Përplasje identitetesh ballkanike (I)

“Miti dhe krijimi i miteve ende janë kùti me të cilin çdo shoqëri ballkanike mat ndërgjegjen e saj kombëtare.”

-André Gerolymatos

Identiteti, si një term i studiuar nga psiko-analistët, sociologët dhe social-psikologët, përfaqëson veçoritë kryesore të individit (personal identity) ose të një grupi të njerëzve (collective identity), me të cilat mund të dallohet një njeri ose një kolektivitet. Këtë kategori shoqërisht të konstruktuar Fukuyama (2018) e ka quajtur kërkesë për dinjitet.

Identiteti social është skemë konjitive (Wendt, 1994), dëshirë për dallim, nder dhe pozicion grupor brenda diskurseve specifike historike (Herrigel, 1993), kurse ai kombëtar përfshin një kuptim të vazhdimësisë kohore dhe hapësinore të aksh kombit. Duhet cekur se identiteti luan rol qendror në punimet mbi nacionalizmin dhe konfliktin etnik (Horowitz 1985, në Fearon, 1999).

Trajtësimi i identiteteve kombëtare bullgare dhe serbe 1800-1900 i Katrin Bozeva­-Abazit, nga Universiteti McGill (Montreal, 2003), disertacion doktorate i mbrojtur në këtë institucion prestigjioz, përbën një vepër të rëndësishme shkencore, që zbërthen kombndërtimin ballkanik, një diadë nacionalizmash, kursin dhe procesin e krijimit të dy kombeve konkurrente të kësaj hapësire turbulente, “konfliktin midis bullgarëve dhe serbëve si vazhdimësi e betejës së shekullit të trembëdhjetë për hegjemoninë territoriale dhe politike në Ballkan” (Stanojević). Në të, përmes një metodologjie shumëpërmasore dhe objektivitet akademik, autorja kërkon rrënjët e mobilizimit etno-nacionalist në Ballkanin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në këtë gjeografi që është sinonim i kthimit në gjendje fisnore, të prapambetur, primitive, barbare (Todorova).

Teza e saj konsiston në pohimin se, deri në krijimin e shtetit, shumica e bullgarëve dhe serbëve nuk ishin të ndërgjegjshëm për përkatësinë në një komunitet kombëtar, se konservatorizmi fshatar dhe historicizmi ortodoks kanë qenë dy elementet determinuese të ndërtimit të këtyre dy identiteteve. “Deri në vitet 1890-të shumica dërrmuese e popullit, si në Serbi ashtu edhe në Bullgari, ishin politikisht injorantë dhe nuk shprehnin asnjë interesim për të drejtat e tyre kushtetuese dhe civile” – rrëfen ajo

I ndarë në gjashtë kapituj (“Si u krijua nacionalizmi ‘popullor’”, “Shpikja e shtetit modern ballkanik: Serbia dhe Bullgaria, 1830-1914”, “Kisha dhe indoktrinimi kombëtar”, “Ushtria Kombëtare, 1830-1914”, “Arsimi dhe indoktrinimi kombëtar”), libri – në mënyrë elokuente – e shkoqit procesin e ndërgjegjësimit ose indoktrinimit kombëtar tek serbët dhe bullgarët, forcë motorike e të cilit ka qenë shteti. “Bullgarët dhe serbët e zakonshëm kishin pak njohuri për agjendat kombëtare dhe, deri në ndërhyrjen e shteteve të tyre, shumë pak interesoheshin për tjetër gjë, përveç bukës dhe mirëqenies së familjeve të tyre”.

Në këtë drejtim ajo thekson se krijimi i identitetit serb dhe bullgar është bazuar tek popullata rurale dhe e krishterë, e cila ka qenë kryesisht analfabete (80 deri në 90%; gazeta Srpske Novine në vitin e parë të botimit ka pasur 120 abonentë në tre milionë banorë; më 1832 në të gjithë Serbinë ka pasur vetëm 36 shkolla dhe 40 mësues; më 1930, në Bullgari 58 % e burrave dhe 89% e grave s’dinin shkrim lexim). Pra, shovinizmi ose mallkimi fshatarak (Nairn) përbën zanafillën e nacionalizmit të tërbuar serbo-bullgar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button