fbpx

Sela i publikoi emrat e sistemit gjyqësor të lidhur me BDI-në, kjo e fundit e vlerësoi si presion ndaj gjyqësorit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sot ka publikuar emrat e personave të përfshirë në hierarkin e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut dhe lidhjet e tyre me BDI-në. Këtë konferencë, BDI-ja e ka vlerësuar si shtypje ndaj gjyqësorit në vend, transmeton Portalb.mk.

“Jemi përballë një masakre të vërtetë të gjyqësorit, me dhjetëra gjykatës dhe prokurorë nën kontroll total të BDI-së. Pra, ajo që kemi gjetur tregon për një kapje sistematike nga BDI të secilës gjykatë dhe të secilës instancë prokuroriale, pa përjashtim”, deklaroi Sela.

Pas shpalosjes së këtij hulumtimi prej 61 faqeve, Sela i ka vlerësuar këto lidhje si “kapje e gjyqësorit” nga BDI-ja.

“Ende i kemi të freskëta kujtimet e bombave të Zaevit ku dëgjoheshin Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti tek sa emëronin dhe blinin gjykatës dhe prokurorë, për të siguruar pandëshkueshmëri për njerëzit e tyre. Shtatë vite më vonë, nuk kemi parë thuajse asnjë dënim në rastet e korrupsionit dhe kriminalitetit të nivelit të lartë.

Institucionet dhe emrat e përfshirë në hulumtimin e Aleancës për Shqiptarët:

– Në Këshillin Gjyqësor, BDI ka instaluar Selim Ademin, një zyrtar i lartë partiak i ardhur direkt nga Ministria e Drejtësisë.

-Në Gjykatën administrative janë katër: Kryetari i gjykatës, Burim Sejdini, ish Sekretar i Komunës së Zajazit; Gazmend Fejzuli të cilit Këshilli Gjyqësor ia mori imunitetin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lëndën Titanik; Imsale Hasani, motra e Irfan Asanit, ish drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë nga BDI dhe Eleonora Hamuliq Ajro, gruaja e prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion, Artan Ajro, për të cilin do të flasim më vonë.

-Në Gjykatën e lartë administrative ka dy persona: Subhi Jakupi, ish Zëvendësministër i Drejtësisë dhe ish anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor i emëruar nga BDI, nga ku dha dorëheqje për shkak të skandalit me pagat shtesë të zbuluar nga Ambasada amerikane. Rina Iseni, një ish zyrtare e Komunës së Tetovës, e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe e Avokatit të Popullit.

-Gjykata Supreme: Shpend Devajën, burrin e Teuta Arifit, nënkryetare e BDI-së dhe ish kryetare e Tetovës e larguar nga tetovarët në zgjedhjet e fundit lokale pas shumë aferave korruptive.

-Gjykata e Apelit: Shefajet Hajdari në Gostivar, gjykatës i afërt me Nevzat Bejtën dhe me pronarin e Durmo Turs i cili njihet si financues i BDI-së.

-Gjykata Themelore: Osman Shabani në Shkup, një gjyaktës i afërt i Blerim Bexhetit, i cili ka sabotuar rastet Monstra, Toplik dhe Tenderi. Hasan Asani në Tetovë, ish kryetar dege i BDI-së në Bërvenicë dhe ish zyrtar qeveritar, i zgjedhur gjykatës në mënyrë të parregullt. Abdulla Azari gjithashtu në Tetovë, ish aktivist i BDI-së në Tearcë dhe ish zëvendës sekretar i përgjithshëm i Qeverisë. Amdije Zenku në Kërçovë, e cila në fushatën e 2008-ës ishte udhëheqëse e sektorit juridik në shtabin lokal të BDI-së në Kërçovë.

-Prokuroria Publike: Ismail Dardhishta, ish ministër i drejtësisë, Xhelal Bajrami, ministër për punë dhe politikë sociale dhe ish zëvendës ministër për punë të brendshme në kohën kur u montua rasti Monstra, që u bë prokuror publik pa asnjë ditë përvojë pune në gjyqësor. Bashkim Besimi, djali i axhës së Fatmir Besimit.

Prokuroria e Lartë Publike: Mustafa Hajrullahi në Shkup, i dyshuar për shumë afera korruptive dhe që shpëtoi nga burgu Ejup Alimin dhe Ismet Gurin. Dilaver Bekteshi gjithashtu në Shkup, i cili ka qenë anëtar i BDI-së në Kërçovë dhe ka qejf të fotografohet me Ali Ahmetin. Nuhi Jusufi në Gostivar, i cili ka punuar në Komunën e Zajazit.

-Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit: prokurori Artan Ajro, ish zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, tani prokuror i njohur për skandalin e sekuestrimit të pronave të hipotekuara të Sead Koçanit në vlerë prej 17 milion euro.

-Prokuroria themelore publike: Arsim Ademi në Gostivar, ish anëtar i BDI-së ndaj të cilit Komisioni antikorrupsion ka hapur lëndë dhe i cili është shquar për rikualifikimin e lëndës ku Kiçeec ka vrarë një qytetar me veturë si pakujdesi trafiku. Bashkim Hiseni në Gostivar, ish anëtar i BDI-së. Ahmed Ahmedi në Gostivar, ish drejtor i Entit për punë në Kërçovë. Ka hedhur poshtë lëndët e Nevzat Bejtës të ngritura nga Rufi Osmani. Rasim Dreca në Shkup, prokuror i afërt me BDI që po mbron Durmo Turs në rastin Llaskarca. Ermon Neziri në Shkup, prokuror i afërt me BDI që po mbron Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin në rastin Maxhar Telekom. Faton Azizi në Shkup, vëllai i Kaltrina Azizit, ish deputete e BDI-së. Ajser Ademi në Shkup, vajza e Ibush Ramadanit, ish zv. drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja.

-Ministrat e Drejtësisë nga radhët e BDI-së: Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilent Saliji dhe Agim Nuhiu, që të gjithë ministra të Ali Ahmetit.

Ndaj këtij hulumtimi ka reaguar BDI-ja, duke theksuar që kjo konferencë e tregon “mendësinë e aleatit të Levicës dhe Apasievit”, si një strukturë e pareformuar.

“Konferenca e sotme për shtyp e kryetarit të ASH-së Ziadin Sela është një presion publik ndaj gjithë sistemit gjyqësor dhe të punësuarve në këtë sektor. Paraqitja e sotme para mediave është skandaloze, e papranueshme, e paparë gjerë më sot dhe paraqet ndërhyrje e vrazhdtë e drejtpëdrejt në sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e gjyqësorit”, deklarojnë nga BDI-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button