpia. Kjo skenë mbetet e fiksuar në kujtesën e Amirit. Ai jeton me ndjenjën e fajit dhe dëshirën për shpengim…

***

Në roman shumëçka lidhet me fëmijërinë. E kaluara e burrëron Amirin. Gjithashtu, jeta e tij dhe e të tjerëve diktohet nga tronditjet shoqërore dhe nga faktorët e jashtëm. (“Në fund fiton gjithmonë bota. Kështu është jeta”).

Për të shpëtuar nga pushtimi sovjetik, Amiri dhe babai shpërngulen në Amerikë. Kur duket se ka arritur paqen, Amiri kontaktohet nga miku i babait, Rahimi. Ai i tregon se Hasani dhe gruaja e tij Farzana janë vrarë nga talebanët, kurse djali i tyre, Sohrabi, jeton në jetimore ku keqtrajtohet nga talebanët. Amiri, tani mjek, niset drejt atdheut ku ligjin e bëjnë talebanët. Ai rrezikon gjithçka për ta shlyer fajin. Në atdheun e trazuar përballet me Aseffin, përdhunuesin e dikurshëm, tani një taleban. Pas shumë mundimesh ia del ta shpëtojë Sohrabin. Në atdhe e mëson se Hasani ishte i vëllai i tij nga i ati…

***

Amiri është protagonisti. Ai rrëfen për ngjarjet që rrjedhin sipas rendit shkak – pasojë. Amirin kudo e ndjek ndjenja e fajit. Edhe në Amerikë. Ai e rrezikon jetën për ta shpëtuar Sohrabin, sepse e dëshiron paqen me ndërgjegjen e tij.

Hasani është i zgjuar, i ndershëm, i përkulur. Ashtu si Krishti, ai sakrifikohet për të tjerët dhe është i paaftë ta lëndojë dikë tjetër. Si biri i një shërbëtori, ai e di vendin në shoqëri. Hasani është i përçmuari, sepse është “Tjetri”. Është “vetëm një hazara”.

Aliu, i ati nominal i Hasanit, është i varfër dhe i ndershëm.

Babai i Amirit është tregtar, i guximshëm, liberal, krenar, fjalëpakë dhe kokëfortë.

Rahimi është mendjehapur. Ai beson se prindërit nuk mund ta ndryshojnë jetën e fëmijëve.

“Fëmijët nuk janë libra me figura që mund t’i ngjyrosim sipas qejfit”, thotë ai.

Sofia Akrami, nëna e Amirit, përshkruhet si grua e fisme, pedagoge universitare, e  cila ka vdekur gjatë lindjes së Amirit.

Aseffi është i pamëshirshëm. Ai e kërkon vetëplotësimin nëpërmjet ideologjive.

Gruaja e Amirit është mendjehapur, e kulturuar, e fisme, humane dhe me botëkuptim liberal për martesën.

Sohrabi është jetimi i persekutuar dhe hazarai i traumatizuar, që tenton të bëjë vetëvrasje. Edhe nga komuniteti afgan në Amerikë shihet si “i ndryshëm”. Për pashtunët është “djaloshi hazara”, por jo edhe për Amirin. “Ai është Sohrab dhe jo ‘djaloshi hazara’”. Sohrabin e rëndon trauma edhe në Amerikë, ku vlejnë rregulla të reja.

“E mora nga rrëmuja e sigurt dhe e hodha në rrëmujën e pasigurisë”, thotë Amiri.

Një buzëqeshje e Sohrabit dëshmon se ai është kthyer në botën reale.

***

Gjuetari i balonave është roman ku kemi përplasjen e vetëdijes paratotalitare dhe asaj totalitare. Është roman për një shtet normal që kalon në anarki, për një vend në proces shkatërrimi pa “certifikata të lindjes dhe vdekjes”, ku njerëzit janë “turistë në vendin e vet”, ku të persekutuarit bëhen persekutues.

Gjuetari i balonave është roman mbi kontradiktat dhe animozitetet në shoqërinë afgane; roman mbi etnopsikologjinë, traditat, doket e zakonet e grupeve të ndryshme etnike; mbi “Tjetrin” e ndryshëm dhe të paragjykuar; mbi ëndrrat, dëshirat dhe vuajtjet afgane; mbi tmerret dhe ndëshkimet e pamëshirshme që ndodhin në këtë vend; mbi masakrimin e hazarëve nga regjimi i talebanëve; mbi raportet ndërmjet burrit e gruas; mbi martesat pa dashuri (Aliu dhe Sanubari); mbi mëkatin e vetëm: vjedhjen.

“Kur vret një njeri, i ke vjedhur jetën. Vjedh të drejtën e gruas për të pasur një burrë, u vjedh fëmijëve babanë. Kur i thua një gënjeshtër dikujt, i vjedh të drejtën për të njohur të vërtetën. Nëse tradhton i vjedh të drejtën për besnikëri”, thotë i ati i Amirit.

***

Romani na krijon kënaqësi estetike dhe na mundëson ta kuptojmë thelbin e problemit afgan. Mësojmë për shkaqet që çuan në dekompozimin e shtetit; për transformimet rrënjësore shoqërore, politike e shpirtërore; për përplasjet ndërmjet grupeve etnike e religjioze. Mësojmë për popullin që dëshiron të jetë i pavarur; që i respekton traditat e veçanta dhe i urren rregullat; që ka prirje për ekzagjerim; që udhëhiqet sipas kryefjalës: nder dhe krenari; që e pëlqen garën me poezi të quajtur sherjangi apo pasionin kombëtar që quhet buzkashi. Mësojmë për regjimin taleban, ku fjalën kryesore e ka aparati ushtarak dhe Ministria e Vesit dhe Virtytit; ku para çdo ndeshje futbolli ekzekutohen njerëz, si “edukim i masave” nëpërmjet terrorit; ku shkatërrohet trashëgimia kulturore. Pra, pasi është shkatërruar e tashmja tentohet të shkatërrohet e kaluara shumështresore, që është pasuri botërore.

Nëpërmjet romanit e njohim Afganistanin siç ishte dhe siç është – një vend ku jetojnë njerëz sikurse ne, të aftë si ne, të cilët, nëse do të jetonin në rrethana normale, në shoqëri normale, atëherë nuk do të dallonin nga paragjykuesit e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button