Dita 47: Bisedime të vështira me Putinin, vlerësoi kancelari austriak

Trupat ukrainase kanë zmbrapsur disa sulme ruse në lindje të vendit, fokusi i një ofensive të re nga forcat pushtuese, tha inteligjenca britanike të hënën, ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se kjo javë do të jetë vendimtare për rrjedhën e luftës. Nga ana tjetër kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të udhëtojë në Moskë, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, çka e bën udhëheqësin e parë të një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, që pas nisjes së pushtimit në Ukrainë. Ai dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit dhe se do të ngrejë gjithashtu çështjen e krimeve të luftës. Ndërkohë, një raport i Bankës Botërore ka parashikuar që këtë vit të përgjysmohet ekonomia e Ukrainës, për shkak të pushtimit rus, i cili ka shkatërruar fabrika dhe ndërtesa të mëdha banimi, si dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga vendi, transmeton Portalb.mk.

22:30 – BE paralajmëroi krizë të mundshme ushqimore si pasojë e luftës në Ukrainë

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po e çon botën në prag të krizës ushqimore. Një ditë pasi Banka Botërore ka thënë se ekonomia e Ukrainës do të tkurret gati për gjysmë këtë vit, kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borrell ka thënë më 11 prill se bombardimet e Rusisë dhe bllokimi i porteve, duke pamundësuar transportimin e grurit, është duke krijuar valë tronditëse në kohën kur ekonomia globale veçse po përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ata po shkaktojnë mungesa. Ata janë duke bombarduar qytetet ukrainase dhe janë duke provokuar uri në botë. Ata janë duke provokuar uri në botën tonë”, u ka Borrell gazetarëve, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Paralajmërimet e Borrellit rrisin shqetësimet e theksuara në raportin e Bankës Botërore, në të cilin është thënë se prodhimi ekonomik në Ukrainë pritet të tkurret për 45 për qind dhe se kjo ulje do të varet nga “gjatësia dhe intensiteti i luftës”.

“Pushtimi rus është duke shkaktuar goditje masive në ekonominë e Ukrainës dhe ka rezultuar me dëme të mëdha në infrastrukturë”, ka thënë, Anna Bjerde, nënpresidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Prej atëherë, ajo është goditur me një mori sanksionesh nga Perëndimi, të cilat e kanë izoluar nga pjesa më e madhe e botës, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik.

Banka Botërore ka thënë se parasheh që ekonomia e Rusisë do të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve.

Më shumë se 10 milionë ukrainas, apo një çerek i popullsisë besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë katër milionë që kanë lënë krejtësisht Ukrainën, në kërkim të strehimit në ndonjë shtet tjetër.

18:57 – Bisedime të vështira me Putinin, vlerësoi kancelari austriak

Kancelari austriak, Karl Nehammer, tha se ka mbajtur bisedime “të drejtpërdrejta, të hapura dhe të vështira” me presidentin rus, Vladimir Putin, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Nehammer udhëtoi të hënën në Moskë, duke u bërë udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takon Putinin, qëkur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e fqinjit rus, më 24 shkurt. Në një deklaratë nga zyra e Nehammerit thuhet se takimi, i cili zgjati pak më shumë se një orë, nuk ishte “një vizitë miqësie”.

“Unë përmenda krimet e rënda të luftës në Buça [të Ukrainës] dhe vende të tjera dhe theksova se të gjithë ata që janë përgjegjës, duhet të sillen para drejtësisë”, tha Nehammer në deklaratë.

Pavarësisht provave në rritje për të kundërtën, Rusia e mohon se sulmon civilët në luftën e saj në Ukrainë.

Kancelari austriak po ashtu tha se ka porositur Putinin se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten dhe do të intensifikohen “për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të vdesin në Ukrainë”.

“Tani do t’i informoj partnerët tanë evropianë për bisedën dhe do të diskutoj hapat e mëtejshëm”, tha Nehammer.

Austria ka mbajtur historikisht lidhje më të ngushta me Rusinë, në krahasim me pjesën më të madhe të BE-së. Megjithatë, ajo ka shprehur solidaritetin e saj me Ukrainën kur Rusia ka nisur pushtimin e saj.

Nga Kremlini nuk ka ende asnjë deklaratë për takimin e Putinit me kancelarin austriak. Takimi është zhvilluar në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi. Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.

16:20- Rusia paralajmëroi Suedinë dhe Finlandën kundër anëtarësimit në NATO

Rusia ka paralajmëruar Finlandën dhe Suedinë kundër anëtarësimit në NATO, duke thënë se ky hap nuk do të sjellë stabilitet në Evropë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve më 11 prill se “aleanca mbetet mjet i orientuar drejt konfrontimit”.

Kjo deklaratë vjen pasi zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë se pushtimi rus i Ukrainës ka qenë “gabim i madh strategjik”, i cili pritet të ndikojë në zgjerim të NATO-s.

Zyrtarët amerikanë presin që fqinjët nordikë të kërkojnë anëtarësim në aleancë, potencialisht deri në muajin qershor të këtij viti.

Uashingtoni besohet se mbështet këtë hap, çka do të ndikonte që aleanca e Perëndimit të rritej në 32 vende anëtare.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë javën e kaluar se ka diskutime mes liderëve të NATO-s dhe ministrave të Jashtëm nga Helsinki dhe Stokholmi.

Para nisjes së pushtimit të Ukrainës, Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos zgjerohet më, mirëpo lufta ka bërë që më shumë trupa të aleancës të angazhohen në krahun lindor.

Ndërkohë është rritur mbështetja publike për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në këtë institucion.

Finlanda ndan një kufi 1,340 kilometra të gjatë me Rusinë.

Peskov ka thënë se NATO-ja “nuk është ai lloj i aleancës që siguron paqe dhe stabilitet, dhe zgjerimi i saj më i mëtejmë nuk do të sjellë siguri shtesë në kuantitetin evropian”.

Ai ka thënë javën e kaluar se Rusia duhet të “ribalancojë situatën” përmes masave të saj, nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s.

15:30- Bie numri i refugjatëve ukrainas në Poloni

Garda Kufitare polake ka thënë se mbi 2.6 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni, prej sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Sipas Gardës, numri i njerëzve që kalojnë kufirin drejt Polonisë ka rënë ndjeshëm në javët e fundit dhe se është rritur numri i atyre që po kthehen në Ukrainë.

Të dielën, 28,5000 njerëz kanë hyrë në Poloni, apo 2 për qind më pak sesa të shtunën, ka thënë kjo agjenci në Twitter.

Profesori për kërkime rreth migrimit në Universitetin e Varshavës, Maciej Duszczyk ka vlerësuar që 1.2-1.4 milion ukrainas vazhdojnë të jenë në Poloni.

Më shumë se 800.000 prej tyre tani janë regjistruar dhe kanë dokumente polake të identifikimit.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

14:30- Rubla ruse vazhdon të zhvlerësohet

Rubla ruse është dobësuar ndjeshëm pas vendimit të Bankës Qendrore të Rusisë për të hequr disa masa të përkohshme, të cilat kanë pasur qëllim parandalimin e zhvlerësimit të valutës ruse.

Masat kanë nisur të zbatohen pas vendosjes së sanksioneve të komunitetit ndërkombëtar ndaj Moskës, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Banka Qendrore ka thënë më 8 prill se do të heqë masën e komisionit prej 12 për qind për blerjen e valutave të huaja nga 11 prilli.

Banka po ashtu ka thënë se do të pezullojë një ndalesë të përkohshme për shitjen e parave të këmbimit prej 18 prillit.

Rubla ka rënë në 82.09 kundrejt dollarit amerikan më 11 prill, për dallim nga 71 rubla sa ka qenë më 8 prill.

Mbështetja kryesore për rublën, pas sanksioneve, ka qenë nga konvertimi i detyrueshëm i 80 për qind të të ardhurave valutore nga kompanitë e fokusuara në eksport, si dhe nga normat e larta të interesit, edhe pse Banka Qendrore ka ulur papritur normën e saj bazë nga 20 për qind në 17 për qind javën e kaluar.

13:27 – Vazhdon zhvlerësimi i rublës ruse

Rubla ruse është dobësuar ndjeshëm pas vendimit të Bankës Qendrore të Rusisë për të hequr disa masa të përkohshme, të cilat kanë pasur qëllim parandalimin e zhvlerësimit të valutës ruse.

Masat kanë nisur të zbatohen pas vendosjes së sanksioneve të komunitetit ndërkombëtar ndaj Moskës, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Banka Qendrore ka thënë më 8 prill se do të heqë masën e komisionit prej 12 për qind për blerjen e valutave të huaja nga 11 prilli.

Banka po ashtu ka thënë se do të pezullojë një ndalesë të përkohshme për shitjen e parave të këmbimit prej 18 prillit.

Rubla ka rënë në 82.09 kundrejt dollarit amerikan më 11 prill, për dallim nga 71 rubla sa ka qenë më 8 prill.

Mbështetja kryesore për rublën, pas sanksioneve, ka qenë nga konvertimi i detyrueshëm i 80 për qind të të ardhurave valutore nga kompanitë e fokusuara në eksport, si dhe nga normat e larta të interesit, edhe pse Banka Qendrore ka ulur papritur normën e saj bazë nga 20 për qind në 17 për qind javën e kaluar.

11:58 – Zelanda e Re paralajmëroi ndihma shtesë prej 13 milionë dollarësh për Ukrainën

Zelanda e Re njoftoi ndihmë shtesë ushtarake dhe ligjore prej 13 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë vendosjen e avionëve transportues C-130 Hercules në Evropë.

Në një deklaratë, kryeministrja Jacinda Ardern tha se nga ndihma shtesë prej 13 milionë dollarësh, kabineti ka miratuar vendimin që t’i japë Mbretërisë e Bashkuar 7,5 milionë dollarë për të siguruar armë dhe municione për forcat e armatosura të Ukrainës.

Shuma e mbetur do t’i jepet Ukrainës për të mbështetur qasjen komerciale satelitore për inteligjencën e tyre të mbrojtjes, thuhet në deklaratë.

Vendi do t’i japë gjithashtu 1 milion dollarë Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe 500.000 dollarë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

“Mbështetja jonë është për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës të zmbrapsë një pushtim brutal rus, sepse paqja në rajonin e Evropës është thelbësore për stabilitetin global”, tha Jacinda Ardern.

“Një sulm i tillë flagrant ndaj sovranitetit të një vendi është një kërcënim për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja pse edhe ne kemi një rol për të luajtur”, shtoi ajo.

Sipas kryeministres, kabineti vendosi gjithashtu të dërgojë për dy muaj në Evropë aeroplanë transportues C-130 Hercules të Forcave të Mbrojtjes me 50 personel mbështetës.

Megjithatë, avioni dhe personeli i Zelandës së Re nuk do të hyjnë në Ukrainë, shpjegoi ajo.

“Gjatë muajve të ardhshëm, ekipi ynë do të udhëtojë në të gjithë Evropën duke transportuar pajisje dhe furnizime shumë të nevojshme në qendrat kryesore të shpërndarjes, por në asnjë moment ato nuk do të hyjnë në Ukrainë”, tha ministri i Mbrojtjes, Peeni Henare.

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.

11:30 – Borrell: Sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë mbeten opsion

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, mbeten opsion.

Borrell i bëri këto komente në Luksemburg, në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Sanksionet janë gjithmonë në tryezë”, u tha ai gazetarëve.

Borrell shtoi se ministrat, të cilët pritet të diskutojnë për krimet e dyshuara të luftës, të kryera nga Rusia në Ukrainë, bashkë me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Kahn, mund të debatojnë edhe për “hapat e mëtejshëm” kundër Moskës.

BE-ja ka vendosur tashmë disa runde sanksionesh kundër Rusisë.

Disa vende brenda bllokut 27-anëtarësh kanë bërë thirrje për embargo të plotë mbi naftën ruse.

Por, disa të tjera kanë hezituar, për shkak të, siç kanë thënë, ndikimit që do të kishte një masë e tillë në ekonomitë e tyre.

Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara kanë marrë vendim për ndalimin e importit të naftës ruse.

Varësia e SHBA-së nga Rusia, megjithatë, është më e vogël.

Për krahasim, BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.

SHBA-ja, ndërkaq, ka siguruar rreth 8 për qind të importeve të naftës nga Rusia.

SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.

11:30- Zelensky kërkon më shumë ndihmë nga jashtë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij ka nevojë për më shumë ndihmë nga jashtë, për t’i mbijetuar pushtimit të paprovokuar nga Rusia.

Duke folur përmes video-lidhjes me ligjvënësit e Koresë së Jugut, Zelensky tha se Rusia nuk do ta ndalojë luftën që ka nisur në fund të shkurtit, nëse nuk detyrohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Ai shtoi se Rusia po dërgon dhjetëra mijëra trupa për ofensivën e saj të radhës në pjesën lindore të Ukrainës.

“Mariupoli është shkatërruar, ka dhjetëra mijëra të vdekur, por, përkundër kësaj, rusët nuk e ndalin ofensivën e tyre”, tha Zelensky.

Shifrat që ai përmendi, nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Mariupoli, qytet port në juglindje të Ukrainës, është rrethuar nga forcat ruse tash e sa javë.

10: 59 – Inteligjenca britanike paralajmëroi përdorimin e bombave fosforike nga Rusia

Britania e Madhe ka paralajmëruar se Rusia mund t’i përdor municionet fosforike në luftime ndaj Ukrainës në qytetin Mariupol, raportoi BBC-ja të hënën.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë deklaroi të hënën se këto municione, që janë të ndaluara të përdoren sipas ligjeve ndërkombëtare, tashmë janë aktive në rajonin e Donetskut.

Inteligjenca britanike tha se Rusia “po e shton më shumë rrezikun ndaj civilëve për shkak të mbështetjes në bombat e palejuara”.

Gjithashtu u tha se bombardimet po vazhdojnë në rajonet lindore, në Donetsk dhe Luhansk, por që forcat ukrainase i zmbrapsen

10:29 – Pas tërheqjes së trupave ruse janë gjetur 1.222 trupa civilësh në rajonin e Kievit

Autoritetet ukrainase thonë se 1.222 trupa civilësh janë gjetur deri më tani në rajonin e Kievit, nga i cili trupat ruse janë tërhequr së fundmi. Kryeprokurorja Irina Veneditkova tha se 5.600 raste të krimeve të mundshme të luftës ruse ishin hetuar që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt dhe se më shumë se 500 kriminelë të dyshuar lufte ishin identifikuar deri më tani, duke përfshirë komandantët e luftës dhe zyrtarë qeveritarë.

“Ajo që ne shohim në të gjitha rajonet e Ukrainës janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ne po përpiqemi t’i zgjidhim ato”, tha Veneditkova.

Ajo shtoi se Ukraina kishte prova se Rusia kishte kryer një sulm me raketa në një stacion treni në qytetin lindor të Kramatorsk të premten, duke vrarë të paktën 57 civilë që prisnin të evakuoheshin. Rusia ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe tha se nuk i ka shënjestruar civilët në Ukrainë.

10:20- Ukraina: Ushtria ruse ka humbur 19.500 ushtarë

Ushtria ruse e cila i shpalli luftë Ukrainës ka humbur 19.500 ushtarë, 154 avionë, 137 helikopterë dhe 725 tanke.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi për humbjet e ushtrisë ruse midis 24 shkurtit dhe 11 prillit.

Shtabi njoftoi se 19.500 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, janë rrëzuar 154 avionë dhe 137 helikopterë rusë, janë shkatërruar 725 tanke, 1.923 automjete të blinduara, 347 topa, 111 sisteme raketash dhe 55 sisteme të mbrojtjes ajrore.

Forcat ruse humbën gjithashtu 1.387 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta, 76 automjete me karburant dhe 119 dronë.

10:17 – Banka franceze do t’i ndalojë aktivitetet në Rusi

Një nga bankat më të mëdha të Francës, Societe Generale, bëri të ditur se do t’i ndalojë aktivitetet në Rusi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ajo po ashtu njoftoi se do t’i shesë aksionet e saj te banka ruse, Rosbank, dhe te filialet e sigurimeve të huadhënësit rus.

Societe Generale tha se tërheqja e saj nga Rusia do t’i kushtojë 3.4 miliardë dollarë.

Sipas bankës, transferimi i 99 për qind të aksioneve në Rusi kërkon miratimin e rregullatorit vendas.

“Me këtë marrëveshje, grupi do të dalë në mënyrë efektive dhe të rregullt nga Rusia, duke mos shkaktuar ndërprerje për punonjësit dhe klientët”, tha banka.

Lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka nxitur një varg sanksionesh të ashpra nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Britania.

Sanksionet kanë bërë që shumë kompani perëndimore t’i shesin asetet e tyre në Rusi dhe të largohen nga ky vend.

10:09- Ukraina: Në 24 orët e fundit nga zonat e rrezikshme u evakuuan 2.824 njerëz

Zv.kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshçuk, ka njoftuar se 2.824 persona janë evakuuar nga zonat e konflikteve në 24 orët e fundit.

Në një video të publikuar nëpërmjet medias sociale, Vereshçuk bëri deklarata lidhur me procesin e evakuimit nga zonat ku përjetohen konfliktet në Ukrainë.

Duke bërë të ditur se vazhdojnë evakuimet, Vereshçuk theksoi se nga zonat e rrezikshme janë evakuuar 2.824 persona.​​​​​​​

“Brenda ditës, 2.622 persona nga qytetet Mariupol dhe Berdyansk kanë mbërritur në Zaporizhzhia me automjetet e tyre private dhe autobusët e dërguar. Ndërsa 213 prej tyre janë evakuuar nga qyteti Mariupol dhe pjesa tjetër e mbetur janë evakuuar nga qytetet Polohy, Vasylivka, Melitopol dhe Berdyansk. Pavarësisht zjarrit të hapur nga rajoni Luhansk, nga qytetet Lysychansk, Severodonetsk, Rubizhne, Popasna dhe Kreminna janë evakuuar 202 persona”.

Disa autobusë të dërguar për evakuim janë penguar nga forcat ushtarake ruse shpjegoi Vereshchuk duke vënë theksin se do të vazhdojnë evakuimet.

10:01 – Zelensky: Rusia ka frikë të pranojë se politika e saj ndaj Ukrainës është e gabuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se Rusia ka frikë të pranojë se politika që ajo ka ndjekur për dekada ndaj Ukrainës është e gabuar.

Në një video-mesazh nga llogaria e tij në Telegram, Zelenskyy ka bërë deklarata lidhur me luftën që Rusia ka filluar më 24 shkurt kundër Ukrainës.

Duke bërë të ditur se Rusia me agresivitetin e saj po përpiqet të bëjë fajtore Ukrainën, ai rikujtoi se Krimea është aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia.

Presidenti ukrainas theksoi se Rusia ka prishur jetën normale në rajonin Donbas të Ukrainës. “Ata kanë 8 vite që vrasin njerëzit, fëmijët në territoret tona dhe na fajësojnë ne. Ata shkatërruan zonën industriale më të fuqishme të Evropës Lindore, shkatërruan jetët e miliona njerëzve, filluan luftë në masë të gjerë kundër nesh”, shtoi Zelenskyy.

Pasi theksoi se Rusia ka ndjekur një politikë të “gabuar” lidhur me Ukrainën, Zelenskyy është shprehur se “Ata kanë frikë të pranojnë se politika që ka ndjekur për dekada ndaj Ukrainës është e gabuar dhe se prish çdo gjë”.

Të gjitha këto janë për arsyen se Rusia është “frikacake” theksoi Zelenskyy duke shtuar se “Kur frikësimi rritet shndërrohet në katastrofë. Njerëzit kthehen në mizorë kur nuk gjejnë guximin të pranojnë gabimet, të kërkojnë falje dhe të përshtaten me të vërtetën. Ndërsa kur kjo injorohet nga bota, mizorët marrin vendimin që bota duhet t‘u përshtatet atyre”.

Zelenskyy vuri në dukje se Ukraina do të ndalë Rusinë dhe se ato kanë fuqinë e nevojshme për këtë.

09:44 – Banka Botërore: Ekonomia e Ukrainës gati se do të përgjysmohet

Ekonomia e Ukrainës parashikohet të përgjysmohet këtë vit, për shkak të pushtimit rus, i cili ka shkatërruar fabrika dhe ndërtesa të mëdha banimi, si dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga vendi, thuhet në një raport të Bankës Botërore.

Sipas tij, prodhimi ekonomik i Ukrainës pritet të tkurret për 45 për qind, ndërsa shkalla përfundimtare e rënies ekonomike do të varet nga “kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës”.

“Pushtimi rus po i jep një goditje masive ekonomisë së Ukrainës dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë”, tha Anna Bjerde, nënkryetare e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Rusia ka shkatërruar Mariupolin, një port kyç të Ukrainës në Detin Azov, dhe ka dëmtuar rëndë qytetet e tjera të mëdha, duke përfshirë Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës për nga popullsia.

Rusia ka bombarduar gjithashtu aeroporte dhe linja hekurudhore, ndërsa shumë ura janë hedhur në erë.

Më shumë se 10 milionë ukrainas, ose gati një e katërta e popullsisë, besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre, përfshirë më shumë se 4 milionë që kanë kaluar kufijtë e Ukrainës.

Në një raport më vete, Banka Botërore tha se ekonomia e Rusisë pritet të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

08:53 – Kancelari austriak do të takohet me Putinin

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të udhëtojë sot në Moskë, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai është udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, qëkur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Zyrtarët austriakë thanë se Nehammer dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit dhe se do të ngrejë gjithashtu çështjen e krimeve të luftës.

Nehammer u takua edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën.

“Ai shkon atje [në Moskë], pasi ka informuar Berlinin, Brukselin dhe presidentin ukrainas, për të inkurajuar dialogun”, tha një zëdhënës i Nehammerit.

Takimi vjen në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi.

Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.

Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, i tha televizionit kombëtar se “Ukraina është gati për beteja të mëdha” kundër Rusisë.

Ai tha se Ukraina duhet të mposhtë Rusinë në Donbas – ku Moska kontrollon tashmë dy territore separatiste – përpara se të zhvillohet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ukraina është gati për beteja të mëdha. Ukraina duhet t’i fitojë ato, përfshirë Donbasin. Dhe, sapo të ndodhë kjo, Ukraina do të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues”, tha Podolyak.

“Pas kësaj, presidentët do të takohen. Mund të duhen dy javë, tri”, shtoi ai.

Mijëra njerëz janë vrarë tashmë nga lufta në Ukrainë, ndërsa mbi 11 milionë janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.

Perëndimi ka vendosur sanksione të papara ekonomike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar ushtarakisht.

“Na duhen edhe më shumë sanksione. Na duhen edhe më shumë armë për shtetin tonë”, tha Zelensky në një video-adresim, të publikuar në mediat sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button