Arsovska fsheh emrat e fituesve të gjithsej 220.000 eurove nga programi i kulturës në qytetin e Shkupit

Qyteti i Shkupit nuk e publikon listën e projekteve të mbështetura nga sfera e kulturës për vitin 2022. Pjesëmarrësit në konkurs janë njoftuar për rezultatet, por emrat që fituan para buxhetore dhe për çfarë projekti nuk janë bërë publike. Deri më tani, me vite të tëra lista e projekteve të përkrahura publikohej në ueb-faqen e Qytetit të Shkupit, ndërsa informacione me të gjitha emrat u dërgohej edhe mediave, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Këtë vit, rezultatet përpos që janë sjellë me vonesë disa mujore, ato mbahen edhe të fshehta.

Si edhe deri tani, nga kabineti i kryetares Danela Arsovska, Sdk.mk nuk ka marrë përgjigje në pyetjen e tyre nuk se pse nuk janë shpallur rezultatet e konkursit dhe kur do të bëhet, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për para buxhetore. Për këtë thirrje buxheti parashikon 220 mijë euro.

Thirrja publike për mbështetjen e projekteve në fushën e kulturës ishte shpallur më 7 tetor të vitit të kaluar dhe në njoftim thuhej se zgjat 30 ditë kalendarike, gjegjësisht deri më 5 nëntor.

“Rezultatet e thirrjes publike do të publikohen në ueb portalin zyrtar të Qytetit të Shkupit me vendim për financimin e programeve dhe projekteve në fushën e kulturës në interes të qytetit të Shkupit për vitin 2022”, thuhej në njoftimin e publikuar vitin e kaluar.

Nga atëherë kanë kaluar 5 muaj, ndërsa kryetarja Danela Arsovska akoma nuk i ka publikuar emrat fitues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button