Euractiv: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile për BE në qershor

Shqipëria mund të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut dhe të vazhdojë e vetme për anëtarësim në BE, sipas kryeministrit Edi Rama, transmeton Euractiv.

Përpjekjet e Shqipërisë për t’u bashkuar me bllokun ka qenë e lidhur me fqinjin e saj, Maqedoninë e Veriut. Ndërsa të dyja vendet kanë përmbushur kërkesat, në letër, Bullgaria ka vënë veton ndaj RMV-së për çështjet historike dhe të të drejtave të njeriut.

“Shqipëria nuk mund të presë më që dy fqinjët të zgjidhin zënkën e tyre. Kursi ynë në atë drejtim do të ndryshojë plotësisht”, tha Rama të enjten në Tiranë.

Ndërkohë, ndjenja në Bruksel është se zgjerimi ka “vdekur” dhe se Shqipëria mori vetëm një votë unanime për të vazhduar anëtarësimin, sepse ata e dinin se vetoja bullgare kundër Maqedonisë së Veriut do të ndalonte përparimin në binarët e saj.

Megjithatë, burime të tjera thonë se pas kërkesës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritën jeshile në qershor. Një opinion mbi pranimin e Ukrainës, duke përfshirë nëse procesi mund të përshpejtohet, pritet gjatë të njëjtit muaj.

Burimet thonë se një vlerësim pozitiv për Ukrainën nuk mund të jetë në tryezë nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk përparojnë.

Serbia dhe Mali i Zi janë në krye nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por procesi i pranimit të Malit të Zi ka stagnuar disi dhe ndërsa Serbia vazhdon të hapë kapituj, nuk ka vullnet të vërtetë politik për t’u bashkuar me BE-në. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të radhës, në pritje për të nisur zyrtarisht bisedimet, ndërsa Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk kanë marrë ende statusin e kandidatit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button