60 për qind humbje të ujit të pijshëm në Shkup

Rreth 60 për qind janë humbjet e ujit të pijshëm në Shkup. Sipas raportit të NP “Ujësjellësi dhe kanalizime” për vitin 2021, 60 për qind është ujë i pafaturuar, nga të cilët humbjet fizike të ujit janë 30,67 për qind. Siç thonë nga ndërmarrja, humbjet e ujit të pijshëm janë një problem me të cilin ballafaqohen prej vitesh, për të cilin menaxhmenti aktual përgatit një plan dhe zbaton aktivitete të koordinuara për ta ulur atë përqindje dhe për ta ulur në nivelin më të ulët të mundshëm, transmeton Portalb.mk.

“Analizat e deritanishme që po bëjmë tregojnë se arsyet e humbjes së ujit të pijshëm janë të natyrave të ndryshme. Analizat paraprake që janë bërë muajin e kaluar, tregojnë detektimin e disa daljeve, duke përfshirë ujin e përdorur për ujitjen e sipërfaqeve të gjelbra publike, pemët e bulevardeve dhe gjelbërimin përgjatë rrugëve dhe mbjelljeve, uji i përdorur për larjen e zonave të trafikut publik, shesheve, trotuareve dhe shtigjeve, si dhe për shpëlarjen e rregullt të rrjetit. Humbjet përfshijnë edhe ujin e konsumuar nëpër shatërvanë, çezma dekorative publike dhe tualete publike, gjatë riparimit të defekteve, harxhimi i ujit si pasojë e gabimeve të ujëmatësit, ujin e konsumuar nga përdoruesit e paregjistruar dhe përdorimin e paligjshëm të hidrantëve”, thonë nga “Ujësjellësi dhe Kanalizime”. 

Për të ulur humbjet dhe për të rritur përqindjen e të hyrave nga uji, ndërmarrja thotë se tashmë kanë filluar me realizimin e shumë aktiviteteve. Janë prokuruar matësit zonal dhe reduktuesit e presionit dhe instaluar në disa lokacione në mbarë Shkupin. Gjithashtu, në bashkëpunim me “Vodovod Budapest”, është realizuar një projekt për uljen e humbjeve të ujit.

“Projekti është zbatuar në zonën e caktuar për testim në Tërnodol dhe Zhdanec, ku ku është bërë rregullimi i nevojshëm i zonës me pajisje të llojit të specializuar në disa pika kyçe, të cilat kanë mundësuar detektimin e humbjeve të ujit. Projekti përfshin matje kontrolli, matje natën të rrjedhës së ujit në sistem të mbyllur dhe matje ditore të zërit. Pas përfundimit të suksesshëm të matjes, janë përgatitur raporte dhe analiza me qëllim të rritjes së efikasitetit të furnizimit me ujë, rritjes së efikasitetit energjetik, zvogëlimit të humbjeve të ujit dhe efekteve të ndryshimeve klimatike”, thonë nga Vodovod.

Ndërmarrja ka zhvilluar edhe “Strategji për uljen e humbjeve të ujit në sistemin ujësjellës”, e cila duhet të zbatohet në periudhën në vijim dhe pritet të japë rezultate pozitive në punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button