RMV, lufta e organizatave për Programin për mbrojtje nga HIV dalëngadalë po zhytet në hendekun financiar

Në vitin 2017, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i mori përsipër të gjitha përgjegjësitë financiare për zbatimin e programeve për mbrojtjen dhe parandalimin e HIV-it (virusi që shkakton imunodefiçencë humane), duke marrë kështu përsipër punën e Fondit Global në Luftën kundër SIDA-s (Sindromi i deficitit të fituar imunologjik), Fond që deri atëherë kishte investuar 25,7 milionë dollarë për të ndërtuar përgjigjen kombëtare ndaj HIV-it në vend, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sipas konkluzionit të atëhershëm të Qeverisë, u mor vendim që të ndahen 60 milionë denarë në vit për sigurim optimal të shërbimeve për parandalimin e HIV-it. Duke filluar nga viti 2018 e deri më sot, buxheti i miratuar është rrumbullakuar në 46,5 milionë denarë, që është një ulje prej 23 për qind. Shuma iu nda 14 organizatave të shoqërisë civile nga 12 qytete, anëtare të Platformës për HIV në Maqedoni që kontribuojnë në luftën kundër sëmundjeve imune.

Rëndësia e mjeteve të reduktuara financiare

Sipas të dhënave të shoqatës civile HERA – Shoqata për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor, në vitin 2021 shpenzimet e nevojshme janë mbuluar me sukses për të gjithë personat HIV pozitiv në Maqedoni, por shuma e dedikuar për parandalimin e HIV-it nuk korrespondon me kostot reale të shoqatave. .

“Terapia e HIV-it përcaktohet individualisht, për çdo person me HIV, kurse çdo kombinim i barnave të përshkruara për individët ka çmim të ndryshëm. Për numrin aktual prej rreth 320 pacientësh, trajtimi pritet të kushtojë 71 milionë denarë. Ndonëse shuma prej 46,5 milionë denarë nuk e siguron mbulimin e nevojshëm, kur bëhet krahasimi me koston e parandalimit të HIV-it që është 46,5 milionë denarë, shihet qartë se sa më pak kushton “të parandalosh sesa të shërosh”, shpjegon, për “Meta.mk”, Vesna Ilievska, koordinatore e projektit në HERA.

Përkatësisht, Programi për mbrojtjen e popullsisë nga infeksioni HIV është një mënyrë për të arritur qëllimin global, i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2021 – deri në vitin 2025, që përqindja e njerëzve të cilët nuk janë të vetëdijshëm se janë me HIV të reduktohet në më pak se 5 për qind, gjë që do të çojë në rënie drastike të transmetimit të infeksionit dhe do të lejojë t’i jepet fund epidemisë së HIV deri në vitin 2030.

Aty është edhe numri i të infektuarve të rinj, që çdo vit rritet për rreth 50 raste, duke e rritur koston e trajtimit, e cila është e ndryshme për secilin individ, kështu që shuma e mësipërme prej 70 milionë denarë nuk është konstante.

“Nëse jemi të suksesshëm me parandalimin dhe testimin, në planin afatgjatë, kostoja e trajtimit do të bjerë në të ardhmen. Nëse dështojmë me parandalimin, infeksioni do të vazhdojë të përhapet me shpejtësi dhe kostoja e trajtimit do të rritet ndjeshëm sepse në këtë mënyrë do të ketë shumë më tepër njerëz që do të kenë nevojë për terapi”, thekson koordinatorja.

Buxheti po ndryshon sërish, po ndryshojnë edhe kushtet

Programi për mbrojtjen dhe parandalimin e HIV-it për vitin 2022 u shpall me vonesë, më 15 shkurt, me të njëjtën shumë si vitet e kaluara, prej 46,5 milionë denarë. Megjithatë, programi me atë shumë të deklaruar ishte afatshkurtër dhe ishte i vlefshëm deri në fund të muajit.

Një muaj më vonë, në mars, Qeveria vendosi se ato mjete ishin të tepërta, kështu që me thirrje u shpall shumë të re, e reduktuar për 40 për qind nga ajo e mëparshme, që tashmë është zvogëluar, duke marrë shumën e rrumbullakuar sipas vendimit të Qeverisë në vitin 2017.

Krahas buxhetit ka ndryshuar edhe afati për shpalljen e thirrjes dhe ndarjen e mjeteve për të 14 shoqatat aktive. Thirrja u vonua për tre muaj, pas së cilës të gjitha organizatat e shoqërisë civile në të gjitha qytetet ndaras i mbuluan shpenzimet e nevojshme me mjetet e tyre.

“Me skenar të tillë, duke e ulur buxhetin tashmë të reduktuar, do të përballemi me pasoja katastrofike nga intensifikimi i epidemisë HIV dhe rrezikimi i shumë jetëve. Po ashtu, edhe në tre muajt e fundit, pavarësisht që thirrja publike u vonua, shoqatat vazhduan të japin shërbime për parandalimin e HIV-it, duke u përballur me sfida të ndryshme financiare që sistemi i mbrojtjes të ruhet”, sqaron Ilievska.

Ajo shton se financat janë siguruar nga kursimet e shoqatave, janë bërë vullnetarisht dhe drejtuesit e shoqatave më të vogla kanë paguar nga xhepat e tyre shpenzimet e përgjithshme, ashtu që organizatat më të vogla mbeten më të prekura nga mungesa e financave të nevojshme. .

Pas vendimit të ri të qeverisë, Platforma për HIV doli me tre kërkesa protestuese për ndryshim, njëra prej të cilave thotë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë përmes ndërhyrjes mbështesin kompensimin e kostove të shoqatave për tremujorin e parë të vitit 2022.

Shqetësim dhe revoltë

“Një analizë e bërë sipas metodologjisë së Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) vlerësoi se në fund të vitit 2020, në vendin tonë jetonin rreth 500 persona me HIV. Prej tyre, çdo i treti person nuk është i vetëdijshëm se është HIV pozitiv që tregon se problemi më i madh në përgjigjen kombëtar ndaj kësaj epidemie është testimi i pamjaftueshëm“, apelojnë nga HERA.

Njëlloj ka reaguar edhe Këshilli i Bashkëpunimit mes Qeverisë dhe shoqërisë civile, i cili kërkon ndryshimin e vendimit me të cilin reduktohen fondet e programit.

“Të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen veçanërisht në zbulimin e hershëm të infeksionit HIV, ku vendi aktualisht (34 përqind) mbetet ndjeshëm pas mesatares botërore prej 16 përqind,” ka vlerësuar organi këshillues.

Platforma Qytetare për HIV muajin e kaluar i paraqiti kërkesat në vijim:

  1. Të korrigjohet urgjentisht thirrja e shpallur publike për shoqatat që do të realizojnë aktivitete për parandalim të HIV-it në përputhje me shumat e parashikuara në Programin për mbrojtje të popullatës nga infeksioni HIV për vitin 2022, që u miratua nga Qeveria në shkurt të këtij viti;
  2. Qeveria dhe Kuvendi duhet të garantojnë më në fund vazhdimësinë e sistemit tashmë të krijuar për mbrojtjen nga HIV.
  3. Për shkak të vonesës së gjatë për shpallje të thirrjes publike, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet ndërhyrjes mbështetëse për të kompensuar kostot e shoqatave për tremujorin e parë të vitit 2022, që janë shkaktuar për mirëmbajtjes së tyre për përgjigjen kombëtare ndaj HIV.

Pas kërkesave, në periudhën e kaluar është mbajtur një protestë me sloganin “JO kursimit nga shëndeti i njerëzve” ku drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq tha:

“Duhet ndërhyrje urgjente rreth këtij vendimi sepse pacientët janë këtu. Ata e ngrenë zërin që të mos ketë pacientë të rinj. Nëse, vetë pacientët na thonë, ne me mantela të bardhë se parandalimi është më i rëndësishmi, atëherë ne si mjekë nuk duhet t’ia lejojmë vetes luksin të mos i dëgjojmë dhe të reagojmë profesionalisht ndaj shkurtimeve buxhetore për masa parandaluese. Me ekipin që punojmë në parandalimin e HIV-it, së bashku me partnerët tanë seriozë në sektorin civil, kemi pasur sukses serioz. Shumica e rasteve të zbuluara përkohësisht me HIV vijnë nëpërmjet sektorit shoqërisë civile dhe sistemit të tyre të testimit dhe këshillimit mbarëkombëtar. Ky është thelbi”.

Kësaj deklarate i bashkëngjiten nga organizata civile HERA, për punën e saj, e cila përfshin aktivitete për testimin e HIV-it; shërbime në terren dhe në stacione për testimin anonim të HIV-it, këshillimin, shpërndarjen e mjeteve për parandalim të HIV-it dhe infeksioneve të tjera të gjakut dhe seksualisht të transmetueshme, diagnostikimin dhe trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, shërbimet mobile gjinekologjike, mbështetjen për njerëzit që jetojnë me HIV dhe njerëzit që jetojnë me HIV dhe ata që trajtohen nga varësia e drogës dhe shërbime të tjera plotësuese.

“Testimi për HIV është e vetmja mënyrë që dikush të zbulojë statusin e tij HIV, kurse është me rëndësi që kjo të mësohet  sa më herët, sepse sot, falë terapisë për HIV, e cila është në dispozicion dhe falas tek ne në Klinikën Infektive, njerëzit me HIV mund të kenë jetë cilësore dhe të gjatë. Nga ana tjetër, trajtimi i rregullt i HIV-it është një nga mënyrat më efektive për parandalimin e virusit, përfundon nga HERA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button