Bullgaria: Qëndrimi për RMV-në nuk ka ndryshuar

Ministria e Punëve të Jashtme bullgare në deklaratën e sotme u shpreh se është kategorike se qëndrimi bullgar për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i pandryshuar. Reagimi, siç thuhet, është pas spekulimeve në disa media, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të ministrisë thuhet se Bullgaria vazhdon t’i përmbahet qëndrimit kornizë për zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë nga 9 tetori 2019, të cilat u mbështetën njëzëri me deklaratën Kombëtare të Kuvendit nga 10 tetor 2019 dhe me seancën e Këshillit Konsultativ për Siguri Kombëtare nga 10 janari i këtij viti.

“Mbështetja për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet një prioritet i politikës së jashtme bullgare dhe ndjek kriteret e meritave të secilit vend kandidat dhe respektimin e vlerave thelbësore të Bashkimit, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimin e fqinjësisë së mirë”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se ministrja e Jashtme Teodora Gençovska e rikonfirmoi qëndrimin e Bullgarisë në bisedën e saj me shefin gjerman në kuadër të Këshillit për Punë të Jashtme të mbajtur dje në Luksemburg.

“Sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, është thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe marrjen e garancive të qarta në procesin e negociatave të BE-së për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017. Ne presim garanci kushtetuese për respektimin e të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të sotme nga Ministria e Jashtme bullgare.

Në fund, theksohet se për palën bullgare janë kryesore janë rezultatet dhe jo përkushtimi në afate specifike.

Ministrja gjermane Analena Berbock tha dje se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të nisin negociatat për anëtarësim në BE në gjysmën e parë të vitit 2022, duke theksuar se ka pasur bisedime dypalëshe me ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, gjatë të cilave të dyja ranë dakord se në situatën aktuale është vendimtare që të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button