Dekanati vendosi t’i japë vetëm vërejtje me shkrim Besiana Mehmedit, studentët nesër protestojnë

Këshilli mësimorë-shkencor i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës sot vendosi që profesoreshës Besiana Mehmedit t’i japë vërejtje me shkrim për shkak të shkeljeve në procesin e mësimdhënies, kështu konfirmoi dekani i këtij fakulteti, Nafi Jashari për Portalb.mk. Nga ana tjetër studentët nuk pajtohen me këtë vendim, thonë se do vazhdojnë bojkotin kurse nesër do të dalin në protesta, kërkojnë pezullim të Mehmedit nga detyra e profesoreshës, shkruan Portalb.mk..

Vendimi i sjellë nga këshilli mësimorë-shkencor i Fakultetit të Arteve sot sipas dekanit është në interes të studentëve dhe mbron të drejtat e tyre.

“Vendimi është ky: Këshilli mësimorë-shkencor vendosi që lëndën Histori Muzike 1 deri 8 krahas profesoreshës Besiana Mehmedi caktohet edhe profesor doktor Bajram Çupi, ndërsa studentët do të jenë të lirë të zgjedhin te cili profesor do ta ndjekin lëndën. Këshilli mësimorë-shkencor i Fakultetit të Arteve vendos që t’i japë vërejtje me shkrim profesoreshës Besiana Mehmedi për shkak të shkeljeve në kronologji të procesit të mësimdhënies. Këshilli mësimorë-shkencor njëkohësisht u sugjeron studentëve të kthehen dhe të vazhdojnë procesin e rregullt mësimor” tha Nafi Jashari, duke shtuar se vendimi hyn në fuqi nga dita e sotme.

Me këtë vendim nuk pajtohen studentët, ata thonë se do vazhdojnë të bojkotojnë ligjëratat.

“Ne nuk jemi dakorduar me vendimin e tyre dhe të katërt vitet do t’i bojkotojmë ligjëratat dhe për këtë kemi dorëzuar një deklaratë ku informojmë dekanin se ne i bojkotojmë ligjëratat dhe kemi nënshkruar të katërt kryetarët e grupeve. Komisioni e ka vërejtur që profesoresha Besiana Mehmedi ka bërë shkelje dhe për këtë gjë do t’i dërgojë një vërejtje me shkrim. Për këtë vendim ne do të protestojmë nesër”, tha studenti Ardi Lena.

Nesër studentët e muzikës në ora 14:00 do të protestojnë kundër profesoreshës Besiana Mehmedi, kështu duke marshuar nga Fakulteti i Arteve (para bibliotekës së Qytetit) deri te rektorati i Universitetit të Tetovës. Ara kërkojnë pezullim të Mehmedit nga detyra e profesoreshës.

Rikujtojmë që studentët e muzikës të UT-së të enjten para mediave deklaruan se profesoresha Besiana Mehmedi i ka kërcënuar për shkak të një reagimi që njëri prej studentëve e ka bërë në rrjetin Facebook. Ata thonë se profesoresha vazhdimisht ka sjellje jo të mirë ndaj tyre. Si rezultat i kësaj ata bojkotojnë mësimin në orën e profesoreshës. Për të parë disa nga ankesat e studentëve klikoni KËTU.

Profesoresha Mehmedi, përmes dy reagimeve me shkrim për mediat, i konsideroi të pa vërteta ankesat e studentëve që sipas saj mundohen të njollosin personalitetin e saj si pedagoge dhe artiste. Prindërit dhe ish studentët përkrahin kërkesat e studentëve, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) tha se do kërkojë përgjegjësi në Prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button