Britania sanksionoi dy politikanë serbë, vlerësohet se kërcënojnë Ballkanin Perëndimor si të motivuar nga Putini

Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës, raporton REL. Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar.

Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës. Cvijanoviq është presidente e entitetit Republika Sërpska.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka akuzuar dy zyrtarët se janë trimëruar nga agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

“Të dy politikanët janë duke minuar me qëllim paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Truss.

“Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.

Duke reaguar ndaj sanksioneve, Dodik ka thënë se do të ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar. Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Dodik ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, pasi nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje tash e 10 vjet.

Më 5 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut.

Departamenti amerikan i Thesarit pati thënë atëbotë se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button