Rekomandimi për mësimdhënie me prani fizike i “ngatërroi” studentët në Maqedoninë e Veriut, shumica e fakulteteve nuk e ndryshojnë modelin

Rekomandimi i Qeverisë që mësimi në fakultete të vazhdojë me prani fizike i befasoi edhe universitetet edhe studentët. Pjesa më e madhe e institucioneve të arsimit të lartë, të cilët gjatë dy viteve të fundit e kanë aplikuar modelin e kombinuar të mësimdhënies, do të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë deri në fund të vitit aktual akademik, por disa nga fakultetet po e rikthejnë mësimin në amfiteatro dhe sallat e ligjëratave, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në seancën e 34-të, që Qeveria e mbajti më 29 mars, ndër masat e tjera për lehtësim të kufizimeve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, u konstatua se fakultetet mund të vazhdojnë mësimin me prani fizike, duke i respektuar masat e rekomanduara për parandalimin e Kovid-19.

“…të fillojë mësimi me prani fizike në fakultetet në vend duke i respektuar masat e rekomanduara për parandalimin e koronavirusit, mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura, ruajtjen e distancës fizike 1-2 metra, pastrimin e shpeshtë të duarve me dezinfektim të detyrueshëm para hyrjeve në sallat e ligjëratave, amfiteatro, palestra, gjegjësisht mos grupim dhe ajrosje të shpeshta të ambienteve të mbyllura, si dhe rekomandim për vaksinimin e studentëve dhe stafit mësimdhënës të fakulteteve në vend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë pas seancës së mbajtur.

Ky konkluzion i Qeverisë i “ngatërroi” universitetet, përkatësisht disa prej tyre e kuptuan vetëm si rekomandim, ndërsa të tjerë si detyrues. Kjo, nga ana tjetër, shkaktoi reagim të studentëve, të cilët u gjendën në situatë se në mes të vitit akademik duhet të kthehen në fakultet.

Studentët nga brendia e shtetit nuk mund të gjejnë akomodim në mes të vitit

Disa studentë iu gëzuan kthimit në fakultet dhe shoqërimin me kolegët, por për shumicën e tyre problemi me kthimin në sallat e ligjëratave me prani fizike është se, ata që studiojnë jashtë vendbanimeve dhe gjatë dy viteve të fundit i kanë ndjekur mësimet onlajn nga shtëpia, tani nuk kanë akomodim në qytetet ku ndodhen fakultetet e tyre, ndaj ky rekomandim i befasoi.

“Nuk ka logjikë që në mes të vitit të ktheheni në fakultet. Nuk jam kundër pranisë fizike, por jo të gjithë studentët jetojnë në Shkup, kanë akomodim apo kanë aplikuar në konvikt, sepse kjo bëhet në fillim të vitit akademik, kurse akomodimi i një studenti nuk është aq i thjeshtë dhe i lehtë”, reagoi një studente e Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKIM) në Shkup.

“Çfarë të bëjnë studentët nga qytetet e tjera? Ku të kërkojnë apartament për dy muaj? Shpresoj se informacioni nuk është i saktë dhe universiteti do ta marrë parasysh këtë”, tha një studente tjetër.

Ndërsa disa fakultete i njoftuan studentët një ditë pas seancës së qeverisë se nuk do të ndryshonin modelin e mësimdhënies, disa universitete e kuptuan rekomandimin e qeverisë si një “vendim” dhe, pavarësisht autonomisë së tyre, nxituan t’i informojnë studentët se mësimi do të vazhdojë me prani fizike.

“Jemi të informuar se ky nuk është rekomandim, por konkluzion i Qeverisë, andaj nuk na mbeti tjetër veçse të fillojmë me prani fizike pas kolokiumeve të para”, ka shkruar një studente e Fakultetit Ekonomik në Prilep – Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit”.

Informacioni i tillë iu komunikua, nga administrata e fakulteteve, studentëve të disa universiteteve private, përfshirë Universitetin Sllav Ndërkombëtar (UNS) dhe Universitetin Evropian.

“Meta.mk” iu drejtua Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me konkluzionin e miratuar për mësimin me prani fizike, nga ku thonë se në seancë është miratuar rekomandimi i Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizave për përballjen me Kovid-19, por edhe se universitetet janë autonome kur bëhet fjalë për punën e tyre.

“Sipas legjislacionit, institucionet e arsimit të lartë në vend janë autonome, kur bëhet fjalë për funksionimin dhe organizimin e punës, ashtu që secili fakultet vendosë individualisht se si do të organizohet viti akademik – nëse ai do të realizohet nëpërmjet mësimit në distancë, me prani fizike ose i kombinuar”, thanë nga Qeveria.

Fakultetet e UKIM nuk do të ndryshojnë modelin, UKLO vazhdon mësimin me prani fizike

Iu drejtuam edhe disa universiteteve shtetërore dhe private me pyetjen nëse do të ndryshojnë modelin e mësimdhënies në dy muajt e fundit të këtij viti akademik. Pothuajse të gjitha universitetet në dy vitet e fundit kanë zhvilluar proces të kombinuar mësimor – me prani fizike dhe në distancë, varësisht nga specifikat e programeve të studimit, numri i studentëve dhe mundësitë hapësinore të fakulteteve.

Nga universiteti më i madh në vend, UKIM, thonë se janë duke i shqyrtuar rekomandimet e reja të qeverisë dhe presin mendim nga administrata e universitetit, por problemi kryesor me kthimin në mësime me prani fizike është mbajtja e distancës në grupe me më tepër studentë.

“Sigurisht që në periudhën në vijim do të merren parasysh rekomandimet e reja nga konkluzionet e Qeverisë për të krijuar kushte për kthimin e plotë të studentëve në sallat e ligjëratave në UKIM. Në këtë moment dilema mbetet rekomandimi për të mbajtur një distancë fizike 1-2 metra, gjë që do të pengojë grupe të mëdha nxënësish të ndjekin mësimin me prani fizike. Presim që së shpejti të marrim mendim edhe për këtë çështje. Gjithashtu duhet pasur parasysh se nuk mund të pritet që studentët nga brendia e vendit do t’ia dalin të qëndrojnë në Shkup në këtë periudhë të vitit, pra pothuajse në fund të semestrit veror”, tha prof. Hristina Spasevska, prorektore për mësimdhënie në UKIM.

Disa fakultete nga UKIM, përfshirë Fakultetin e Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) dhe Fakultetin e Mjekësisë, tashmë kanë vendosur që të mos e ndryshojnë modelin aktual të mësimdhënies, të paktën deri në fund të vitit aktual akademik.

“Sipas vendimit të Këshillit Mësimor-Shkencor në FINKI, semestri veror në vitin akademik 2021/2022 do të përfundojë plotësisht me mësimdhënie onlajn. Është e mundur që disa provime, për të cilat ka vështirësi në dhënien e provimeve onlajn, të kryhen me prani fizike në sesionin e provimeve në qershor”, thuhet në deklaratën për studentët e FINKI-t.

Nuk do të ketë ndryshim në mënyrën e mësimdhënies në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit (FEEIT), Fakultetin Ekonomik, Juridik, Filozofi dhe Inxhinieri Mekanike.

UKLO nga Manastiri, në anën tjetër, pas shqyrtimit të konkluzionit nga seanca e qeverisë, ka vendosur që mësimi të vazhdojë në fakultetet me prani fizike.

“Universiteti “Sh. Klimenti i Ohrit” – Manastir fillon me orë me prani fizike duke respektuar masat e rekomanduara për parandalimin e koronavirusit KOVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura, mbajtjen e distancës fizike, higjienën e shpeshtë të duarve me dezinfektim të detyrueshëm para hyrjeve të sallave dhe mos grupim dhe ajrosje e shpeshtë i hapësirave të mbyllura. Sipas anketës së studentëve nga fillimi i vitit akademik për çështjen e imunizimit, 68% e studentëve janë përgjigjur se janë vaksinuar dhe kanë statusin e mbulimit imunitar, që flet në favor të një tabloje solide epidemiologjike”, thotë prorektori për mësimdhënie në UKLO, prof. dr. Lupçe Koçoski.

Përgatitjet për kthimin e orëve në ligjërata dhe amfiteatro janë bërë në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD) në Shtip, ku thonë se i respektojnë rekomandimet e Qeverisë dhe ministrisë kompetente.

“Aktualisht punojmë në mënyrë hibride, gjegjësisht një pjesë e aktiviteteve janë onlajn, e disa janë me prani fizike nëpër klasa dhe laboratorë. Bordi i rektoratit ka marrë vendim me udhëzim për përgatitjen për t’u rikthyer në sallat e ligjëratave në periudhën në vijim. Aktualisht është java e kolokiumeve dhe provimeve në sesionin plotësuese të prillit që vijnë dhe rekomandohet të organizohen me prani fizike”, tha për “Meta.mk” Misko Xhidrov, prorektor për mësimdhënie dhe studentë të UGD-së.

Nga Universiteti Ndërkombëtar Sllav, ku studentët kanë reaguar se janë udhëzuar që të kthehen në mësim me prani fizike, në një përgjigje të shkurtër për “Meta.mk” thonë:

Mësimdhënia do të vazhdojë sipas udhëzimeve që do t’i marrim nga institucionet kompetente”.

Universiteti Amerikan i Evropës – FON, njoftoi se modeli hibrid i mësimdhënies do të vazhdojë deri në fund të këtij viti akademik.

“Vitin e ardhshëm akademik mësimi do të zhvillohet me prani fizike në të gjitha fakultetet. Megjithatë, AUE-FON si universitet që i ndjek lëvizjet dhe nevojat moderne të studentëve, në aktivitetet akademike do të vazhdojë të praktikojë përfitimet pozitive të përvojave të mësimit në distancë dhe do t’i ruajë të dy modelet edhe në të ardhmen”, thuhet nga AUE-FON.

Pyetje për modelin e mësimdhënies iu drejtuan edhe Universitetit Evropian, nga ku deri në momentin e publikimit të artikullit nuk morëm përgjigje.

Mësimi onlajn do të vazhdojë të jetë një opsion

Pavarësisht rekomandimit për t’iu rikthyer mësimit me prani fizike, modeli i mësimit në distancë do të vazhdojë të jetë “pjesë përbërëse” e procesit mësimor në shumicën e universiteteve. Kalimi në mësimdhënien onlajn në periudhën e kaluar ka treguar përfitimet e këtij lloji të të mësuarit.

Prorektori për Mësimdhënien në UKLO thotë se Universiteti “iu rekomandon që të gjitha njësive që gjatë përgatitjes së kurrikulave të reja për programet e tyre të studimit të përfshijnë mundësinë e realizimit të mësimit onlajn” për të qenë më fleksibil në të ardhmen në raport me disa situata të reja të paparashikuara. .

Spasevska gjithashtu beson se mësimi onlajn i ka anët pozitive, por fokusi i UKIM-së në të ardhmen do të jetë në kthimin në mësimdhënie me prani fizike.

“Realizimi i mësimit në distancë sigurisht që ka pasur avantazhet e veta, por nuk mund të zëvendësojë mësimin me prani fizike. Edhe në kushte të pandemisë, kudo që ishte e mundur, studentët ishin të pranishëm në fakultete. Kështu do të jetë edhe në vitin e ardhshëm akademik 2022/23”, thotë Spasevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button