Shkenca… dhe të tjerët

Filmi “Don’t look up” një nga pretendentët e çmimit Oscar këtë vit, është pasqyrimi i realitetit të hidhur të cilin po e jetojmë . Ishte pikërisht ky film satiriko-komik, por më shumë do e quaja dëshpërues që me nxiti të bëja këtë shkrim .

Natyra Dika Kerluku
Shkruan: Natyra Dika Kerluku

Filmi ka të bëjë me 2 shkencëtarë, astronomë që zbulojnë një kometë që pritet të përplaset në tokë, përplasje kjo që do ketë pasoja apokaliptike për njerizimin. Për këtë fillimisht informojnë presidenten e shtetit që të gjejnë mënyrë dhe përkrahje për shpëtimin e planetit, pastaj mediumet që të vetëdijësojnë njerëzit për atë çka pritet të ndodh. Aty nis gjithçka – fjalët dhe sqarimet e shkencëtarëve nuk i merr askush seriozisht. Më keq akoma, tallen dhe përbuzen nga shumica.

Situatat ku i mençuri përqeshet & përçmohet nga njëra anë si dhe situatat a-la “përputhen” që pëlqehen dhe marrin vëmendjen e miliona njerëzve nga ana tjetër, janë shumë të ngjashme me atë çka po ndodh sot. Kurse ata që kanë pushtetin në duar, “lozin” me të duke mos llogaritur pasojat. Ndërkohë super të pasurit këto situata i shohin si mundësi për pasurim të mëtejshëm, edhe pse kjo ka kosto ekzistencën e njerizimit.

Shembuj te përçmimit , mosmarrjes seriozisht po edhe të zhdukjes se njerëzve te ditur në histori ka plot. Këtu ju referohem atyre që kanë bërë zbulime të mëdha e që kanë ndryshuar njerizimin, por që në kohën kur kanë jetuar nuk kanë qenë të vlerësuar siç duhet

Po nis nga antikiteti. Arkimedi matematicineti, fizicienti, filozofi, nga Sirakuza (Sicili) që aso kohe i takonte Greqisë së lashte, jetoi dhe veproi ne vitet 200 p.e.s. Konsiderohet si matematicineti më i madh i të gjithë kohërave i cili përveç arritjeve te shumta ne matematike, vendosi edhe themelet e Hidrostatikes. Thirrja e tij e famshme “EUREKA” ka mbetur e njohur në histori – momenti kur zgjidhi detyrën që ia caktoi mbreti: peshën e kurorës së tij. U vra nga një ushtar romak, gjate rrethimit te Sirakuzes nga ushtria romake. Fjalët e tij te fundit ishin “mos mi prekni rrathët e mija”, fjali kjo që e bën ushtarin ta godet për vdekje .

Ecim më tutje. Xhordano Bruno (shek 16), filozofi, prifti, kozmologu dhe okultist Italian ne kohen e renesancës . U dogj për së gjalli, pas shtatë viteve burgim, i akuzuar nga Kisha Katolike Romake dhe realizuar nga Inkuizicioni Romak për shkak të mendimeve të kundërta me besimin katolik. Gjithësia, thoshte ai, është një kompleks botërash të panumërta, sistemesh diellore të njëjta me sistemin tonë planetar, dhe supozonte se ato janë të populluara.

Në të njëjtin shekull jetoi dhe veproi astronomi dhe fizicienti italian Galileo Galilei. Renditet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj, themelues i fizikës moderne. Pati po të njëjtin fat si paraardhësi – u dënua nga Inkuizicioni për mbrojtjen e tezës së heliocentrizmit të Kopernikut – dielli në qendër dhe planetët që sillen rreth tij . Skicat e krijuara nga ai të sistemit diellor dhe renditja e planetëve, me një saktësi të përsosur edhe pse aso kohe nuk ekzistonte teleskopi, sot ruhen ne arkivat e Vatikanit . Për këtë ai u shpall heretik dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Në momentin e dënimit, Galileo shqipton të famshmen “Megjithatë rrotullohet” ku i referohet rrotullimit të tokës rreth diellit

Lavoazje (Antoine-Laurent de Lavoisie) aristokrat dhe kimisti francez që veproi në shekullin e 18-të . Fal zbulimeve te shumta dhe kontributit te pashoq në lëmine e kimisë dhe biologjisë, njihet edhe si “babai i kimisë moderne”. Në kulmin e Revolucionit francez, ai u akuzua për mashtrim taksash dhe u gilotinua, në moshën 50 vjeçare. Gjate procesit gjyqësor, pavarësisht apeleve të shumta për faljen e tij, kryetari i gjykatës revolucionare thotë “Republika nuk ka nevojë për shkencëtarë, as për kimistë”

Në vitin 1913, Henry Moseley zbuloi se identiteti i çdo elementi kimik përcaktohet nga numri i protoneve. Zbulim ky bazë për krijimin e sistemit periodik të elementeve. U vra në betejë në Gallipoli, Turqi si pjesëtar i Ushtrisë Britanike në moshën 27 vjeçare,

Mozarti, gjeniu nga Salzburgu filloi të kompozojë që nga mosha 5 vjeçare. Krijoi mbi 600 vepra muzikore, ndër ta disa kryevepra. Vdiq në moshën 36 vjeçare, në gjendje të mjeruar kur po përfundonte veprën “Requiem”, një detyrë që mendohet se ja ngarkoi shoku i tij Salieri për të shkatërruar atë. Rrethanat e vdekjes së tij të hershme janë akoma të paqarta. U varros në një varr të përbashkët, pa asnjë pjesëmarrës të afërt nga familja .

Këta janë vetëm disa nga të shumtët që kanë patur funde tragjike. Në të shumtëm e rasteve kanë qenë viktima të pushtetit; ndryshimit të rendeve shoqërore apo mospërputhjes me bindjet fetare të kohës. Por edhe mospranimit nga masa duke qenë ndryshe nga tjerët dhe shumë para kohës kur kanë vepruar, apo edhe viktima të keqkuptimeve, injorancës , xhelozive, intrigave të atyre që i kanë rrethuar.

Pikërisht kjo më bën të mendoj që njerëzit nga aspekti psikologjik, me kalimin e kohës nuk kanë ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm teknologjia dhe arritjet e shkencore që kanë përmirësuar kualitetin e jetës.

Fatkeqësisht, thënia latine “Homos homini lupus est!” (“Njeriu për njeriun është ujk“) vazhdon të jetë aktuale, por në një formë më të moderuar. Megjithatë, të qenurit ndryshe nga tjerët duhet kuptuar, përjetuar si privilegj dhe dhunti .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button